Monday, July 2, 2012

RDK: Rregullimi i mjerë i gjuhës shqipe

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka shprehur shqetësime dhe ka reaguar lidhur me mangësitë ligjore rreth përdorimit të gjuhës shqipe dhe anashkalimin e saj. 

“Një mashtrim i madh është rregullimi ligjor i gjuhës shqipe, injorimi i së cilës aktualisht paraqet një dukuri të gjithanshme, sepse – ndryshe nga sa mundohen të mashtrojnë zyrtarët e BDI-së – ligji nuk e parasheh si të detyrueshëm përdorimin e gjuhës shqipe nga institucionet shtetërore. Rregullimi gjysmak i gjuhës shqipe nga Kushtetuta është sakatuar edhe më tej nga ligji i propozuar nga vet BDI në vitin 2008, për të vazhduar arsyetimin e bërë tashme bajat për çdo çështje, se BDI nuk është e knaqur me rregullimin aktual, por se kjo çështje nuk është rrumbullakësuar ende!”, thekson RDK.

Kjo parti nënvizon se ky ligj u miratua në parlament katër vite më parë, me një shpejtësi të paarsyeshme, pa asnjë konsultim me ekspertët dhe në kohën kur Kryetari i Grupit Parlamentar të BDI-së jepte me telefon nga parlamenti provimet në fakultetin juridik.

“Mburrja me ndryshimin e ligjit të gjuhës, të bërë para një viti, që siguron përdorimin e gjuhës vetëm për 30 persona dhe atë vetëm në parlament, të bën të logjikosh se pas 100 vitesh ne do të duhet të mburremi me përdorimin e gjuhës shqipe nga 3.000 persona, në kohën kur të tjerët do të kenë shkelur në mars! Është bërë tashmë praktikë që VMRO në fillim të çdo mandati ta gënjejë BDI-në me nga tre 'lëpirëse' që BDI ia paraqet popullit si fitore të mëdha, që pastaj VMRO për 3 vjet t'i bëjë punët ashtu si do ajo vet”, thekson RDK.

Kjo parti vlerëson se mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve mund të bëhet “vetëm përmes rregullimeve adekuate ligjore, të përfaqësuara nga njerëz profesionistë dhe jo përmes ofrimit të zgjidhjeve gjysmake të pranuara nga njerëz të pakualifikuar apo përmes bërjes së zhurmës folk-patriotike në parlament, siç ka ndodhur në njëmbëdhjetë vitet e fundit”. (INA)



Dizeli më lirë për 3 denarë, benzina për 2,5 denarë

Në Maqedoni prej sonte në mesnatë do të lirohen derivatet e naftës. Sipas Komisionit Rregullator për Energjetikë, ulje të çmimit do të ketë për derivatet e naftës, benzinën, dizelin dhe ekstra vajin e lehtë. 

Sipas KRE, dizeli do të lirohet për 3 denarë për litër, ndërsa dizeli për 2,5 denarë për litër. 

Cmimi i Eurosuper BS-95 do të jetë 75,50 denarë për litër, Eurosuper BS-98 për 77 denarë për litër. Eurodizeli do të jetë 64,50 denarë për litër, dhe vaji ekstra i lehtë për 53 denarë për litër. 

Ulja e çmimeve pasoi pas uljes së çmimit të naftës së papërpunuar në tregun botëror dhe kursi e ulët të denarit në raport me dollarin. (INA)



Pushime në Shqipëri, kapen me 120 kg hashash çifti i turistëve

Një 45-vjeçar grek dhe bashkëshortja e tij gjermane u kapën me 120 kg kanabis, teksa po tentonin të hynin pasditen e të dielës për në Greqi përmes pikës doganore të Kapshticës, raporton agjencia NOA.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në automjetin e tyre tip Camper, me të cilin çifti kishte kaluar disa ditë pushime në Shqipëri. Kamioni rulot kaloi pa problem kontrollin e policisë shqiptare, por u ndalua nga antidroga greke, pasi nga brenda kamionit vinte një erë e fortë, e ngjashme me kanabis. U deshën pak minuta që qentë e antidrogës të zbulojnë sasinë e fshehur të kanabisit brenda në automjet.

45-vjeçari grek dhe bashkëshortja e tij gjermane e kishin fshehur mirë lëndën narkotike, por nuk morën parasysh erën e fortë që lëshon kanabisi.

Ata u arrestuan menjëherë nga policia greke, e cila sekuestroi po ashtu lëndën narkotike dhe automjetin tip Kamper. Dyshohet se kanabisi ishte ngarkuar në Lazarat dhe kishte si destinacion tregun grek. (NOA/INA)

 



Sunday, July 1, 2012

Autostrada drejt Shkupit do “ta bllokojë” atë në drejtim të Merdarit

Analistëve të zhvillimeve ekonomike nuk u duket rastësi që kompania e cila ndërtoi autostradën në Shqipëri, më pas e nisi edhe atë të Kosovës, nga Vërmica drejt Merdarit, konsorciumi "Bechtel-Enka", ta fitojë të drejtën për ndërtimin edhe të autostradës që shkon nga Prishtina në drejtim të Shkupit, shkruan sot Koha Ditore.Avni Zogiani, udhëheqës i organizatës "Çohu", ka thënë se projektet e dy autostradave janë të imponuara dhe se nuk janë ide apo qëllim i vetë Qeverisë së Kosovës. Ai ka thënë se ekzekutivi nuk ka asnjë këshilltar të sajin të angazhuar e që i njeh mirë çështjet e projekteve rrugore. 

"Krejt këto janë projekte që i imponohen Qeverisë nga këshilltarët e transaksionit. Përgjithësisht në projektet më të rëndësishme kapitale Qeveria është injorante", ka thënë Zogiani. 

Sipas tij, i njëjti grup i interesit i udhëhequr nga përfaqësuesit e kompanisë "Bechtel", ka krijuar monopol në fushën e investimeve të mëdha kapitale në Kosovë. 

Ai ka thënë se lidhshmëria kohore me inicimin e procedurave tenderuese për projektet kapitale, sikurse rasti me ndërprerjen e mundshme në Orllat të "Rrugës 7" dhe fillimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Han i Elezit, nuk kontrollohet nga Qeveria, po nga vetë nevojat e kompanisë ndërtuese. 

Në nëntor, Qeveria ka deklaruar se do të përfundojë ndërtimi i pjesës së autostradës që lidh Morinin me Orllatin dhe të sigurojë dalje në rrugën Prishtinë-Pejë. E me fillimin e vitit 2013, Qeveria është zotuar se do të nisë ndërtimin e autostradës së dytë, asaj Prishtinë – Han i Elezit. (KD/INA) 

 



Shkon në koncesion Liqeni i Ohrit

Pas shumë paralajmërimeve për koncesionimin e Liqenit të Ohrit, më në fund është sjellë vendimi i Qeverisë, për të lidhur kontratë gjashtë vjeçare, me personin i cili do të ekonomizojë me Liqenin e Ohrit.

Fillimisht informacionet që dilnin nga burime të ndryshme mohoheshin nga zyrtarët e ministrive të implikuara dhe nga Qeveria. 

Përfundimisht, edhe Qeveria e Maqedonisë, e ka konfirmuar se Liqeni i Ohrit është koncesionuar për kohëzgjatje prej 6 vitesh, që nënkupton se koncesioneri i ri do të ekonomizojë me fondin e peshkut gjatë 6 viteve të ardhshme. Për tu bërë koncesioni i plotfuqishëm, duhet që vendimi i Qeverisë të publikohet në "Gazetën Zyrtare" të RM-së. 

Për këtë koncesion, personi-koncesioneri obligohet që për 6 vitet që do të ekonomizojë me Liqenin e Ohrit, Qeverisë, ose ministrisë përkatëse ti paguajë 33.000 euro.

Për këtë koncesionim, pritet të reagojnë shoqatat e peshkatarëve të Ohrit, të cilët kanë kundërshtuar edhe më parë këtë lloj koncesionimi, për shkak të asgjësimit të fondit të peshkut, që në masë të madhe është nga llojet endemike. 

Ata kanë paralajmëruar se do të ankimojnë këtë vendim të Qeverisë, edhe në institucionet ndërkombëtare e deri tek Komisioni për peshkim pranë OKB-së dhe partitë ambientaliste evropiane. Këtë qëndrim peshkatarët e Ohrit e mbështesin për shkak të lejimit të koncesionerit që brënda një viti do të mund të peshkojë 2 tonelatë trofta dhe 200 tonelatë plashka gjatë një viti, duke punësuar 24 punëtor. Këto parametra dhe këto sasi janë të mjaftuara që brenda 6 viteve sa zgjatë koncesioni, të asgjësohen fonde të paparashikuara peshku, që mund të shkojë edhe deri në 50 gjenerata të peshkut-pohojnë ekspertët e peshkimit. (M.Latifi/INA)



RDK: BDI të pyet popullin se sa është i kënaqur me punën e tyre

RDK-ja, porosit funksionarët e BDI-së që në vend të vetmashtrimit dhe krijimit të iluzionit të vetkënaqësisë nga pushteti dhe privilegjet personale që burojnë nga keqpërdorimet e pozitave zyrtare ta kthejnë arsyen e shendosh te veprimit politik dhe të punojnë në dobi të popullit duke i ofru të mira publike në emër të mandatit publik që ua dha populli.   

“Refreni i përsëritur i konkluzioneve nga takimet e KP të BDI-së së gjithçka po rrjedhë si ujë, edhe njëhere vërteton se BDi-ja duke u marrë me veten harron popullin i cili ua dha votën për zgjidhjen e problemeve të shumta dhe jo tejkalimin e problemeve personale dhe familjareve të një grushti anetaresh të BDI-së të instaluar tashmë një dekad në pushtetin komunal dhe qendror”, thekson Rilindja Demokratike Kombetare (RDK) përmes një komunikate.

RDK-ja pyet BDI-në dhe kërkon të jep përgjigje para qytetarëve se si mund të jetë e kënaqur nga rezultatet e funksionarëve në nivel të pushtetit lokal, në kohë kur qytetarët shqiptarë të cilët jetojnë në komuna me shumicë shqiptare edhe më tej  ballafaqohen me probleme elementare komunale.

“Te këto komuna që udhëhiqen nga zyrtar të BDI mungon energjia elektrike, mungon furnizimi me ujë të pijshëm, mungojn investimet kapitale në infarstrukturën rrugore dhe kanalizime, mbizotron kaosi urbanistik me Çairin si kampion, arsimi fillor dhe i mesëm është pa kushte elementare për mësim, shkollat shqipe janë me emra maqedon dhe shumica e komunave që udhehiqen nga BDI me xhirrollogari të bllokuara”, nënvizon RDK.

Kjo parti rikujton opinionin publik se drejtuesit e BDI-së në komunat me shumicë shqiptare shkatëruan dhe uzurpuan çdo pëllëmbë toke të gjelbërt duke keqpëdorë maksimalisht ligjin për legalizim të objekteve jolegale me ndërtimin e ndërtesave gjigande pa plotësimin e kushteve më minimale urbanistike pa mbajtur kurfarë përgjegjësie ligjore dhe humane për shkatërimin e ambinetit ekologjik me pasoja të rënda për gjeneratat aktuale dhe të ardhëshme.

“Ështe për tu befasuar fakti se si BDI , parti kjo që është në pushtet qendror dhe në shumicen e komunave edhe në pushtet lokal nuk kerkon llogari për zvoglimin e mjeteve për arsimin fillor dhe të mesëm dhe për uljen e mjeteve nga TVSH për komunat që në kundershtim me ligjet në fuqi e bënë ministri i financave Stavreski , nuk kerkon pergjegjësi për mosrespektimin e ligjit për zhvillimin rajonal dhe mos alokimin e mjeteve ne nivel te 1% të PBB me çka janë humbur çdo vit mbi 10 milion euro investime kapitale në komunat shqiptare. Ministrat e kësaj partie dhe kryetarët e komunave të BDI kanë përgjegjësi politike për dështimin e plotë të komunave dhe të ministris për pushtet lokal në dështimin e tyre në shfrytezimin e IPA fondeve dhe humbjen e disa miliona euro nga mjetet e ndara nga Banka Europina për rindërtim dhe zhvillim, KHW banka, Banka Boterore dhe instititucione dhe fonde të tjera të huaja”, thekson RDK.

RDK-ja rikujton BDI-në se shqiptarët si kurrë më parë janë të diskriminuar në të gjitha drejtimet në veçanti në arsim, kulturë, ekonomi , punësim, mbrojtjen sociale dhe shëndetsore dhe në vend se BDI të luftojë këto diskriminime strukturore në menyrë institucionale ajo me deklaratat e kësaj natyre bëhet pjesë e cementimit të këtyre diskiminimeve. 

“Është koha e fundit BDi-ja, në vend se shet iluzione dhe vetmashtrime për të ,,ariturat e mëdhaja,, nga puna e funkcionereve të sajë të fillojë të punojë për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët, njëherit edhe votuesit e sajë që i dhanë besimin në zgjedhjet e fundit politike”, thuhet në fund të reagimit të RDK. (INA)



Friday, June 29, 2012

Përleshje mes deputetëve të PDK dhe VV (VIDEO)

Përleshje mes deputetëve të PDK dhe VV (VIDEO)

Deputeti i PDK-së Latif Gashi-Lata dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, janë përleshur fizikisht para pak çastesh tek dalja e Kuvendit të Kosovës.

Ky sulm ka ardhur derisa deputeti Selimi ishte duke dhënë një intervistë për media ku ka folur për SHIK-un, ndërsa deputeti Gashi kishte kërkuar nga ai të mos flasë për këtë organizatë, me ç'rast ka reaguar Selimi, duke i thënë atij se unë flas për këtë çështje.

Pas përleshjes fizike në mes tyre, ka ndërhyrë policia dhe i ka ndarë ata, ndërsa pas pak minutash ka ndodhur një përleshje tjetër në mes të deputetit të Vetëvendosjes Florin Krasniqi dhe atij të PDK-së Bekim Haxhiu i njohur me nofkën Kamishi, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Meqenëse Kamishi është gjakosur në fytyrë, atij i kanë ndihmuar bashkëpunëtorët e tij që të largohet nga Kuvendi, duke e dërguar në drejtim të oborrit të Qeverisë, ndërsa Krasniqi momentalisht ndodhet në hollin e Kuvendit – i cili po ashtu ka pësuar disa goditje gjatë përleshjes me Kamishin.

Në këtë përleshje janë inkuadruar edhe bashkëpunëtorët e deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PDK-së, përkatësisht shoferët dhe truprojat e tyre.

KDI dënon përleshjen mes deputetëve në Kuvend

Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, ka reaguar ndaj "përleshjes së deputetëve në ambientet e Kuvendit të Kosovës".

"Dhuna që shpërtheu sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu e ka historinë e vet, dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare", thuhet në reagimin e KDI-së.

Në komunikatën e lëshuar për media, siç raporton REL, kjo organizatë joqeveritare, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga partitë politike "që kanë ulëse në Kuvend që të ndikojnë në uljen e tensioneve mes grupacioneve të ndryshme formale dhe joformale, sepse kjo reflekton pasiguri tek qytetarët e vendit".

KDI gjithashtu kërkon nga Presidentja e vendit "që në përputhje me kompetencat e saja kushtetuese, të thërras një Tryezë të partive politike parlamentare për të dalë nga ngërçi i armiqësive, përmes debatit demokratik si preventivë që përplasjet mes deputetëve të mos nxisin përleshje në rrugë mes militantëve të pushtetit dhe të opozitës".

Ndërkaq, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përleshjes fizike të ndodhur ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës.

Qe një kohë, siç thuhet në një komunikatë për medie, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar në mënyra të ndryshme hetimin mbi veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës, që ka qenë dhe mbetet shërbim sekret partiak, që nuk i është përgjigjur asnjë institucioni të Kosovës, nuk i ka dhënë llogari askujt, si dhe nuk ka shpalosur asnjë nga aktivitetet që ka bërë dhe bënë ndër vite.

Sipas Vetëvendosjes, populli i Kosovës ka të drejtën ta dijë se kush po i përgjon, kush po i shantazhon dhe kush po i frikëson qytetarët me agjentë.

"Në funksion të tentimit për të legalizuar një organizatë të tillë ilegale, qeveria dhe SHIK-u kanë orkestruar vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve dhe po tentojnë që nëpërmjet funksioneve publike të legjitimojnë agjentë të SHIK-u me të kaluar kriminale. Sot këta agjentë janë në qeveri, e fatkeqësisht janë edhe në Kuvendin e Kosovës, të ardhur aty me vota të vjedhura", thekson Vetëvendosje.

Subjekti opozitar politik, Vetëvendosje, thotë se thirrjeve të tyre për hetime parlamentare për këtë organizatë, "ata u janë përgjigjur me më shumë panik, shantazhe e kërcënime të ndryshme për deputetë, për të mos nënshkruar iniciativën për inicimin e komisionit parlamentar për SHIK-un".

"Kohëve të fundit kanë filluar të kërcënojnë edhe gazetarë e fytyra publike, për të mos folur për SHIK-un. Sa më shumë ata mundohen ta mbajnë të mbyllur dosjen e SHIK-ut, aq më shumë shtohet nevoja për të ditur të kaluarën e saj", theksohet në komunikatë.

Ndërkaq, sa i përket përleshjes së sotme fizike që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje thotë se faji i tëri ka qenë i deputetit të PDK-së, Latif Gashi, i cili, sipas Vetëvendosjes, "pa provokimin më të vogël, është munduar ta kërcënojë deputetin Rexhep Selimi që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media".

"Ndoshta përvoja e z. Gashi nga SHIK-u e bën të mendojë se ai mund t'i ndalë të tjerët të mos flasin, e bën të mendojë se mund t'i kërcënojë të tjerët. Z. Gashi duhet ta dijë se Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur në qëllimin e vet për të zbuluar të vërtetën, për të zbardhur krimet ndaj popullit të Kosovës, sepse populli i Kosovës meriton të dijë", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

E për këto ngjarje të sotme që ndodhën në kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje shpreh keqardhje. "Fatkeqësisht, provokimi i z. Gashi dhe tentativa e tij për të ngulfatur fjalën e lirë të deputetëve, dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka eskaluar në një përleshje fizike, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje".

Vetëvendosje thotë se në momentin e përleshjes fizike mes deputetit të saj, Rexhep Selimit, dhe deputetit nga radhët e PDK-së, Latif Gashit, "është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit".

Në fund, kjo lëvizje thekson se do të vazhdojë e palëkundur në rrugën e saj për të krijuar një shoqëri të zhvilluar demokratike e mbi të gjitha transparente. /Zëri/