Thursday, June 7, 2012

MPB i refuzon për herë të tretë shtetësinë

Për herë të tretë brenda katër viteve historiani dhe publicisti elbasanas Arben Llalla shpallet nga MBP e Maqedonisë Person i Rrezikshëm që rrezikon integritetin dhe sigurinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë. Si pasojë MPB i ka refuzuar në bazë të martesës shtetësinë e Maqedonisë dhe lejen e qëndrimit të përhershme Arben Llallës.

Për herë të parë atij i është refuzuar në mars 2008, duke vazhduar në dhjetor 2008, ndërsa në korrik 2011, i është refuzuar edhe leja e qëndrimit të përhershme. Së fundi muajin e kaluar përsëri i refuzohet kërkesa për shtetësi në bazë të martesës. 

Në vendimin e MPB-së në pjesën e refuzimit thuhet se sipas nenit 9 dhe 7 të Ligjit për nënshtetësi të Maqedonisë, pranimi i këtij personi si shtetas do te ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e RM.

Ky vendim vjen edhe përkundë faktit se Llalla që nga viti 2003 është martuar me shtetase të Maqedonisë dhe nga kjo martesë kanë një djalë 7 vjeçar. Në bazë të ligjit, përmes lidhjes martesore, një shtetas i huaj gëzon të drejtën e shtetësisë brenda një afati trevjeçar. 

MPB i refuzon shtetësinë në bazë të nenit që konsideron shtetasit e huaj që aplikojnë si persona të rrezikshëm, Ministria e Kulturës së Maqedonisë i ka akorduar një fond prej 1.500 eurosh për botimin e dy librave "Aristidh Kola" si dhe "Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889″. 

"Nuk e di se si mund të shpjegohet fenomeni kur në të njëjtën kohë të shpallin 'terrorist' dhe po të njëjtët të sponsorizojnë në të holla për botimin e veprave si njeri i shkencës, i kulturës dhe i paqes", theksoi për INA, Arben Llalla. 

Ai rrëfen se në dy raste ka fituar drejtën për rikthimin e lëndës në shkallën e dytë që është në nivel të Qeverisë, por sërish ka marrë përgjigje negative. 

Llalla në muaj shtator 2009 ai ka ngritur procedurë penale ndaj MPB për heshtjen rreth rastit të tij për mos dhënien e shtetësisë së Maqedonisë në bazë të martesës në Gjykatën Administrative. Kjo Gjykatë ka parashtruar disa herë kërkesë në MPB për të shikuar dosjen e Arben Llallës, por sipas shkresave ende MPB nuk ia afron këtë dosje Gjykatës Administrative. 

Ky rast është deklaruar në nëntor të vitit 2008 si rast i rëndë i shkeljeve të të drejtave të njeriut nga organizata e Helsinkit dega Maqedoni. 

Në Maqedoni problemi i shtetësisë vazhdon të jetë shqetësues për mijëra shqiptarë, të cilët edhe përkundër faktit se plotësojnë të gjitha kushtet, kanë lindur dhe jetojnë në Maqedoni, atyre nuk u jepet e drejta e shtetësisë. Në shumë raste ata refuzohen sipas neneve famoze për rrezikimin e Maqedonisë, përfshirë këtu edhe gra të moshuara shqiptare që janë refuzuar në bazë të këtij neni. (INA)

 

 



No comments:

Post a Comment