Sunday, May 27, 2012

Lesi letër Kadaresë: Është koha për President

Kryetari i Lëvizjes Demokristiane të Shqipërisë, Nikollë Lesi përmes një letre i ka bërë thirrje shkrimtarit të madh Ismail Kadare që të pranojë propozimin për President të Shqipërisë. 

Letra e tij vjen pas një letre të drejtuar nga ana e Këshillit studentor të Shkodrës, në adresë të shkrimtarit Kadare. 

Por, Lesi, që është pjesë e koalicionit qeveritar dhe zëvendësministër i Kulturës e sheh kandidaturën e Kadaresë si të rëndësishme dhe strategjike për të ardhmen e vendit dhe për nxjerrjen e vendit nga kriza politike. 

"Duhet të pranoni kandidaturën e Presidentit të Republikës! Nuk mundet që Ju, në këtë katrahurë politike, ku vendi është shumë pranë statusit kandidat për në Bashkimin Europian, të refuzoni apo të rrini duke e vrojtuar nga larg zjarrin që po vjen, zjarr që do të djegë edhe për disa vite ëndërrat e shqiptarëve, për ato ëndërra e për atë shpirt për të cilin ju keni shkruar e derdhur në art, art për të cilin, çdo shqiptar, krenohet kur përmend emrin tënd, ISMAIL KADARE", thuhet në letrën e Lesit. 

Sipas tij, ky do të ishte shans i madh për ne, shqiptarët, por edhe për Ju, i dashur, i madhi Kadare. 

"Ju duhet ta jepni një mesazh, për ne, shqiptarët, se jeni gati të sakrifikoni diçka nga jeta juaj duke u vënë në krye. Dikush mund të të ketë thënë se është një stërmundim, porse nga stërmundimi, nganjëherë, mund të dalin veprat e mëdha edhe në fushën e letrave, i dashur Kadare. Nëse e pranoni, do t’i bënit një të mirë jo vetëm popullit e vendit, por edhe krejt politikës. Politika do të bëhej më elokuente e më njerëzore. E detyruar, porse do të bëhej në pak vite, e tillë, siç ju thashë, pasi nuk mund të thuhet nesër nga asnjë politikan asnjë fjalë kundër Presidentit Kadare. Se të gjithë e dinë mirë se kur flet Kadare nuk ka folur interesi personal apo klanor, por ka folur Kryetari i Shtetit", thekson Nikollë Lesi në letrën e tij drejtuar Kadaresë. (INA)

 

 

 



No comments:

Post a Comment