Wednesday, May 30, 2012

Cërvenkovski e fton në duel Gruevskin

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Branko Cërvenkovski e ka ftuar në duel televiziv kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski. 

“Zotëri Gruevski, ejani t`ia themi të vërtetën popullit maqedonas. Eja njëherë të ulemi në një përballje publike, në një duel televiziv dhe para tërë opinionit të ballafaqojmë faktet dhe argumentet”, bëri thirrje lideri i opozitës maqedonase, duke theksuar se lidhur me këtë ftesë Gruevski duhet të marrë guximin.  

Ai shtoi se disa nga mediat qeveritare kanë lëshuar sinjale për mundësinë e lëshimit të një aktpadie kundër tij si lider opozite për publikimin e një sekreti shtetëror. “Syri nuk më trembet. Vetëm përpara, sepse as nuk do të më frikësoni dhe as që do të më heshtni. Vetëm në mënyrë plotësuese po më motivoni”, theksoi lideri i LSDM-së.  

Cërvenkovski ka theksuar se pret nga Gruevski të deklarohet para opinionit se pse kishte pranuar propozimin e emrit Republika e Maqedonisë (Shkupi) para Samitit të NATO-s, në vend të një propozimi më të mirë që nuk kishte pranuar në vitin 2005, dhe që ishte Republika e Maqedonisë. 

Nga ana tjetër, Gruevski sot para gazetarëve ka përjashtuar mundësinë për ballafaqim me Cërvenkovskin, duke shtuar se nuk dëshiron që të shpëtojë liderin e opozitës nga situata e tij e përfshirë në shpifje, dezinformime dhe manipulime të opinionit. (INA)

 



No comments:

Post a Comment