Saturday, May 26, 2012

23 në burg, 10 duan të shkojnë në vendlindje

Të dënuar për vrasje, grabitje, tregti me armë, me njerëz dhe për vepra të tjera penale, një pjesë e të dënuarve që vijnë nga Kosova e Shqipëria me vite mbeten në qelitë e burgut të Idrizovës, megjithëse vazhdimisht shprehin interes për t’u transferuar në burgjet e vendeve nga të cilat vijnë

Shkup, 26 maj – Katërmbëdhjetë shtetas të Shqipërisë dhe nëntë të tjerë të Kosovës për momentin janë duke vuajtur dënime në burgun e Idrizovës, ndërsa për dhjetë prej tyre janë duke rrjedhur procedurat për ekstradim ose transferim në Shqipëri ose Kosovë. Të dënuar për vrasje, grabitje, tregti me armë, tregti me njerëz dhe për vepra të tjera penale, një pjesë e të dënuarve që vijnë nga dy shtetet fqinje me vite mbeten në qelitë e burgut më të madh të vendit, megjithëse vazhdimisht shprehin interes për t’u transferuar në burgjet e vendeve, nga të cilat vijnë, sepse transferimi do t’u mundësonte një sërë privilegjesh. Interesimi për t’u transferuar në vendlindje konfirmohet nga vet të dënuarit që vijnë nga Kosova e Shqipëria, të cilët duke insistuar në anonimitet, shprehen se atyre vazhdimisht u janë refuzuar kërkesat për t’u kthyer vendlindje. Në favor të deklaratave të të burgosurve shkojnë edhe qëndrimet e punonjësve ose ish punonjësve të institucioneve penetenciare vendase, të cilët kanë sqaruar se procedurat e ekstradimit ose transferimit të të dënuarve të huaj, janë të qarta dhe ofrojnë mundësi për t’i kthyer të dënuarit në vendlindje, megjithatë vet shtetet nuk janë të interesuara për t’i pranuar. Megjithëse zyrtarët e tanishëm të institucioneve përkatëse mohojnë problemet gjatë ekstradimit ose transferimit të shtetasve të huaj, duke sqaruar se në të gjitha rastet kur plotësohen kushtet e parapara me ligj, të dënuarit e huaj kthehen në vendlindje, kohë më parë mosinteresimi i dy vendeve fqinje për t’i pranuar shtetasit e tyre është konfirmuar nga ana e zyrtarëve të lartë të burgut të Idrizovës.

“Ne duam dhe jemi të interesuar që shtetasit e huaj të transferohen në vendlindje dhe atje ta vuajnë pjesën e mbetur të dënimit, megjithatë – Kosova dhe Shqipëria janë shtetet të cilat refuzojnë t’i pranojnë shtetasit e tyre, të cilët për vepra të ndryshme penale, janë duke vuajtur burg në Maqedoni. Transferimi i shtetasve të këtyre dy vendeve në vendlindje do ta lehtësonte punën tonë dhe do të lironte një numër të caktuar vendesh në Idrizovë, por para se gjithash, të dënuarve do t’u mundësonte që t’i gëzojnë të drejtat që u takojnë me ligj, të drejta që nuk mund t’u mundësohen nëse dënimin e vuajnë në një shtet të huaj”, ka thënë kohë më parë Mile Mlladenovski, ish drejtori i burgut të Idrizovës. Nga ana tjetër, përgjegjësit e dy ministrive përkatëse në Maqedoni dhe Kosovë sqarojnë se vet procedura e ekstradimit ose transferimit të një të burgosuri në vendlindje, është e komplikuar dhe kërkojnë shumë kohë, megjithatë mohojnë problemet ose mosinteresimin për t’i pranuar të dënuarit për t’i vuajtur dënimet në vendlindje.

“Është e vërtet që procedurat zgjasin shumë, por nuk mund të flasim për probleme gjatë ekstradimit ose transferimit të të dënuarve. Vet natyra e procedurës është e komplikuar dhe kërkon të kalohen shumë filtra para se të realizohet një ekstradim ose një transferim. Pavarësisht mbipopullimit të burgjeve të Kosovës, ne mbetemi të hapur për t’i pranuar të gjithë shtetasit tanë që janë duke vuajtur burg në ndonjë shtet të huaj”, tha Resmi Hoxha, shefi i shërbimit korrektues i Kosovës, vend me të cilin Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje ekstradimi dhe transferimi në fillim të prillit të vitit të kaluar. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua në Prishtinë, kur dy vendet në nivel ministrash shprehën gatishmëri për t’i ofruar njëri-tjetrit ndihmë juridike. Kohë më parë, një mendim të ngjashëm ka shprehur edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, sipas të cilit, “nuk ekzistojnë pengesa ligjore dhe as vullneti për t’i ndihmuar të dënuarit shqiptarë që gjenden në burgun e Idrizovës që pjesën e mbetur të dënimeve ta kalojnë në burgjet e Shqipërisë”.

Ndërkaq, në Ministrinë e Drejtësisë kanë konfirmuar refuzimin e shumë kërkesave për ekstradim ose transferim në vendet fqinje, megjithatë sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, në rastet konkrete nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me ligj. “Nga Kosova dhe Shqipëria kemi gjithsej 23 të dënuar. Për dhjetë prej tyre janë duke vijuar procedurat e ekstradimit ose transferimit në vendlindje, por për momentin nuk mund të themi sa prej tyre do të realizohen”, tha Elirjana Zilbeari nga zyra për marrëdhënie me opinionin pranë Ministrisë së Drejtësisë. (I.I./KOHA)



No comments:

Post a Comment