Friday, August 31, 2012

Gjykatësit e përjashtojnë Mlladiqin nga gjykatorja

Gjykatësit e Tribunalit të Hagës e kanë përjashtuar nga salla e gjyqit të akuzuarin për krime lufte, komandantin e serbëve të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë, Ratko Mlladiq, pasi gjatë dëshmisë së dëshmitarit boshnjak, Adil Mediq, ai ka paraqitur letra të shkruara me shkronja të mëdha, të cilat më pas ua ka dhënë avokatëve të tij.  Në njërën prej fletëve, të dukshme mjaft nga publiku, shkruante: "1943-1991-1992?"."Për të rivendosur rendin, dhoma gjyqësore ka vendosur që të largojë Mlladiqin nga gjykatorja", tha gjykatësi Alfons Ori, duke bërë të ditur se pas largimit të tij procesi ka vazhduar.

Mlladiq akuzohet për gjenocid dhe krime të tjera të luftës, si dhe për orkestrimin e masakrës së Srebrenicës, në të cilën janë vrarë 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Ai është arrestuar në Serbi në maj të vitit 2011, pas 16 vjetësh në arrati. (KD/INA)



Dy shtetase shqiptare ndalohen në një lokal në Gostivar

Dy shtetase shqiptare janë ndaluar në një lokal hotelierik në rajonin e Gostivarit, për shkak të mospajisjes me leje pune.
MPB e Maqedonisë informoi se dy shtetaset shqiptare u ndaluan në lokalin "Delfina" në Gostivar, ku njëra nga vajzat 17 vje[ nga Kor[a ka punuar në kundërshtim me rregullativat e ligjit të punës, duke qenë në minorenë si dhe vajza tjetër 19 vje[are nga Pogradeci, e cila nuk kishte rregulluar qëndrimin dhe lejen e punës. Policia menjëherë pas ndalimit të tyre ka dhënë urdhërin për deportimin e tyre në territorin shqiptar, ndërsa masa ndëshkimi kundër pronarit të lokalit. (INA)



Maqedonia nuk do ta pranojë raportin e KE-së pa mbiemrin "maqedonas"

Maqedonia nuk do ta pranojë raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit për këtë vit në rast se në të nuk qëndron mbiemri “maqedonas”, konfirmoi sot ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Poposki pas paralajmërimeve të presidentit Gjorge Ivanov.

“Kthimi i mbiemrit ‘maqedonas’ do të jetë punë logjike dhe do ta ruante kredibilitetin nga aspekti i atyre vlerave të cilat i promovon Bashkimi Evropian. A do të ndodh ajo apo nuk varet vetëm nga ata që e përgatisin raportin. Qëndrimin tonë e thamë dhe mendoj se parimisht në rast se ajo do të ndodh do të ishte diçka që do të shkonte në drejtim të duhur. A do të fokusohet Greqia në largimin e bllokadave dhe në veprimin në këtë drejtim që është në interes të të gjitha vendeve nga rajoni ynë apo do ta shpenzojë atë energji në fshirjen e mbiemrave dhe shtesave është jashtëzakonisht çështje e vendimit të tyre. Dëshirojmë të shohim se energjinë do ta fokusojnë në të parën, ndërsa jo në të dytën”, tha Poposki në brifingun e sotëm me gazetarët.

Ndërkohë punohet në atë që në sesionin e tretë nga Dialogu qasës në nivel të lartë më 17 shtator vendi të dërgojë sa më shumë rezultate.

“Vlerësimet tona janë se RM-ja nga marrja e rekomandimit për fillimin e negociatave me BE-në me çdo vit të ardhshëm është gjithnjë e më e përgatitur dhe ky është argumenti i ynë më i fuqishëm për heqjen e asaj politike të bllokadave, e cila na është imponuar”, tha Popovski, i cili pret raport objektiv në tetor.

Ai nuk e përjashton mundësinë që Maqedonia të kërkojë pranim në KB nën emrin kushtetues në Asamblenë e ardhshme të përgjithshme të Organizatës botërore.

Javën e ardhshme shefi i diplomacisë do ta shoqërojë persidentin Ivanov gjatë vizitës së tij në Bruksel, ku janë planifikuar takime me kryetarin e Këshillit Evropian Herman van Rompuj, me kryetarin e parlamentit Evropian Martin Shulc, me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike Anders Fog Rasmusen dhe me Shtefan Fylen, eurokomisar për zgjerim të Unionit. (INA)



Thursday, August 30, 2012

Liga e Kampioneve, katër kampionë në një grup

Në Nion të Zvicrës është hedhur shorti i Ligës së Kampionëve për fazën në grupe. Fati ka përcaktuar në një grup Real Madrid, Manchester City, Ajax dhe Borussia Dortmund.

Këta katër ekipe jo vetëm që janë katër emra me shumë peshë por ato janë shpallur kampionë në vendet e tyre respektive në kampionatin e kaluar. Këto ekipe do të garojnë për t'u pozicionuar në vendin e parë ose të dytë pasi ndryshe do të jenë të eliminuarat e Grupit D.

Me shumë fakt kanë qenë në këtë short ekipet italiane. Milan do të ketë në grup Zenit Petersburg, Anderlecht dhe Malaga. Ndërsa Juventus do të jetë në një grup me Chelsea, Shakhtar Donetsk dhe Nordsjaelland.

Grupet e përcaktuara nga shorti:

Group A: Porto, Dynamo Kiev, Paris Saint-Germain, Dinamo Zagreb

Group B: ARSENAL, Schalke, Olympiakos, Montpellier

Group C: AC Milan, Zenit St Petersburg, Anderlecht, Malaga

Group D: Real Madrid, Manchester City, Ajax, Borussia Dortmund

Group E: Chelsea, Shakhtar Donetsk, Juventus, Nordsjaelland

Group F: Bayern Munich, Valencia, Lille, BATE Borisov

Group G: Barcelona, Benfica, Spartak Moscoë, Celtic

Group H: Manchester United, Braga, Galatasaray, Cluj



ISA Boletini pishtar i bashkimit kombëtar

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, kujtojmë njërin prej protagonistëve kryesorë të një Shqipërie të pavarur, atdhe i të gjithë atyre që e konsiderojnë veten mbesa të Teutës dhe stërnipa të Gjergj Kastriotit-Skendërbe — Isa Boletinin nga Mitrovica.

Një figurë ndër më të ndriturat e kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit me shokë, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut.  
Isa Boletini u tradhëtua nga diplomatët francezë dhe pas një qëndrese të fortë, u vra në tradhëti nga xhandarët malazezë së bashku më të afërmit e familjes së tij, Janarin e vitit 1916.  Për fat të keq të saj dhe të kombit,  familja e Isa Boletinit nuk pau dritë dielli as më vonë.  Anëtarët e familjes Boletini të vrarë, të burgosur e të përsekutuar janë me dyzina.  Gjithsejt, sipas  një deklarate dhënë një gazete shqiptare, një nip i Isa Boletinit,  thotë se nga  familja e tij janë vrarë ose ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë janë dënuar me vite të tëra në internim dhe burgjet komuniste.  I vrau serbi e malazezi, dhe i burgosi jugosllavi, por për faqe të zezë të komunistëve shqiptarë, mbi familjen e Isa Boletinit sikur të mos kishte vuajtur mjaft, regjimi komunist i Enver Hoxhës, ushtroi një kalvar të vërtetë duke burgos, duke internuar dhe duke vrarë anëtarët më të afërm të familjes Boletini, siç duket për ''shpërblim'' që për një gjysëm shekulli Isa Boletini dhe familja e tij  bënë vetëm e vetëm, që ''Shqipënia të ishte mirë''.   T’a kujtojmë pra dhe të nderojmë Isë Boletinin, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij personale dhe familjare, e bëri të nderueshëm kombin shqiptar.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi që të përshkruhen ngjarjet historike dhe roli i pazevendsueshëm që luajti Isa Boletini për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar kundër përdhunimeve historike ndaj shqiptarëve nga fqinjtë e përkrahur nga fuqitë e mëdha të kohës, pasi një gjë e tillë do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë.  Deshta vetëm të nënvijoj disa vlera fisnore të kombit shqiptar, nderin e burrërinë — por mbi të gjitha atdhedashurinë — të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve kombit si Isa Boletini, e të cilët shqiptarëve u dhuruan një Atdhe.

Isa Boletinit, Perëndia i kishte falur shumë dhunti të çmueshme.  Mund të thuhet se ai, për kohën kur jetonte, kombinonte vetitë e dy udhëheqësve modern shqiptarë – cilësitë dalluese diplomatike të Dr. Ibrahim Rugovës me aftësitë legjendare ushtarake të Adem Jasharit.   Ai arrijti të luaj, në mënyrë të plotë e të përsosur rolin e një diplomati duke vizituar qendrat e diplomacisë së kohës dhe duke u takuar me përfaqsues të fuqive të mëdha të cilat kishin në dorë fatin e Shqipërisë.  Isa Boletini ishte anëtar i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali, që në Mars të vitit 1913 shkoi në Londër për të kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për shtetin e posa formuar shqiptar.
Isa Boletini duke udhëtuar për në Londër me delegacionin shqiptar

Aubrey Herbert, një diplomat anglez i asaj kohe me përvojë ballkanike, kishte lidhje të ngushta me Shqiptarët, por veçanërisht me Isa Boletinin i cili, sipas tij, ”kalonte orë të tëra në shtëpinë time” gjatë qendrimit të tij në Londër — shkruan në kujtimet e tija se ” Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një përshtypje të shkëlqyer”.   Ai e përshkruan Isa Boletinin si "më të pashmin dhe më i shprehuri i delegacionit'',  duke shtuar se megjithëse Boletini ”ishte i pa shkollë, ai gëzonte një reputacion që e dallonte atë për kurajon dhe trimërinë për të cilat ishte i njohur.   Veprat e tija ishin madhështore dhe arratisjet e tija nga serbët dhe turqit ishin këthyer në legjendë.”   Gjatë takimit me përfaqsuesin e lartë britanik,  Z. Lloyd George, sipas Aubrey Herbert, Isa Boletini iu drejtua përkëthyesit të delegacionit shqiptar, Tonin Prekës duke i thënë:  “Thuaji atij, (Lloyd George) se unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe se unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë."   Dhe me shprehinë që e dallonte Boletinin, ai vazhdoi, "E thuaji, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne Shqipëtarët kemi vuajtur shumë për të harruar.”

Kur Isa Boletini nuk ishte në zyrat e diplomacisë evropiane, ku përpiqej të bindëte Londrën zyrtare dhe kancelaritë e tjera evropiane që të ndalonin ndarjen e tokave shqiptare, ai gjëndej në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze.

Jo vetëm me fjalë dhe me vepra, por edhe me veshën tradicionale  dhe me qeleshe të bardhë në kokë, Isa Boletini ishte, si të thuash me fjalorin e ditëve të sotëme, një reklamë në përpjekje për të bërë sa më të njohur para syve të botës vlerat, kulturën dhe traditën e vjetër të kombit shqiptar.

Sikurë Adem Jashari, edhe Isa Boletini e lidhi jetën e vet dhe të familjes së tij  më në fund duke sakrifikuar  çdo gjë — por mbi të gjitha familjen e tij — për fatin e Atdheut.  Ai nuk e bëri këtë as për ambicje, as për nam, as për ndonjë kolltuk, as për dobi të miqve ose të farefisit – por vetëm e vetëm se me zemër e me shpirt i kishte kushtuar jetën dhe qenjen e tij interesave të Atdheut dhe të kombit.   Këtë ai më së miri e ka shprehur vet duke thënë: ''Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim.   Në është Evropa se nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi.''   Dhe përsëri ai citohet të ketë thënë se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë.  Nuk lypi shpërblime për vete.   Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”

 
Kujtimi më i mirë i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, në këtë përvjetor, do të ishte që e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan të ndërtohet mbi themelet e këtyre vlerave, për të cilat luftoi dhe dha jetën Isa Boletini.  Pasi ata me luftën e tyre për liri e pavarësi, u përpoqën që të plotësonin porositë e Gjergj Kastriotit-Skëndërbe, për një Shqipëri të bashkuar, si një dëshmi e denjë këjo e dinjitetit kombëtar.   Kombi shqiptar ka kaluar nepër një periudhë të zezë dhe shumë të vështirë të komunizmit, që  tronditi themelet e traditës së shëndoshë shoqërore dhe morale të shqiptarit,  pikërisht ato tradita me të cilat Isa Boletini mburrej para botës. 

Ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.   Këjo për më tepër, sepse shqiptarët sot gjënden përballë kushteve të reja kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe të nevojave të natyrshme të cilat kërkojnë plotësimin e tyre.

Le të jetë ky një përvjetor që të frymëzohet nga objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat luftoi dhe sakrifikoi Isa Boletini dhe familja e tij.  Dhe në të njëjtën kohë, të pyesim nëse herojtë si Isa Boletini — të cilët sakrifikuan aq shumë për lirinë e kombit shqiptar– në rrethanat e sotëme, do të ishin të kënaqur me status quonë në trojet shqiptare.  A thua do të ishin të kënaqur për sakrificat e mëdha—personale dhe familjare — që ata kanë bërë, ashtuqë  "Shqipënia të jetë mirë''?



PS: Berisha po e shet pasurinë kombëtare

Deputetja e Partisw Socialiste, Mimi Kodheli, në një konferencë për shtyp ka reaguar ndaj "shitjes" siç e quajti ajo të pasurive publike.

Kodheli mori shkak për këtë deklaratë nga nxjerrja në shitje e tokës që rezulton në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Shitja e pasuruvie publike tha Kodheli po ndodh për të mbushur gropën e zezë të financave të shtetit.

"Në 100-vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, Sali Berisha ka nxjerrë kombin në shitje. Pasi fali plot qindra km katror të hapësirës ujore, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese, sot Sali Berisha parashikon të shesë plot 95 për qind të pronës publike, ku midis të tjerash përfshihen 1.2 milion metër katror toka në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi 500 objekte e asete të tjera, gjithmonë publike", tha deputetja e PS-së.

Kodheli nënvizoi se "sot që flasim pasuritë e shqiptarëve janë duke shteruar si pasojë e abuzimeve e korrupsionit, ekonomia shqiptare është e zhytur në borxhe deri në grykë, ndërkohë që për të mbushur gropën e zezë të financave të shtetit Berisha praktikisht e ka nxjerrë Shqipërinë në shitje". (INA)



Wednesday, August 29, 2012

Shqipëri, pakica maqedonase kërkon ndihmë prej Popovskit

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski sot e ka vizituar komunën "Gollobërdë" të Shqipërisë, në të cilën jeton një pakicë maqedonase.

Në kuadër të kësaj vizite, ministri Popovski ka realizuar takime me përfaqësuesit e lokal të banorëve maqedonas në këtë rajon, posaçërisht me aktivistët e partisë maqedonase në Republikën e Shqipërisë- Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian.

Ai është informuar për aktivitetet e pakicës maqedonase si dhe nevojat e tyre për kultivimin e identitetin maqedonas, kulturor dhe gjuhësor.

Në këtë takime, banorët e kësaj ane kanë  kërkuar përshpejtimin e projektit për lidhjen sa më të mirë infrastrukturore me “Gollobërdën” dhe lidhjen e Maqedonisë me këtë pjesë nëpërmjet vendkalimit kufitar Xhepishtë-Trebishtë.

Në takimin me kryetarin e komunës së Trebishtës, është shfaqur nevoja për të mbështetur komunat e “Gollobërdës” në aplikimin dhe përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar me komunat e Maqedonisë, sidomos në sferën interesit reciprok- zhvillimit ekonomik lokal, zhvillimin e kulturës, mbrojtjes e mjedisit ejt. 

Ministri Poposki gjithashtu ka realizuar një takim me studentët e fshatit  Trebishtë, të cilët janë duke ndjekur kurse shtesë për mësimin e gjuhës maqedonase. (INA)



Diaspora shqiptare në SHBA, tryezë për çështjen mbarëkombëtare

Diaspora Shqiptare në Amerikë e Bashkuar (Albanian Diaspora in America United) më 2 shtator do të organizojë një tryezë me temë: " Çështja mbarëshqiptare për zgjidhje".

Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha organizatave shqiptare në Amerikë, posaqërishtë ato të Nju Jorkut.

"Të gjithë shqiptarët të bashkuar në një Shqipëri Etnike të shprehin mendimin e tyre rreth çështjes sonë mbarëkombëtare. Edhe nëpërmjet rrjetit social shqiptarët kudo që ndodhen mund të japin mendimin e tyre rreth kësaj çështje kaq të rëndësishme", thuhet në njoftim.

Diaspora Shqiptare në Amerikë i fton të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptar në këtë takim historik mbarëkombëtar, ku fjala e tij/saj do të jetë historike për çështjen kombëtare.

Organizatori kryesor i kësaj tryeze është ish-kandidati demokrat për kongresmen, Emin Edi Egriu,  si dhe aktivisti i devotshëm Bashkim Kllobocita. (INA)



SHBA ndihmon Maqedoninë në luftën kundër krimit të organizuar

Të enjten në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e ligjeve në mes të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Me nënshkrimin e këtij dokumenti dhe zbatimin e tijë, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve në Republikën e Maqedonisë,  si dhe  në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndihma u referohet metodave proaktive në hetimin dhe ndjekjen penale efektive, gjetjen,  përgjegjësinë e autorëve dhe dënimin e tyre, dhe për të promovuar sigurinë publike dhe qeverisjen e mirë.
 
Projekti ofron trajnime profesionale, donacion pajisje, mbështetje teknike dhe ekspertiza në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik, ministrin e Drejtësisë, prokurorisë publike, gjyqësor, sidomos gjykatat penale të shkallës së parë.
 
Marëveshjen nga ana e RM-së  do të nënshkrujnë  Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti nga ana e Ministris së Drejtësisë dhe Ministrja  e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska – nga ana eMinistris së Punëve të Brendëshme, ndërkaq nga ana e qeverisë Amerikane do të nënshkruaj  Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Pol Volers. (INA)



Tuesday, August 28, 2012

Shala: Bashkëpunojmë për interes të shtetit

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Shala, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Qeverinë në çështjet e interesit shtetëror, siç janë çështja e veriut, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe reforma zgjedhore.

Këtë përkushtim, Shala ia përcjelli edhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Shala shprehu gatishmërinë e Aleancës për të bashkëpunuar për çështjet e interesit shtetëror, teksa tha se për të gjitha temat duhet punuar gjithmonë bashkërisht në të mirë të qytetarëve. Ai tha më tej se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në Kosovë dhe miqësia e vendosur tash e dhjetëra vjet mes Kosovës dhe SHBA-së do të jetë një kontribut i madh që vendi ynë t'i arrijë të përballet me sprovat e mëdha të cilat e presin.

Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e vlerësoi si shumë të rëndësishëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton RTK. Ajo tha se mbështetja e AAK-së në këtë çështje, sikurse edhe në shumë çështje të tjera, është shumë e rëndësishme.

"Ne biseduam edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen e AAK-së që do të çonte drejt normalizimit të atyre marrëdhënieve. Patëm rastin po ashtu që të bisedojmë edhe për agjendën e cila do të jetë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë që ka të bëjë me reformën zgjedhore", tha Jacobson. (INA)



OSBE, forcon bashkëpunimin me Komunën e Bujanocit

Zëvendësambasadorja e OSBE-së në Beograd, Pola Tidi ka qëndruar sot në Bujanoc,me ç'rast ka zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Bujanocit,Nagip Arifi.

Në këtë takimin në mes Kryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi dhe zëvedës ambasadores së OSBE-së u bisedua për shumë çështje që e tangojnë popullatën e Luginës së Preshevës e në  veçanti komunën e Bujancoit.

Edhe pse kjo ishte hera e parë e Pola Tidi në Bujanoc,  menjëherë pas marrjes së detyrës si zëvendës ambasadore e OSBE-së, ajo kishte arritur që pas takimit  para mediave të përshëndetet  në gjuhët  e bashkësive të  cilët jetojnë në Bujanoc duke filluar nga fjala  " Mirëdita".

Pas takimit, para mediave Kryetari Arifi  tha se në takim është biseduar për bashkëpunimin në  mes pushtetit lokal të Bujanocit dhe OSBE-së,  pastaj  për situatën  politike dhe atë të sigurisë. Ndërkaq theks të veçant në takim i është kushtuar  çështjes  së arsimit.

Arifi  me këtë  rast falënderoi  OSBE-në për kontributin e dhënë në Bujanoc që  nga viti 2001.

Nga ana tjetër Pola Tidi zëvendës ambasadoreja  e OSBE-së shprehi  kënaqësinë e saj  që për herë  të parë   gjendet në Bujanoc. Edhe zv.ambasadoreja vërtetoi dhe garantoi  bashkëpunimin  në mes pushtetit lokal të Bujanocit  dhe organizatës së OSBE-së ngase siç tha ajo, bashkëpunimi  është edhe njëra  ndër prioritet e kësaj organizate.  Kjo ishte vizita e parë e Pola Tidi në Bujanoc që pas marrjes së detyrës si  zëvendës ambasadore e OSBE-së në Beograd. (Rijad Demiri/INA)



Këndi Amerikan i Tetovës, fushatë promovuese në USHT

Këndi Amerikan në Tetovë ka filluar turneun e promovimit të aktiviteteve dhe programeve të reja.

Këtë fushatë promovuese, stafi i Këndit amerikan në Tetovë, i mbështetur edhe Qendra për shërbime studentore dhe karrierë e USHT-së, e filloi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, respektivisht në hapësirat e Fakulteteve Filozofik dhe Filologjik.

Sipas udhëheqësit të Këndit Amerikan në Tetovë, gjatë qëndrimit në USHT, jaqnë promovuar klubet dhe programet e reja që funksionojnë në kuadër të këtij këndi dhe të cilat janë mjaft interesante edhe për studentët dhe mësimdhënësit e USHT-së.

"Në USHT filluam me promovimin e të gjitha shërbimeve falas që ne ofrojmë në dobi të studentëve, pedagogëve si dhe hulumtuesve. Promovuam klubet e reja për avancimin e gjuhës angleze, klubeve për aftësimin e shkathtësive individuale si dhe programet per studime falas në SHBA, theksoi z. Gëzim Sulejmani, Koordinator i këndit Amerikan në Tetovë, duke shtuar se në këtë periudhë risi është edhe "Reading Club" (klubi i leximit) që do të udhëhiqet nga z-sh.Malvina Binjaku, profesoreshë e Fulbrajt programit të SHBA-ve" . Gjatë kohës së promovimit, të gjithë anëtarët e rinj si dhuratë morrin edhe nga libër.

Ndërkohë, profesoresha Binjaku, ka shpalosur detaje të klubit të leximit duke bashkëbiseduar me studentët.Këndi Amerikan në Tetovë, me mbështetjen edhe të Qendra për shërbime studentore dhe karrierë të USHT, ditëve në vazhdim do të realizojë vizita edhe nëpër fakultetet e tjera të disperzuara në Gostivar dhe më pas në Kërçovë. Qëllimi kryesor i këtyre vizitave dhe promovimeve është që shërbimet e Këndit amerikan në Tetovë të afrohen më afër studentëve dhe qytetarëve dhe njëherit ata të bëhen pjesë e urës së miqësisë në mes SHBA-ve dhe popullit tonë. (INA)



Monday, August 27, 2012

Ligji për "branitellat" më 10 shtator në rend dite në Parlament

Projekt – ligji për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrës në konfliktin e 2001 apo të ashtuquajturit “branitellat” do të jetë në rend dite të debatit parlamentar më 10 shtator të këtij viti. Kjo marrëveshje është arritur nga shefat e grupeve parlamentare në takimin e sotëm me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski. 

Ky projekt – ligj pas disa ditëve do të shqyrtohet në komisionin amë për sistem politik, por tashmë kanë shpërthyer tensionet rreth tij brenda koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe BDI. Projekt – ligji i propozuar nga VMRO përjashton të drejtat e ish-pjesëtarëve të UCK-së. Debati rreth ky projekt – ligji vazhdon të mbajë në tension skenën politike në Maqedoni. (INA)



Ahmeti:Të ndjekim shembullin e pajtimit të Gjermanisë dhe Francës

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që garanton pajtimin mes shqiptarëve dhe maqedonasve si dhe të ardhmen e vendit.

Këto komente ai i bëri pas një takimi me Ambasadorin e Federatës Ruse në Maqedoni, z. Oleg Shqerbak.

Kryetari Ahmeti foli rreth tragjedive kolektive të shqiptarëve në Ballkanin perëndimor por edhe për tragjeditë e mëdha që kanë ndodhur në Evropë dhe Rusi gjatë luftës së Dytë Botërore dhe morri shembullin e pajtimit të kombeve të mëdha pas humbjes së miliona jetëve. Ballkani Perëndimor, shpesh i trazuar, duhet të ndjek shembullin e pajtimit të Gjermanisë dhe Francës dhe të hapërojë përpara.

Kryetari Ahmeti theksoi që nuk mund të jetohet në hasmëri të përjetshme dhe që duhet guxim për ti lëvizur proceset përpara.

Lideri i BDI-së foli edhe për çështjen e emrit duke theksuar që palët duhet të kenë qasje racionale ndaj zgjidhjes së problemit dhe të largojnë paragjykimet. Zgjidhja e këtij konteksti sjell paqe dhe siguri të qëndrueshme, por njëkohësisht vendos themelet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.

Ndërkaq, ambasadori Shqerbak theksoi që Federata Ruse synon të bashkëpunojë me të gjitha bashkësitë etnike dhe fetare, pasi që në Rusi bashkëjetojnë 186 bashkësi të ndryshme etnike ku fliten 180 gjuhë dhe njerëzit i takojnë besimeve të ndryshme. Ambasadori gjithashtu sqaroi se Qeveritë dhe qytetarët vendosin rreth anëtarësimit të vendit në organizata ndërkombëtare dhe kjo duhet të vlerësohet.

Federata Ruse është e interesuar të intensifikojë marrëdhëniet ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike me Maqedoninë. (INA)



Në nëntor vendimi për Haradinaj

Tribunali i Hagës, ICTY, pritet të japë vendimin përfundimtar në gjyqin e ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, në nëntor.

Tribunali i Hagës e akuzoi në vitin 2005, Haradinajn, i cili për një kohë të shkurtër ka qenë kryeministër i Kosovës, dhe dy luftëtarë të tjerë të UÇK-së, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, se kanë marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i të cilës ishte të merrnin kontrollin e Kosovës, me akte çnjerëzore ndaj civilëve serbë në kampin e burgimit në Jablanicë.

"Data e saktë e vendimit nuk është deklaruar ende… Por pritet të jepet në nëntor të vitit 2012", tha zyra e informimit të ICTY-së për Gazetën “Jeta në Kosovë”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për zonën e Dukagjinit, Haradinaj, u lirua përkohësisht në mes të korrikut në pritje të vendimit përfundimtar në rigjykimin e tij në Tribunalin e Hagës, pasi gjykata përfundoi me seancat dëgjimore në rastin Haradinaj et al, më 27 qershor. (INA)



Sunday, August 26, 2012

Arrestohet studenti me 35 kg hashash

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 35.9 kg hashash dhe ka vënë në pranga që transportonin lëndën narkotike mariuanë.

Operacioni i policisë është zhvilluar sot gjatë orëve të para të mëngjesit. Personat e arrestuar janë; Esmeraldo Qori, 22-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë, Student në Universitetin Eqerem Çabej Gjirokastër, dega Teknologji -Iformacioni viti i dytë dhe Vladimir Rizvo, 41-vjeç, lindur dhe banues në lagjen Zinxhira të qytetit Gjirokastër, i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike.

Operacioni ka nisur rreth orës 01:00, pas marrjes së informacionit nga policia, se dy të rinj po transportonin me krahë një çantë të madhe shpine të mbushur me lëndë narkotike dhe po lëviznin nëpërmjet kodrave përballë fshatit Lazarat në drejtim të qytetit Gjirokastër.

Menjëherë Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë ngritur shërbime grackë dhe nëpërmjet mjeteve speciale llogjistike i kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e tyre. Rreth orës 02.00 të mëngjezit, dy të rinjtë kanë zbritur nga kodra përballë Lazaratit dhe janë afruar në drejtim të lagjes Zinxhira të qytetit Gjirokastër, ku në zallin e lagjes së Romëve afër një ndërtesë të vjetër, policia ka ndërhyrë duke i arrestuar ata në flagrancë.

Dy personat kishin blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe çantën e madhe të shpinës kur janë afruar ne lagjen e Romeve e kishin hipur në një biçikletë , për të mos rënë në sy .

Grupi hetimor në vendngjarje ka konstatuar se në çantë ndodheshin gjithsej 22 pako , të mbështjella me letër natriban transparent dhe me ngjyrë, ku nga këto 9 pako ishin me peshë 1.1. kilogramë dhe 13 pako kishin mbishkrimin 2 kilogramë dhe peshonin 2 kilogramë secila gjithsej rreth 35.9 kilogramë mariuanë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. (NOA/INA)



40 vatra të zjarrit në Shqipëri

Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, e gjithë Shqipëria është duke u përballur me vatra zjarri, të cilat po shkrumbojnë hektarë të tërë në zonat pyjore të vendit.

Në një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Brendshme, pasditen e së shtunës u njoftua se në të gjithë vendin, mbeten ende edhe 40 vatra aktive zjarri, të shpërndarë në disa rrethe të ndryshme.

Problematike paraqitet gjendja në Berat, ku e përfshirë nga flakët është kodra e Sulmit, në të cilën rrezikohen edhe disa banesa.

Zjarret janë afruar edhe në zonën turistike të Lurës, në Dibër, ku janë lokalizuar dy vatra, ndërsa në të gjithë rrethin ndodhen edhe gjashtë zjarre të tjera.

Ndërhyrja nga ajri gjatë pasdites ka ndihmuar në përmirësimin e situatës dhe shuarjen e disa vatrave, por situata problematike ende nuk është kaluar.

Në Qarkun e Kukësit po digjen pesë zjarre të ndryshme, midis të cilëve më problematikët janë në Qafë Kom dhe në pyjet e Surrojit.

Në Korçë, është vendosur nën kontroll zjarri në pyjet e Voskopojës, por vazhdojnë të digjen hektarë të tëra pyje në Malin e Bardhë.

Në Qarkun e Lezhës, janë katër vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në pyllin e Fanit.

Në Qarkun e Shkodrës, janë aktive nëntë vatra zjarri, tetë prej tyre në zonat pyjore rreth Pukës.

Sidomos alarmuese është situata e flakëve në Orosh dhe në Qafën e Malit, ndërsa një vatër e re është shfaqur tashmë në fshatin Flet.

Në Qarkun e Elbasanit, aktualisht janë aktive gjashtë vatra, ndër të cilat dy në Gramsh dhe tre në Librazhd.

Një ditë më parë, për shkak të një zjarrvënie të qëllimshme në Krrabë u rrezikua rruga kombëtare dhe banesat e fshatit, ndërsa disa hektarë pyje u dogjën.

Në lidhje me këtë ngjarje, dy persona u arrestuan mëngjesin e së shtunës, ndersa zjarri ende vazhdon te jete aktiv. Ne Tirane, ne flake jane edhe pyjet prane fshatit Baldushk.

Në Vlorë mbeten aktive vatrat e zjarrit pranë fshatit Dukat dhe disa zona të tjera malore.

Më parë, gjatë një gushti të mbushur me zjarre të shumtë, si pasojë e temperaturave të larta dhe zjarrëvënieve të qëllimshme, problematike është paraqitur situata në Malin e Dajtit, pranë Dhërmit, pranë qytetit të Beratit, në Gjirokastër, Tepelenë dhe rajone të tjera të vendit.

Ende nuk ka një bilanc të qartë ekonomik të dëmeve të zjarreve, të cilët besohen se kanë një faturë prej të paktën disa milionë eurosh.

20-vjeçari ndërron jetë nga zjarri që vuri vetë

Një bari 20-vjeçari mbeti i asfiksuar nga tymi i flakëve që ndezi vetë pasditen e së shtunës në afërsi të Gjirokastrës.

Haki Manaj ndezi kullotën përballë liqenit të Viroit, por shpejt zjarri doli jashtë kontrollit, duke shtangur vetë bariun.

I paaftë për t'u larguar prej zjarrit, Manaj u asfiksua nga tymi dhe u gjet i pajetë disa orë më vonë nga forcat zjarrëfikëse që mbërritën në zonë. (TCH/INA)



Edhe sot moti i nxehtë, prej nesër bien temperaturat

Në Maqedoni edhe sot do të mbajë mot i nxehtë me temperature të larta dhe me erë të lehtë. Temperatura maksimale do të regjistrohet në 41 gradë Celsius, ndërsa në Shkup dhe rrethinë do të regjistrohet në 40 gradë Celsius.
Edhe sot indeksi i rrezatimit UV pritet të jetë në shkallën e tetë.  Meteorologët paralajmërojnë për nesër rënie temperaturash dhe ndryshim të motit. Parashikimet janë që brenda javës të ketë rënie temperaturash deri në 10 gradë Celsius. Në fund të javës së ardhshme janë parashikuar reshjet e para të shiut, pas thatësirës që ka kapluar vendin.



Saturday, August 25, 2012

Strugë, orë përkujtimore kushtuar poetit Ali Podrimja

"E para ishte fjala" thonë librat e shenjtë- u shpreh në hapjen e kësaj ore përkujtimore ose më mirë të themi homazh për poetin Ali Podrimja, artisti dhe këngëtari Erjon Beci- duke mos fshehur edhe vetë emocionet në ambientet e "Poshka Teatrit" në Strugë.
Në prani të një numri të konsideruar të personaliteteve të letrave dhe fjalës poetike shqipe, ndër të tjerat edhe akademikët: Luan Starova, Mateja Matevski, Alfred Uçi, intelektual dhe pjesëmarrës në festivalin poetik "Mbrëmjet Strugane të Poezisë", moderatori Erjon Beci, ftoi para mikrofonit Akademik Ali Aliun për të mbajtur fjalën e rastit, kushtuar poetit Ali Podrimja.

Duke përkujtuar të pranishmit se poeti Ali Podrimja, ishte shpesh herë në Strugë, qoftë si pjesëmarrës qoftë sy mysafir, Ali Aliu mes tjerash tha: " Falë këtij tempulli të kulturës, (Poshja Teatrit) që shumë qyteteve iu mungon, jemi tubuar sot për nderim të jetës dhe veprës së Ali Podrimes. E njoha Ali Podrimen që më vitin 1959, kur ia botuam poezinë e parë në gazetën "Flaka e Vllazërimit" me titull "Bukuria". Në atë kohë, në Kosovë ishte krijuar një plejadë, një brez  që ishte afirmuar mjaft si p.sh. Azem Shkreli, Fahredin Gunga, Besim Bokshi etj krahas krijuesve më të moshuar si Enver Gjergjeku etj, por Ali Podrimja edhe pse i ri, bëri një sintezë "naimiane-deradiane" që bashkoi brezat dhe poezinë shqipe".

Në vazhdim të fjalës së tij Akademik Ali Aliu theksoi se Ali Podrimja e ndjente se Kosovës i mungon liria, shteti, etj prandaj këtë brengë ai e shprehu në poezinë "Kosova është gjak që nuk falet". "Është poet i veçantë dhe i papërsëritshëm. Ai e kishte në shpirt dramën e shqiptarëve për shtetin e tyre, për lirinë e tyre. Ky homazh dhe prania e juaj  dëshmon se ai është vlerësuar edhe në Strugë, qytet që sot e përkujton. Vlen të theksohet se dy vëllimet kryevepra të Ali Podrimes janë "Torzo" dhe "Lum Lumi" që janë edhe kryeveprat poetike shqipe"-përfundoi Ali Aliu.

Në vazhdim, disa nga poetët  e pranishëm, lexuan poezitë e tyre, në përkujtim të Ali Podrimes: Krenar Zejno, Lindita Agolli dhe Shpëtim Kelmendi nga Shqipëria, të cilët theksuan se Ali Podrimja na ka mësuar sit a duam më shumë gjuhën shqipe..

Ky homazh kushtuar Ali Podrimës, kishte edhe dy momente të veçanta:
Momenti i parë ishte kur Akademik Mateja Matevski e kërkoi fjalën dhe sapo doli në foltore tha: "Unë jam shqiptar dhe në këtë homazh jam shumë i prekur. Pasi kohëve të fundit, këta tre muajt e fundit paksa jamë shkëputur nga dalja në publik, erdha me idene se këtu do ta takoja mikun tim të vjetër, që e njoh nga fillimet e tija, Ali Podrimen!

Mirëpo, kur erdha këtu, kuptova të vërtetën e hidhur dhe kjo më tronditi shumë, që Aliu nuk është më! Ai krijoi në gjuhën e vet personale poetike".
Në fund të fjalës së tij mjaft emocionuese, Akademik Mateja Matevski tha:" mendoj se ky homazh është dashur të mbahet në hotelin "Drim" para një auditoriumi ndërkombëtar poetik. Aliu mbetet gjithmonë në mesin tonë"-përfundoi Mateja Matevski.

Momenti i dytë tejet emocionues ishte dalja para mikrofonit e prof.Dr. Betim Çiço, profesor në fushën e inxhinierisë së kompjuterëve, i cili jo që nuk mundi ti fshehë lotët por as vajin në buzët e burrit si ai.

Tejet i emocionuar, ai mes tjerash tha: "Struga është qytet i vogël por që ka një emër të madh për të gjitha aktivitetet që organizon. Rasti më solli këtu, që të marr pjesë në homazhin e këtij poeti kaq të madh. Kam nja ngjarje që lidhet me te, që nuk do ta them këtu…por jam i kënaqur që një qytet si Struga bën aktivitete të këtilla…". (Prof. Betim Çiço, para disa kohësh, përjetoi një tragjedi familjare, të ngjashme me Ali Podrimen kur e humbi djalin dhe kjo ngjarje që lidhë Betim Çiçon dhe Ali Podrimen, emocionoi të gjithë të pranishmit). (M.Latifi/INA)



Haraçinë, dy të plagosur për një sherr banal në komunikacion

Dy persona janë plagosur me armë zjarri në Haraçinë të Shkupit, pas një zënke banale për mosdhënien e përparësisë në komunikacion në këtë fshat.

Incidenti ka ndodhur në fshatin Haraçinë, kur një person që ka drejtur një traktor ka shtënë me armë zjarri ndaj dy të tjerëve të cilët po udhëtonin me një makinë.

Drejtuesi i traktorit ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë në drejtim të dy personave F.O, 30 vjeç dhe A.A, 45 vjeç të dy nga Haraçina, pasi që ata nuk i dhanë përparësi në komunikacion. Policia ka bërë të ditur se ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po heton incidentin me pasoja. (INA)



Zjarret në katër lokalitete në Maqedoni

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka regjistruar dhe po ndjek katër zjarre masive në disa zona të vendit.

Zjarret masive kanë përfshirë pyjet në afërsi të fshatit Vrazhal të komunës së Zelenikovës, me ç`rast në disa pjesë është vënë zjarri nën kontroll, por terreni i vështirë ka bërë të pamundur lokalizimin e zjarrit.

Zjarri aktiv është regjistruar edhe në komunën Novaci, me ç`rast janë aktivizuar 88 punonjës të zjarrëfikësve të Manastirit dhe Ndërmarrjes së Pyjeve në këtë komunë.

Zjarr ka shpërthyer edhe mbi Vratnicë të komunës Jegunovc në rajonin e Tetovës.

Sipas DMSH-së, zjarri ka përfshirë edhe lokalitetin malor Kopilaçë në fshatin Goshincë të Karadakut të Kumanovës. Bëhet fjalë për përfshirjen e dy hektarëve pyje nga flakët e zjarrit. Zjarri gjithashtu po shtrihet në drejtim të postës ushtarake mbi këtë fshat, në kufirin me Kosovën. (INA)



Friday, August 24, 2012

Orë përkujtimore për poetin Ali Podrimja

Në kuadër të aktiviteteve të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, duke shfrytëzuar ambientet e përshtatshme për këto aktivitete, gjatë ditës së sotme do të mbahet një orë përkujtimore për poetin e ndjerë nga Kosova, Ali Podrimja.

Ky aktivitet, kushtuar jetës dhe veprës së poetit të madh shqiptar, do të zhvillohet në "Poshka Teatër" në ora 14.00.

Për jetën dhe veprën e poetit Ali Podrimja, fjalë rasti do të mbajë Akademik Ali Aliu, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.

Poashtu, në kuadër të kësaj ore letrare, do të promovohet edhe libri më i ri i poetes Delvina Kërluku, me titull "Varg Vese", botuar nga Shtëpia botuese "Serembe". Për librin me poezi të poetes Delvina Kërluku, fjalë rasti do të mbajnë Akademik Ali Aliu dhe poeti e shkrimtari Resul Shabani. (INA)



Tre shtetase shqiptare lëndohen në aksidentin Shkup – Tetovë

Tre shtetase shqiptare janë lënduar rëndë në një aksident që ka ndodhur sot në autostradën Shkup – Tetovë.

Deri tek aksidenti ka pasuar kur një makinë e tipit "Audi A4" që drejtohej nga një banor 25 vjeçar i Çegranit, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mbrojtësen e autostradës, duke u rrokullisur dhe rënë në humnerë.

Në makinë kanë ndodhur edhe tre shtetaset shqiptare, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda. Sipas policisë bëhet fjalë për tre shtetase shqiptare, një grua e moshës 39 vjeç dhe dy fëmijë të moshave 16  dhe 10 vjeç.

Të lënduarit menjëherë janë dërguar në Klinikën e Tetovës dhe pas ndihmës së shpejt janë lëshuar për trajtim mjekësor shtëpiak. (INA)



RDK: VMRO po mohon dhe përbuzë UÇK-në

Sipas RDK, tensionet e fundit në relacionin VMRO-BDI qe arrijnë kulminacionin me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit për "Branitelat" e vitit 2001, janë artificiale dhe për motive të marketingut politik.

RDK përmes një deklarate me shkrim thotë se,  është e bindur se përkundër prononcimeve të zyrtarëve më të lartë të BDI dhe të VMRO, këta partnerë politikë nuk do të vendosin të shpërbëjnë shumicën aktuale qeveritare dhe nuk do të shpallin zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Arroganca politike e VMRO-së, mohimi dhe përbuzja e  UÇK-së dhe mospërfillja e dëshmorëve shqiptarë  të vitit 2001 nga kjo parti, përkundër tërheqjes politike të  BDI-së nëpërmjet kërkim fajles të ministrit të mbrojtjes verifikojnë edhe njëherë etnonacionalizimin e VMRO në raport me shqiptarët në Maqedoni", thuhet në deklaratën e RDK-së.

RDK mbron qëndrimin e saj konsistent  se  të dy partitë qeveritare  nuk kanë alternativë për zëvendësim të partnerëve aktualë në kuptim të ruajtjes së shumicës  qeveritare ose krijimit te partneriteteve të reja strategjike.

RDK është e bindur se qeveria aktuale VMRO-BDI është qeveri pa legjitimitet politik dhe ndëretnik dhe qeveri e cila evidenton dështime serioze  në veçanti  në agjendën e saj ekonomike–sociale dhe të integrimit euroatlantik.

RDK përsërit se  është e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ripërsërit qëndrimin e saj se opsioni më i mirë për vendin është organizimi i zgjedhjeve të përbashkëta  parlamentare dhe lokale gjatë muajit mars të vitit 2013.

"Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të ketë një synim madhor dhe strategjik dhe ai synim është që nëpërmjet një qeverie teknike të koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001, të arrihet unitet nacional për arritjen e kompromisit për zgjedhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe krijimin e kushteve të barabarta për konkurrim për të gjithë subjektet politike. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nga qeveria aktuale në esencë do të thotë përsëritje e manipulimeve zgjedhore paraprake me listat zgjedhore dhe konkurrim të pabarabartë dhe në masë të konisderueshme  do të efektuonte ripërsëritje të rezultatit zgjedhor  paraprak", thuhet më tej në deklaratë.

Sipas këtij subjekti politik, çdo alternativë tjetër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme  gjatë këtij viti do të ishte marrëzi e madhe në këtë  krizë të madhe, humbje edhe të një viti dhe çuarje e vendit në humnerë të sigurt, ngjashëm si me Greqinë. (INA)



Orë përkujtimore për poetin Ali Podrimja

Në kuadër të aktiviteteve të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, duke shfrytëzuar ambientet e përshtatshme për këto aktivitete, gjatë ditës së sotme do të mbahet një orë përkujtimore për poetin e ndjerë nga Kosova, Ali Podrimja.

Ky aktivitet, kushtuar jetës dhe veprës së poetit të madh shqiptar, do të zhvillohet në "Poshka Teatër" në ora 14.00.

Për jetën dhe veprën e poetit Ali Podrimja, fjalë rasti do të mbajë Akademik Ali Aliu, njofton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.

Poashtu, në kuadër të kësaj ore letrare, do të promovohet edhe libri më i ri i poetes Delvina Kërluku, me titull "Varg Vese", botuar nga Shtëpia botuese "Serembe". Për librin me poezi të poetes Delvina Kërluku, fjalë rasti do të mbajnë Akademik Ali Aliu dhe poeti e shkrimtari Resul Shabani. (INA)



Tre shtetase shqiptare lëndohen në aksidentin Shkup – Tetovë

Tre shtetase shqiptare janë lënduar rëndë në një aksident që ka ndodhur sot në autostradën Shkup – Tetovë.

Deri tek aksidenti ka pasuar kur një makinë e tipit "Audi A4" që drejtohej nga një banor 25 vjeçar i Çegranit, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mbrojtësen e autostradës, duke u rrokullisur dhe rënë në humnerë.

Në makinë kanë ndodhur edhe tre shtetaset shqiptare, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda. Sipas policisë bëhet fjalë për tre shtetase shqiptare, një grua e moshës 39 vjeç dhe dy fëmijë të moshave 16  dhe 10 vjeç.

Të lënduarit menjëherë janë dërguar në Klinikën e Tetovës dhe pas ndihmës së shpejt janë lëshuar për trajtim mjekësor shtëpiak. (INA)



RDK: VMRO po mohon dhe përbuzë UÇK-në

Sipas RDK, tensionet e fundit në relacionin VMRO-BDI qe arrijnë kulminacionin me futjen në procedurë parlamentare të Ligjit për "Branitelat" e vitit 2001, janë artificiale dhe për motive të marketingut politik.

RDK përmes një deklarate me shkrim thotë se,  është e bindur se përkundër prononcimeve të zyrtarëve më të lartë të BDI dhe të VMRO, këta partnerë politikë nuk do të vendosin të shpërbëjnë shumicën aktuale qeveritare dhe nuk do të shpallin zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Arroganca politike e VMRO-së, mohimi dhe përbuzja e  UÇK-së dhe mospërfillja e dëshmorëve shqiptarë  të vitit 2001 nga kjo parti, përkundër tërheqjes politike të  BDI-së nëpërmjet kërkim fajles të ministrit të mbrojtjes verifikojnë edhe njëherë etnonacionalizimin e VMRO në raport me shqiptarët në Maqedoni", thuhet në deklaratën e RDK-së.

RDK mbron qëndrimin e saj konsistent  se  të dy partitë qeveritare  nuk kanë alternativë për zëvendësim të partnerëve aktualë në kuptim të ruajtjes së shumicës  qeveritare ose krijimit te partneriteteve të reja strategjike.

RDK është e bindur se qeveria aktuale VMRO-BDI është qeveri pa legjitimitet politik dhe ndëretnik dhe qeveri e cila evidenton dështime serioze  në veçanti  në agjendën e saj ekonomike–sociale dhe të integrimit euroatlantik.

RDK përsërit se  është e përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ripërsërit qëndrimin e saj se opsioni më i mirë për vendin është organizimi i zgjedhjeve të përbashkëta  parlamentare dhe lokale gjatë muajit mars të vitit 2013.

"Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të ketë një synim madhor dhe strategjik dhe ai synim është që nëpërmjet një qeverie teknike të koalicionit të gjerë, ngjashëm si në vitin 2001, të arrihet unitet nacional për arritjen e kompromisit për zgjedhjen e çështjes së emrit me Greqinë dhe krijimin e kushteve të barabarta për konkurrim për të gjithë subjektet politike. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nga qeveria aktuale në esencë do të thotë përsëritje e manipulimeve zgjedhore paraprake me listat zgjedhore dhe konkurrim të pabarabartë dhe në masë të konisderueshme  do të efektuonte ripërsëritje të rezultatit zgjedhor  paraprak", thuhet më tej në deklaratë.

Sipas këtij subjekti politik, çdo alternativë tjetër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme  gjatë këtij viti do të ishte marrëzi e madhe në këtë  krizë të madhe, humbje edhe të një viti dhe çuarje e vendit në humnerë të sigurt, ngjashëm si me Greqinë. (INA)



Thursday, August 23, 2012

Xhaferri: Strategji e re për zbatimin e MO-së

Zëvendës kryetari i Qeverisë së Maqedonisë Musa Xhaferri sot ka pritur ambasadoren e Mbretërisë së Holandës Mariet Shurman.

Gjendja aktuale në vend, proceset integruese-anëtarësimi në NATO dhe BE, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ishin temat për të cilat bashkëbiseduan zëvendëskryeministri Xhaferri dhe Ambasadorja znj.Shurman.

Zëvendëskryeministri Xhaferri e njohu ambasadoren e Mbretërisë së Holandës me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në veçanti me Raportin e përgatitur nga Sekretariati dhe miratuar nga Qeveria e RM-së që ka të bëjë me implementimin e këtij dokumenti gjatë 10 viteve të kaluar.

"Raporti është obligim që buron nga dialogu i nivelit të lart që Maqedonia zhvillon me Bashkimin Evropian dhe  i njëjti është dorëzuar në Bruksel", theksoi Xhaferri, duke shtuar se ky raport do të jetë bazë e Strategjisë së re për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në dekadën e dytë nga ku do të nxirren detyrat operative.

Ai gjithashtu theksoi se pajtimi ndëretnik dhe marrëdhëniet e mira ndëretnike mbeten bazë e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Ai përsëriti qëndrimin e Qeverisë se anëtarësimi i vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE mbetet prioritet dhe se në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan edhe Marrëveshja e Ohrit.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës Mariet Shurman potencoi se vendi i saj mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në BE duke veçuar rëndësinë e dialogut  të lartë që zhvillohet me Bashkimin Evropian. Ajo përkujtoi se nevojitet zbatimi i obligimeve që burojnë në procesin e integrimit dhe të arrihen  rezultate konkrete në sferën e sundimit të së drejtës, marrëdhënieve ndëretnike, lirisë së mediave si dhe në sfera tjera.

Duke folur për situatën aktuale politike, bashkëbiseduesit konstatuan se partnerët e koalicionit qeveritar duhet të dëshmojnë guxim politik dhe lidership për të tejkaluar krizën politike që Republika e Maqedonisë të mbetet në kursin e duhur drejt integrimit evropian.  Në këtë takim u vlerësua lart bashkëpunimi në mes Ambasadës së Holandës dhe Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, bashkëpunim ky që karakterizohet me bashkëpunimin e mirë që kanë dy vendet. (INA)



AAK s’bën koalicion pa Ramushin

AAK s'bën koalicion pa Ramushin

AAK-ja i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur deklaratat e tyre qesharake.

Anëtari i kryesisë së AAK-së Besnik Tahiri i ka vlerësuar të ulëta deklarimet e "Vetëvendosjes", njofton KTV. Ndërsa duke folur për mundësinë e përfshirjes së AAK-së në koalicionin qeverisës, Tahiri ka thënë se kjo nuk do të ndodhë kurrë derisa ish-kryeministri Ramush Haradinaj të mos jetë kthyer në Kosovë./Koha/Lajmetsot/



S’ka marrëveshje të re për presidenten

S'ka marrëveshje të re për presidenten

Liderët e tri subjekteve politike, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR), vështirë se do të bien në ujdi që të arrihen votat e mjaftueshme për të miratuar reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore.

Një ditë më parë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar që para se të mbahet seanca plenare ku do të sillen për miratim amendamentet kushtetuese dhe ligji i ri i zgjedhjeve, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli ta arrijnë një marrëveshje për amendamentet kushtetuese që parashohin të drejtat dhe kompetencat e presidentit.

Kjo kërkesë e kryeparlamentarit ka ardhur pas paralajmërimit të drejtuesve të LDK-së se nuk do t'i votojë amendamentet kushtetuese nëse nuk respektohet marrëveshja për presidenten, e cila nënkupton largimin e Jahjagës, ose dorëheqjen e saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i ka thënë "Zërit" se nuk ekziston asnjë gjasë që lideri i kësaj partie, Isa Mustafa të ulet në tavolinën e bisedimeve me Thaçin e Pacollin për të arritur marrëveshje të re me të cilën deputetët e LDK-së do t'i thoshin "po" miratimit të amendamenteve./Zeri/Lajmetsot/



BDK: Jo ligj për “branitellat” pa statusin për UÇK-në

Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) ka apeluar se nuk mund të kalojë ligj për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë gjatë konfliktit të vitit 2001, pa përfshirjen e zgjidhjes për statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

"Si parti politike shqiptare, kërkojmë nga partia shqiptare në pushtet BDI, me çdo kusht të pamundësoj miratimin e një ligji të tillë dhe të mos lejoj që përkulja e pjesëtarëve të ARM-së dhe Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Besimi, para emblemës së UÇK-së në Sllupçan, të jet një alibi që VMRO-DPMNE tu shtoj benificionet e ish-pjesëtarëve maqedonas të ashtuquajtur branitella, ndërsa ish pjesëtarët e UÇK-së, Familjet e Dëshmorëve, dhe invalidët e UÇK-së të injorohen.  Ndërsa nëse ligji në fjalë miratohet vetëm me votat e partive maqedonase, atëherë BDI duhet të braktis qeverinë dhe në koordinim me subjektet tjera shqiptare të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm drejt shpalljes së njësisë federale shqiptare", apelon BDK e Hysni Shaqirit. (INA)



DR: Ligji për “branitellat” destabilizon Maqedoninë

Demokracia e Re (DR) përmes një deklaratë me shkrim thekson se, gjendja e rënduar në Maqedoni nga kriza gjithnjë e më e thellë ekonomike dhe sociale si dhe nga tensionimi gjithnjë e më i madh i raporteve ndëretnike dhe ndërfetare si duket po përkeqësohet në skajshmëri nga ngjarjet e fundit që ndërlidhen me konfliktin e vitit 2001.

DR vlerëson se, "në ndërkohë që kryeministri dhe partia politike të cilën ai udhëheq nxisin acarimin e marrëdhënieve ndëretnike jo vetëm me përpjekjet për anatemim të ministrit të mbrojtjes për rastin e Slupçanit por me kërcënimin se do të propozojnë një ligj të veçantë për "branitelat" , partia shqiptare në qeveri duhet patjetër të këmbëngul për miratimin paralel të një ligji edhe për ish pjesëtarët e UÇK të cilët në fakt duhet të quhen çlirimtarë dhe fitimtarë të konfliktit 2001".

"Ligji për zgjidhjen definitive të statusit të dëshmorëve, invalidëve, dhe familjeve shqiptare të dëmtuara në konfliktin e vitit 2001 nuk është një nder që duhet tju bëhet këtyre personave  por është meritë e tyre ndërsa mbetet obligim për çdo qytetar shqiptar, subjekt politik dhe asociacon që të vihet në mbrojtje të këtyre të drejtave hyjnore. Ky ligj nuk kërkon ti bësh favore dikujt në dëm të tjerëve, prandaj në kohën kur VMRO kërkon miratimin e ligjit për "branitelat" BDI nuk duhet të lëshojë pe nga miratimi i  një ligji të ngjashëm për ish ushtarët e UÇK. Çdo qëndrim tjetër i këtij subjekti do të llogaritet vetëm si përfshirje në pazarllëqe të turpshme që lëndojnë  ndjenjat e çdo qytetari shqiptar",thuhet në deklaratës e DR-së.

Sipas këtij subjekti politik, VMRO në qeveri dhe  LSDM në opozitë duhet të vetëdijesohen, se të sjellësh një ligj në mbrojtje të vetëm njërës palë të involvuar në konfliktin e vitit 2001 nuk është e drejtë, ashtu siç nuk është e drejtë dhe zgjuarsi që në një shtet multietnik të përpiqesh të fitosh simpatinë e një pjese të elektoratit përmes politikave nacionaliste dhe sjelljeve shoviniste.

"Çfarë nuk është e drejtë nuk mund të jetë as  edhe e mirë dhe aq më pak nuk mund të sigurojë stabilitet në një shtet të brishtë siç është Maqedonia",thuhet në fund të deklaratës. (INA)



Cërvenkovski: Zgjedhjet parlamentare në pako me ato lokale

Lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM, Branko Cërvenkovski theksoi se në rast se partitë e koalicionit qeverisës vendosin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë më së mirë është që ato të mbahen së bashku me zgjedhjet lokale. 

“Dua që të mbijetojë koalicioni midis Gruevskit dhe Ahmetit që të mundet qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme ti dënojë për politikën e keqe të qeverisjes”, deklaroi Cërvenkovski pas takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan, Filip Riker. 

Sipas tij, koha më logjike për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve duhet të jetë marsi, kur duhet të caktohen zgjedhjet lokale.  Ai shtoi se cështja për zgjedhje të parakohshme ka qenë gjithmonë opsion i hapur për LSDM. (INA)



Filluan Mbrëmjet Strugane të Poezisë

Me mbjelljen tradicionale të drurit në  Parkun e poezisë në Strugë, nga ana e laureatit të sivjetëm të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, poetit nga Afrika e Jugut, Dr. Mongane Ëally Serote(Mongane Vali Serota), simbolikisht filluan MSP.

Gjatë ceremonisë së mbjelljes së drurit në Parkun e poezisë, ishin tubuar shumë poet, krijues, pjesëmarrës në MSP dhe qytetar të shumtë, e ndër ta edhe poeti laureate i vitit të kaluar, Akademik Mateja Matevski.

Në fjalën e tij të rastit, Dr. Mongane Ëally Serote, i cili paraprakisht ishte pritur nga kryetari i komunës së Strugës,- theksoi se: "Gjatë këtyre katër ditëve të qëndrimit të tij në Strugë, ai do të jetë kryetar i komunës së Strugës", gjë e cila i është thënë nga ana e kryetarit të komunës, në shenjë respekti dhe nderimi për laureatin e sivjetëm të MSP, poetin nga Afrika e Jugut, Dr. Mongane Ëally Serote.

Më pas, në sallën e press konferencave në hotelin "Drim", Dr. Mongane Ëally Serote dha një konferencë për gazetar.

Gjatë prezantimit të laureatit të sivjetëm para gazetarëve, kryetari i Këshillit Drejtues, Sllave Gjorgje Dimoski, theksoi se përkundër faktit që Afrika e Jugut është vend i largët, ky është rast që të afrohen dy popuj përmes poezisë.

Drejtori i festivalit poetik,  Mite Stefoski, në fjalën e tij të rastit theksoi se sivjet do të përpiqen që të bëjnë ca ndryshime dhe risi, duke ruajtur dialogun ndërmjet civilizimeve përmes poezisë.

Laureati Dr. Mongane Ëally Serote mes tjerash tha: "Është privilegj dhe nderë që nga një vend i largët, përmes festivalit Mbrëmjet Strugane të Poezisë, ai nderohet me këtë çmim të lartë.  Ne gati 300 vjet luftojmë për liri dhe barazi të plotë, për të drejtat tona të cunguara. Lufta për liri dhe të drejta në vendin tim ka zgjatur deri në vitin 1994, kur për herë të parë disa njerëz kanë mundur të votojnë. Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën kur u bëmë të barabartë me të tjerët, që rezultoi me bëmjen e Afrikës së Jugut një shtet tejet funkcional".

Në vazhdim të fjalës së tij të zgjatur, ai shtoi: "Për jetën në Afrikën e Jugut janë shkruar shumë poezi, romane etj, dhe unë tani në institucionin ku punoj u sugjeroj njerzve që të besojnë gjithnjë në një të ardhme gjithnjë e më të mirë".

Sa i përket  çmimit "Kurora e Artë e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë", Dr. Mongane Ëally Serote shtoi: " Ky çmim , ose më mirë të them këtë çmim ia jepni popullit tim . Tani unë jamë bërë sy e veshë, për të përcjellur atje këto që shof këtu. Kur do të këthehem me bashkëshorten time atje, do të më pyesin se ku gjindet Maqedonia"-përfundoi Dr. Mongane Ëally Serote fjalën e tij, për ti lënë vend edhe pyetjeve të shumta të gazetarëve të pranishëm. 

Ndër aktivitetet që do të zhvillohen në orët në vazhdim, po përmendim ndarjen e një çmimi Grand-Prix, nga Akademia "Mihail Eminesku" nga Rumania, për ministreshën e kulturës, Dr. Elizabeta Kançeska-Milevska, në ambijentet e shtëpisë përkujtimore të Vëllezërve Milladinovci, ndërkaq ministresha Dr. Elizabeta Kançeska-Milevska, do të organizojë një pritje për poetët pjesëmarrës dhe të ftuarit e festivalit MSP, në ambijentet e hotelit "Drim" me fillim në ora 19.00.

Hapja solemne e festivalit është paraparë që të zhvillohet në ora 20.30, me deklamimin e poezisë së Dimitrije Milladinovit, "Malli për jugun", që sivjet pas shumë e shumë viteve do të deklamojë një nga pasardhësit e familjes Milladinovi-Riste Milladinov. 

Vlen të theksohet se sivjet, me përzgjedhjen e poetes Puntorie Muça-Ziba, në këtë festival poetik janë ftuar edhe 12  poet shqiptar nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria. Nga Maqedonia janë ftuar pos selektores Puntorie Muça-Ziba edhe poetët: Xheladin Muça, Bexhet Asani, Nuhi Vinca, Nehas Sopaj, Sadije Aliti, Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani.  Nga Kosova është ftuar Basri Çapriqi, ndërsa nga Shqipëria janë ftuar: Krenar Zejno, Shpëtim Kelmendi dhe Mimoza Rexhvelaj. 

Festivali i sivjetëm i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, ka edhe një të veçntë tjetër, sepse regjisor i festivalit është regjisori Xheladin Poshka, tashmë i punësuar në MSP, ndërsa skenografinë e ka bërë skenografi shqiptar Besart Kolonja-skenograf i diplomuar, poashtu i punësuar në MSP. (INA)



Për Veselin e SHIK-ut, PDK-AAK ruan imazhin e hajnisë

Për Veselin e SHIK-ut, PDK-AAK ruan imazhin e hajnisë

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, nuk është në favor të një koalicioni të ngushtë PDK-AAK. Kështu ka thënë një burim i afërt me Veselin, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke komentuar informatat e publikuara nga "Koha Ditore", sipas të cilave AAK-ja është e gatshme të hyjë në koalicion me Hashim Thaçin me kusht që njerëzit e SHIK-ut të mos marrin kryesimin e PDK-së, burimi ka thënë se përfshirja në strukturat udhëheqëse të PDK-së e Kadri Veselit dhe e të tjerëve që kanë punuar në SHIK, nuk është diçka që mund ta përcaktojë AAK-ja apo ndonjë parti tjetër.

"Këto do të vendosen nga strukturat e PDK-së, në procesin zgjedhor që duhet të nisë shumë shpejt, këtë vjeshtë", ka thënë burimi, duke insistuar se vetë Veseli "ende është duke u hamendur" sepse "ai do që të përfshihet në PDK vetëm nëse do të mund të ndikonte në ndryshime pozitive brenda partisë", të cilat, shton burimi, "janë të domosdoshme, nëse PDK-ja do që të mbetet partia numër një".

Burimi i gazetës i ka përmendur tri arsye pse Veseli, por edhe njerëz të tjerë në zë brenda PDK-së, nuk e duan koalicionin vetëm me AAK-në, por insistojnë në një koalicion më të gjerë qeverisës./Koha/Lajmetsot/



Wednesday, August 22, 2012

Zvicra 24 orë do t`i shqyrtojë kërkesat e azilkërkuesve nga Ballkani

Autoritetet zvicerane të emigracionit për dy ditë do të shqyrtojnë kërkesat për azil të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo u bë e ditur sot nga Byroja zvicerane për emigracion, e cila informoi se procedura për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi do të zgjas vetëm 48 orë dhe jo më shumë dhe do të vendoset për deportimin ose vendim tjetër. Kjo zyrë ka vlerësuar se këto vende hyjnë në listën e vendeve të sigurta dhe nuk ka nevojë për procedura të stërzgjatura.

Sipas statistikave të fundit të emigracionit në Zvicër, në muajin korrik 210 qytetarë nga Maqedonia ka aplikuar për statusin e azilit, dhe se ky vend u radhit i treti pas Eritresë dhe Nigerisë, derisa nga Serbia ka pasur 187 kërkesa. Numri më i madh i azilkërkuesve nga Maqedonia janë të komunitetit rom.

Nga fillimi i vitit 2012 kanë aplikuar mbi 4.500 veta për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo janë pranuar vetëm 20 kërkesa. Pas refuzimit të kërkesave, azilkëruesit nga Ballkani mund të bëjnë ankesën e tyre në Gjykatën Federale Administrative të Zvicrës. (INA)



Besimi: Nuk kërkova falje për homazhet në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së

(E Plotësuar) Ministria e Mbrojtjes e Republikës të Maqedonisë drejtoi sot demant të ashpër mediave të caktuara se në konferencën e sotme ministri i mbrojtjes Dr. Fatmir Besimi ka kërkuar falje për vendosjen e luleve në Sllupçan

"Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë ka shprehur keqardhje për ndjenjat nëse dikush është ofenduar nga veprimi i tij, por në pres konferencë dhe tani thekson se edhe në të ardhmen është i gatshëm ta bëjë të njëjtën, gjithmonë kur bëhet fjalë për pajtim mes të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe për ardhmërinë e tyre të ndritshme dhe për këtë nuk mendon të kërkojë falje. Deklarata e tij është nxjerrë tërësisht jashtë konteksti nga disa mediume të caktuara dhe për këtë jua dërgojmë deklaratën e tij të plotë", theksohet në komunikatën e ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes bën thirrje që procesi i mëtejshëm i punës së Ministrisë së Mbrojtjes të mos ngarkohet me dezinformata të ashpra dhe shpekulime duke patur parasysh atë se për ngjarjen në Sllupçan është i njohur qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i njëjti nuk ka ndryshuar. Para Ministrisë së Mbrojtjes qëndrojnë obligime serioze për vazhdimin e procesit të reformave dhe integrimeve euroatlantike. (INA)

13:23 – Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi sot ka shprehur keqardhje në rast është keqkuptuar lidhur me aktin e homazheve me pjesëtarët e ARM-së pranë varrezave të dëshmorëve të UÇK-së. 

Ai këtë e ka theksuar në një brifing pas takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan Filip Riker, duke nënvizuar se nuk ndjehet pishman për këtë akt të bërë. 

“Qëllimi im gjithmonë ka qenë dhe mbetet që të përfaqësojë të barabartë të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe të bëj gjith[ka që është në kompetencë timen për të kontribuar drejt pajtimit të të gjitha bashkësive etnike. Pajtimi është një akt i rëndësishëm në Maqedoni, sidomos për të dyja palët e involvuara në konfliktin e vitit 2001. Besoj se ARM mundet më së miri të udhëheq këtë proces të shërimit të plagëve të së kaluarës dhe të kontribojë për ndërtimin e një Maqedonie të përbashkët”, deklaroi ministri Besimi, duke shtuar se në këtë frymë ka qenë edhe vendosja e luleve në Sllupcan që u realizua javën e kaluar. 

Ndërkohë, edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan për Evropë dhe Evroazi, Filip Riker përshëndeti deklaratën e ministrit Besimi. “Përshëndes fjalët e ministrit për pajtimin, për shkak se kjo gjithmonë nuk është e lehtë. Sipas përvojave të SHBA-ve, armata jonë ishte një themel që kontriboi për ndërtimin e shoqërisë sonë dhe aspiratës për ndërtimin e një shoqërie më të përkryer në të ardhmen. Ministria e Mbrojtjes dhe forcat e armatosura ishin në vijat e para të integrimit të vendit tonë dhe krijimit të mirëbesimit”, deklaroi Riker, duke shtuar se mirëbesimi është në frymën e NATO-s. 

Ai përsëriti mbështetjen që SHBA i jep Maqedonisë për anëtarësim në Aleancë.  (INA)

 



Pack: Stop gangsterëve në veriun e Kosovës

"Gangsterët e çmendur në veri të Kosovës duhet të ndalen", kështu ka deklaruar eurodeputetja gjermane Doris Pack.

"Gangsterët e çmendur në veri të Kosovës duhet të ndalen. Ata nuk kanë të bëjnë shumë me politikën nacionaliste, ata e njohin vetëm krimin. Këtë e dinë të gjithë, madje e pranojnë edhe politikanët në Beograd. Prandaj është në interesin e të gjithëve që ata të ndalohen", ka thënë Doris Pack për Radio Dukagjinin. (INA)



Tuesday, August 21, 2012

Pele: Neymar do bëhet më i mirë se Messi

Pele vazhdon me deklaratat e tij në përkrahje të talentit brazilian Neymar dhe krahasimet me Leo Messin.

"Maradona ka luajtur shumë mirë me këmbën e majtë por që ishte i dobët me kokë Messi është tërësishtë një kopje e tij. Neymar do të bëhet më i fortë se të 2 argjentinasit.

Ai di të luaj mirë me të dy këmbët dhe luan shumë bukur me kokë" deklaroi Pele.



Edhe Liverpool pas Kaka

Jo vetëm Manchester United është në garë për Leite Kakan. Orëve të fundit po flitet një transferim i Kakas te Liverpool. Skuadra angleze është e interesuar që ta huazoj Kakan për një edicion.

Thuhet se Jose Mourinho i ka propozuar Kakas që të zgjedhë Liverpoolin pasi që do të bisedojë me trajnerin Rodgers dhe do ti flet për kualitetet e brazilianit.

United ditë më parë shprehu interesimin për huazimin e Kakas por që ende nuk ka ndonjë përgjigje nga Real Madrid.



RDK: Propozim-ligji për "branitelat" rindez konflikte në Maqedoni

Propozim ligji për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë  dhe familjeve të tyre, i futur në procedurë parlamentare me propozim të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, edhe një herë nxjerr në pah politikën populiste dhe në thelb antishqiptare të qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ky reagim vjen nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK).

Kjo parti shpreh bindjen e thellë se ky veprim i qeverisë nuk kontribuon në përmirësimin e ambientit politik në vend.

RDK vlerëson, iniciativa për ri-miratim të një ligji të tillë, 11 vite pas konfliktit të vitit 2001, ka për qëllim të mbajë të tensionuara marrëdhëniet ndëretnike, veprim ky që mund të sjellë përfitime vetëm për pushtetarët, por jo edhe për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ligji, në frymë dhe germë, është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe, për më tepër, promovon pabarazinë mes qytetarëve duke i ndarë ata në "mbrojtës" dhe "terroristë".

"Fakti se në nenet e tij në mënyrë të thuktë përjashtohen pjesëtarët e UÇK-së dhe të gjithë ata qytetarë jo maqedonas që në një formë apo tjetër kanë qenë viktima të atij konflikti të armatosur, tregon për qasjen ofenduese dhe përjashtuese të këtij propozim ligji. Edhe pse propozimi për miratimin e këtij ligji bazohet në nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, RDK vlerëson se iniciatorët kanë bërë një interpretim të gabuar dhe plotësisht oportun të këtij neni, pasi në asnjë rast 'branitellat' nuk kanë bërë 'luftë nacional – çlirimtare',", thekson RDK.

Sipas kësaj partie, ky ligj vjen si propozim në një kohë kur në radhët e qeverisë së Republikës së Maqedonisë janë shpeshtuar deklaratat me konotacion përçmues dhe ofendues ndaj shqiptarëve, veprime plotësisht të dënueshme për një qeveri multietnike të një shteti multi-etnik.

"Qëndrimet e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski gjatë festimeve të 20 vjetorit të ARM-së, vlerësimet për konfliktin e vitit 2001, të sjella në fjalorin e vitit 2012, s'do mend se janë hapa prapa në përpjekjet për ndërtimin e Maqedonisë si një shtet modern me harmoni ndëretnike dhe vlera perëndimore. Një aspekt tjetër thuajse i pavërejtur, por gjithsesi i rëndësishëm, ka të bëjë edhe me faktin se një pjesë e madhe e barës financiare për zbatimin e këtij ligji i hidhet mbi shpinë pushtetit lokal. Një zgjidhje e këtillë, veç tjerash, nxjerr në pah joseriozitetin e kësaj ndërmarrjeje legjislative si dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet qeveria e Republikës së Maqedonisë në realizimin e buxhetit", thekson RDK.

Sipas partisë së Rufi Osmanit, ky propozim ligj ka për qëllim punësime të reja partiake në administratën shtetërore, që në prag të zgjedhjeve të pranverës 2013 do të kthehen në votues të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar.

RDK i bën thirrje partisë shqiptare në pushtet, që të shprehet qartë dhe prerë kundër miratimit të këtij propozim ligji dhe jo, siç bën zakonisht, të pranojë kompromise naive dhe të lëshohet në interpretime boshe dhe që gjithnjë përfundojnë me zgjidhje sa për sy e faqe të problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Maqedonisë në përgjithësi, apo zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së ne veçanti.

"Shitja e servilizmit si politikë madhore nuk sjell asgjë të mirë për shqiptarët, pasi një qasje e këtillë e BDI-së, dhe jo vetëm asaj në dy dekadat e fundit, ndaj politikës së kryeministrit Gruevski ka përfunduar me zhgënjim ose zgjidhje parciale të kërkesave të shqiptarëve, siç është rasti me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe apo edhe me vetë devalvimin e Marrëveshjes Kornizë së Ohrit", nënvizon RDK. (INA)



Monday, August 20, 2012

Arrestohet me drogë i biri i ish-kreut të Oborrit Mbretëror

Djali i njërës prej figurave më të njohura të kohës së Mbretit Zog, është arrestuar ditën e djeshme në Greqi, me një sasi prej 62 kg lëndë narkotike, heroinë. Izet Ohri, djali i Ali Ohrit, Kryetarit të Oborrit Mbretëror, është vënë në pranga nga policia greke, pas kontrollit të ushtruar në makinën e tij, e cila vinte nga Turqia dhe kishte si destinacion portin e Igumenicës e më pas Italinë. Policia greke bën të ditur lajmin, duke pohuar se droga u kap në orët e para të mëngjesit, rreth 2 kilometra në brendësi të territorit grek. 

Arrestimi 

52-vjeçari Izet Ohri, i cili prej vitesh jetonte në Itali, i divorcuar, me fëmijë, është arrestuar dhe dy herë të tjera, po për të njëjtën vepër penale, në Gjermani dhe Itali. Ohri është prangosur në orët e para të ditës së djeshme, përgjatë autostradës që të çon në qytetin e Igumenicës. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Policia Greke, mësohet se Ohri ka hyrë në Greqi nga pika kufitare e Kiponit dhe pas informacioneve të mbërritura se ai transportonte sasi droge, oficerët e policisë kanë nisur menjëherë punën. Dy kilometra pasi kishte hyrë në tokën greke, forcat e policisë e kanë ndaluar dhe me ndihmën e një qeni, kanë arritur të zbulojnë se brenda 3 bombulash gazi, ishin fshehur 122 pako, me peshë totale prej 61 kg e 935.4 gram lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Përveç sasisë së drogës, policia greke sekuestroi dhe makinën tip “Fiat” me targa italiane, 2200 euro dhe dy telefona celularë. 

Fillimisht, mediat e shtetit fqinj publikuan lajmin se sasia në fjalë e drogës, ishte futur në Greqi nga Shqipëria. Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit Shqiptar, me anë të një deklarate për shtyp, e mohoi këtë fakt. “Nga shkëmbimi i informacionit me autoritetet policore greke rezulton se rreth 2 km në brendësi të territorit grek në kufirin me Turqinë, autoritetet policore greke, kanë sekuestruar një sasi prej rreth 61 kg e 935 gram lëndë narkotike e dyshuar, heroinë, në një mjet “Fiat”, i cili kishte ardhur nga Turqia. 

Hetimet 

Oficerët e policisë së shtetit fqinj, menjëherë pas arrestimit të 52-vjeçarit Ohri kanë nisur hetimet për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin përfundimtar të sasisë së madhe të heroinës. Nga hetimet e para rezulton se sasia e drogës kishte hyrë në Greqi nga Turqia dhe Izet Ohri, pasi të mbërrinte në Igumenicë, do të nisej në drejtim të Italisë, ku dhe mendohet se ishte destinacioni përfundimtar i 62 kg të “Heroinës”. Ndërkaq, hetimet janë duke vijuar dhe në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë linjë trafiku mes Turqisë, Greqisë e Italisë. (GSH/INA)



Durrës, arrestohet shtetasi i Maqedonisë i kërkuar nga Interpoli

Një qytetar nga Maqedonia është arrestuar dje në Durrës, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në bandë të organizuar.

Personi i arrestuar është Tafo Neziroski, 42 vjeç, lindur ne Stugë e banues në Torino Itali, me kombësi dhe shtetësi maqedonase, raporton Noa.

Ai është arrestuar dje rreth orës 08:00, pas kontrollit në Portin e Durrësit, gjatë kthimit nga Italia. Pas verifikimit të të dhënave ka rezultuar se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për shkak të aktiviteti kriminal në France. Gjykata e Apelit në Lion të Francës, në 10 shkurt të këtij viti e ka dënuar me 3 vite burg. (NOA/INA)



Shqiptarët, shembull i tolerancës fetare për të tjerët

Ish-ambasadori i SHBA në Vatikan, profesor në Institutin e Politikave Botërore në Uashington, Thomas Patrick Melady, në një analizë për lirinë fetare në Shqipëri, vlerëson maksimalisht një nga karakteristikat e kulturës dhe traditës shqiptare, tolerancën.

"Në 100 vjet shtet, shqiptarët krah për krah me pragmatizëm fetar",  një analizë mbi lirinë fetare në Shqipëri, Thomas Patrick Melady, profesor në Institutin e Politikave Botërore në Uashington dhe ish-ambasador i SHBA në Vatikan, vlerëson maksimalisht një nga karakteristikat e kulturës dhe traditës shqiptare, tolerancën. Siç transmeton AS, në këtë analizë profesori amerikan thekson se ky aspekt historik dhe i mishëruar në kulturën shqiptare shërben si një shembull i lirisë fetare për vendet e tjera me popullsi kryesisht myslimane. (KD/INA)

 

 



Sunday, August 19, 2012

Volvo S60, makina më e mirë

Një kompani sigurimesh në Shtetet e Bashkuara thotë se disa makina gjysmë luksoze apo thuajse luksoze nuk dolën mirë gjatë përplasjeve provë.

Instituti për Sigurinë në Autostrada – në një deklaratë lëshuar dje – thotë se vetëm 3 nga 11 automjetet fituan vlerësime 'mirë' apo 'pranueshëm'.

TL Acura dhe Volvo S60 fituan vlerësime 'mirë', ndërsa G Infiniti u vlerësua 'pranueshëm'. Instituti i sigurimeve thotë se strukturalisht, Volvo S60 doli si makina më e mirë.

TSX Acura, BMW 3 series, Lincoln MKZ dhe Volksvagen CC fituan vlerësim 'kalueshëm'. Mercedes-Benz C-Class, Lexus IS 250/350, Audi A4 dhe Lexus ES 350 u treguan të dobëta gjatë përplasjeve provë.

Mercedes-Benz tha se nuk ishte dakord me renditjen. Toyota, e cila zotëron markën Lexus, tha se i pranon rezultatet.

Makinat e provuara u përzgjodhën nga modelet e vitit 2012.



Mariza Ikonomi: E shijoj jetë

Nëse të gjithë këngëtarët shqiptarë këndojnë në koncertet që organizohen në Zvicër, Gjermani, Itali e gjithë Europën, deri në USA përpara shqiptarëve, Mariza Ikonomi është nga të paktat këngëtare shqiptare, që vitin e filloi suksesshëm me koncerte përpara një publiku elitar ndërkombëtar. Në qytetet më të njohura të Francës (dhe Europës), ku përveç francezëve, turistë anglezë e rusë u bën pjesë e pulikut të saj që e ka duartrokitur, mirëpritur, komplimentuar dhe vlerësuar artisten shqiptare, me një vokal të jashtëzakonshëm, interpretim të mrekullueshëm dhe me lëvizje që pushtojnë skenën. Është Mariza Ikonomi. E takojmë këto ditë në Tiranën sërish të nxehtë.

Sapo është kthyer nga një studio regjistrimi, ndërsa në krah mban kitarën. Biseda vërtitet tek shumë ngjarje që kanë rrethuar jetën e saj së fundmi. Më tregon për këtë periudhë intensive të karrierës së saj, për planet e reja, këngët që presin të lançohen. Madje, nuk heziton të luajë një prej tyre me kitarë për mua, pa e vrarë mendjen se e shohin njerëzit përreth, në restorantin në të cilin ndodhemi. (Sigurisht, në fund ndodh që e duartrokasin dhe klientët e tjerë). Për më tepër, le të ecim së bashku në këtë intervistë ekskluzive të këngëtares Mariza Ikonomi, për suplementin "Summer Time", të gazetës "Koha Jonë"!

Mariza, si ka nisur ky sezon veror për ty?

Ka qenë një periudhë pushimi, një periudhë ndryshe nga ato që mund të kem përjetuar deri më tani, një periudhë që kurrë nuk do ta ndryshoja dhe krahasoja me ndonjë tjetër. I jam përkushtuar mjaft jetës profesionale, krijimtarisë muzikore. Kam lëvizur, shëtitur, kam parë vende të ndryshme dhe të bukura, sigurisht krah për krah me muzikën, gjithmonë kam qenë aty ku ka qenë edhe muzika ime.

Gjithë kjo eksperiencë do të ketë si konluzion një këngë të re, apo jo?

Po, jam duke punuar për një këngë të re, këngë qe eshtë kompozuar dhe shkruar nga unë. Aktualisht jam duke bërë orkestracionin dhe shumë shpejt do të publikohet, së bashku me një klip.

Çfarë motivi sjell këtë herë, Mariza?

Është një këngë që unë e kam kompozuar për 5 minuta (siç ndodh gjithmonë në fakt, kur unë kompozoj). Është një këngë e ëmbël, një këngë me motive të qeshura, dhe ku çdo njeri mund ta gjejë veten. E kam kompozuar anglisht, dhe po mundohem ta përshtas edhe shqip. Kudo ku e kam kënduar, kam vënë re se edhe të tjerëve kjo këngë ju sillte energji pozitive dhe ka qenë ky impakt dhe insistimi i shumë njerëzve, të cilët kanë insistuar për ta publikuar.

Pavarësisht se po publikon një këngë, kjo nuk është e vetmja?

Sigurisht që nuk është e vetmja. Kam edhe këngë të tjera, një prej tyre e kam kompozuar në frengjisht dhe anglisht, tekstin e ka bërë Eni Zhegu, shoqja ime të cilën do të doja ta falenderoja shumë. Është një këngë që ka prespektivë për t'u bërë një nga këngët e preferuara të publikut, gjatë këtij sezoni, mendoj. Kjo këngë është në një stil që i përshtatet stilit franzez, por kam edhe këngë të tjera rock, e shumë stile të tjera muzkore, të cilat janë përqafuar mjaft nga njerëzit që i kanë dëgjuar në koncertet që kam pasur, si edhe shtëpitë diskografike jashtë vendit. Janë 5 krijime të reja të miat, që janë frymë- zuat pikërisht nga kjo fazë e jetës sime, që janë krejt ndryshe nga ato që kam realizuar deri më tani. Për publikun, tashmë është bërë e njohur e para këngë në frëngjisht e juaja, "15 ans". Ajo flet për një vajzë 15-vjeçare.

Çfarë të lidh ty me personazhin, këngën?

Po, e vërtetë, kënga është pëlqyer mjaft në koncertet ku kam qenë e njerëzit e duan. Është një këngë e stilit rock, quhet "15 ans", "15 vjeç", në shqip, aq sa vjeç është vajza që ka humbur dashurinë. Sado që rritet, ajo gjithmonë do ta shijojë jetën si një 15-vjeçare. Një- soj si unë!

Do të keni aktivitete muzikore në qytetet bregdetare?

Deri më tani nuk kam pasur, pasi po kaloj një kohë me familjen, qenin tim, miqtë, ndërkohë që njerëzit nuk e dinë ende që jam këtu. Gjithsesi, kam në plan disa koncerte në jug të vendit, por edhe në Tiranë e Kosovë.

Po përsa i përket festivaleve?

Kam shumë dëshirë në fakt. Dhe ndoshta, një nga këngët e mia nuk do të jetë çudi, kur ta shihni në ndonjë festival.

Në kryeqytetin francez, Paris, keni dhënë dy koncerte me muzikantin shqiptar, Olen Çezari. Si do t'i vlerësoje?

Oleni për mua eshtë një nga muzkantët dhe violinistët më të mirë të vendit. Kanë qenë emocione shumë të bukura, emocione që rrallë mund t'i përjetosh. Në koncerte gjithmonë ka një plan, por ne u frymëzuam kaq shumë, sa çdo gjë ka qenë improvizim dhe harmonizim me njëri-tjetrin, duke dalë jashtë planit që kishim bërë. Sa herë e kujtoj me shumë emocion dhe kënaqësi.

Keni interpretuar në qytetet turistike të Europës, çfarë emocioni keni marë?

Fillimviti ka qenë i jashtëzakonshëm për mua, sepse kam pasur shumë koncerte dhe oferta, ku përveç Parisit, kam kënduar në Monaco, në Cannes, në Menton, Antibes, ku ka qenë një nga eksperiencat e mia më të bukura, ku ti e ndjen veten vertetë artiste dhe të vlerësuar. Jam ndjerë si një këngëtare europiane, pasi publiku ka qenë francez, rus, anglez dhe shumë vende të tjera të Europës. Me të vërtetë, në atë moment më është dukur se një pjesë e ëndrrës sime më është realizuar.

Çfarë komentesh keni marrë prej tyre?

Pavarësisht se në fillim ishin skeptikë, dhe aty duhet të punosh shumë, për mua nuk ka qenë e vështirë, pasi jam ndjerë vërtetë shumë e përkrahur nga njërëzit dhe m'i kanë vënë në dukje vlerat e mia. Nganjëherë më bëjnë aq shumë komlimente për zërin, sa më duket shumë, apo edhe për lëvizjet, për mënyrën si performoj në skenë, etj.. Çuditërisht, më thonë qe jam edhe e bukur (qesh)

Ilda Lumani Koha Jone



Miss Bota 2012, kinezja Yu Wenxia

Miss kKna, Yu Wenxia, është kurorëzuar sot si Miss Bota 2012 në zonën kineze të Ordos, e vendosur në Mongolinë e brendshme në portat e shkretëtirës së Gobit.

Miss Bota 2011, venezueliania Ivian Sarcos, i ka dorëzuar kurorën Yu-së në stadiumin futuristic të Dongsheng.



Saturday, August 18, 2012

Republika e Malit njeh Kosovën

Republika e Malit njeh Kosovën

Republika e Malit është shteti i 92 i OKB-së, që ka njohur Republikën e Kosovës, si shtet të pavarur dhe Sovran.

Në një konferencë për medie, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli prezantoi edhe notën verbale të nënshkruar nga presidenti i Malit, Dioncounda Traore nëpërmjet të cilës ky shtet renditet në mesin e shteteve që deri më tani kanë njohur Republikën e Kosovës.

Sipas Pacollit, tanimë në rajonin e Afrikës perëndimore, ka mbetur vetëm edhe Togo që ende nuk e ka njohur Kosovën.

"Javën e ardhshme unë do të zhvilloj një vizitë në këtë shtet, dhe besoj se shumë shpejt gjithçka do të përmbyllet", ka thënë Pacolli.

Përveç Togos, Pacolli ka paralajmëruar vizita edhe në disa shtete të tjera të Afrikës. /Zëri/



Osmani përuroi dy rrugë me rastin e Fitër Bajramit

Qindra qytetarë morën pjesë në hapjen solemne të rrugëve të ndërtuara dhe rikonstruktuara kohëve të fundit në qytetin e Gostivarit, projekte kapitale këto të realizuara me mjete nga buxheti komunal.

Përurimin e rrugëve të përfunduara para muajit të Ramazanit, me një kosto prej rreth 210 mijë euro, e bëri kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe banorët lokalë, me prerjen simbolike të shiritit solemnisht i lëshoi ato në përdorim.

"Janë këto dy investime serioze kapitale që janë realizuar para do kohe, por u mblodhëm sot që të bëjmë përurimin e tyre në vigjilje të Fitër Bajramit", theksoi Osmani.

Bëhet fjalë për një kompleks rrugësh në pjesën rreth Vardarit dhe përskaj tregut të madh të qytetit, si dhe për një kompleks rrugësh në Zonën VII të qytetit. Kryetari Osmani u premtoi qytetarëve të pranishëm se në lagjet e tyre së shpejti do të vazhdojnë investimet, respektivisht do të ndërtohet vazhdimi i shëtitores te Lumi Vardar dhe do të hapen dhe ndërtohen rrugë të reja në Zonën VII.

"Me shumë sukses jemi duke realizuar programin investiv të Komunës për vitin 2012 dhe jam optimist se do të realizohen mbi 90% të projeksioneve buxhetore investive për këtë vit" nënvizoi kryetari i komunës ë Gostivarit.

Banorët e shumtë lokalë të cilët morën pjesë në solemnitet e rastit, u shprehën mirënjohës për angazhimet e kryetarit Rufi Osmani në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për jetesë të qytetarëve. Në solemnitetet ne fjalë morën pjesë edhe kryetari i këshillit Fadil Zendeli dhe sekretari i komunës Naxhi Xhelili. (INA)

 



LDK, “mes dy zjarreve”

LDK, "mes dy zjarreve"

Paralajmërimi i drejtuesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) se janë të gatshëm ta mbështesin qeverinë e Hashim Thaçit në bisedimet e ardhshme politike mund të jetë "thikë me dy teha" për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas këmbënguljes së shumë anëtarëve të Aleancës se nuk do t'i bashkohen "karvanit të bisedimeve" dhe asnjë koalicioni të mundshëm me PDK-në e Hashim Thaçit, së fundi nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala i ka rënë "vulë". Ai ka thënë se të dy këto procese janë të mundshme, vetëm se për koalicion qeverisës duhet të pritet lirimi i Ramush Haradinajt dhe i njëjti të bëhet kryeministër.

Por, nëse partia e Isa Mustafës do ta shfrytëzojë siç duhet bashkimin e "partive të luftës", përkatësisht proceset ku pritet të përfshihen PDK-ja dhe AAK-ja, siç janë bisedimet me Serbinë, atëherë kjo do ta forcojë atë që në zgjedhjet e ardhshme pas koalicionit që pritet të ndodhë në shtator, t'i fitojë zgjedhjet.

Ndërkaq, nëse qëndrimi në opozitë do të jetë i heshtur, pa iniciativë konkrete dhe pa veprim opozitar, sikurse që ka qenë deri më tash, atëherë partia që dikur ishte më e madhja në vend do të radhitet te të fundit për nga fuqia.

Të paktën kështu thonë analistët kosovarë, të cilët theksojnë se nga përafrimi i AAK-së me PDK-në më së paku do të përfitojë vendi./Zeri/



Gjenerali "urrejtës" i shqiptarëve në krye të trupave zvicerane në Kosovë

Komandanti Zviceran i trupave paqeruajtëse në Kosovë Karl Küng nga tetori do të zëvendësohet nga Thomas Wymann.

Këtë informatë ka lëshuar "Bundesamt"-i zviceran, informon INA.

Thomas Wymann jeton dhe punon në Brugg. Karriera e tij pranë trupave paqeruajtëse të Swisscoy-t kishte filluar menjëherë pas luftës në Kosovë, ku ai mori pjesë në fazën e parë të trupave paqeruajtëse.
Mes viti 1999 dhe deri më sot, Thomas Wymann ka krijuar një karrierë politike në Zvicër.   Sipas informatave, ai është në këshillin e qytetit përmes Partisë SVP, parti kjo e cila ka një urrejtje të madhe ndaj të huajve, përkatësisht ndaj shqiptarëve.

Wymann shpjegon se ky mandat i dhënë për në Kosovë nuk ka të bëj me politikë dhe se aktivitetet e tija partiake do i lë në Zvicër, gjë që edhe mediat zvicerane shpresojnë se ai do bën një gjë të tillë.
Wymann tani po qëndron në kazermën e ashtuquajtur Stans te kantonit Niedwalden ( Ausbildungscamp SWISSINT auf dem Waffenplatz Stans-Oberdorf NW ). Afati i qëndrimit te tij në Kosovë do te jetë nga tetori i këtij viti deri në prill të 2013. (Antonio Martini/INA)



Mesazhi i Reis ul Ulema, H. Sulejman Ef. Rexhepi me rastin e festës së Fitër Bajramit

" Ka shpëtuar ai që është pastëruar, që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet." (El A'la; 14, 15)


Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra

 
Përcollëm muajin më të madh të vitit, të cilin muaj do e përkujtojmë për shumë kohë për përkushtimin që patëm ndaj tij dhe për përgjigjen që i bëmë ftesës së Allahut Fuqiplotë për të agjëruar. Mbi të gjitha përcollëm edhe një herë nga jeta jonë këtë muaj të Kuranit Fisnik, përmes së cilit Ne jetojmë dhe ndërtojmë standarde të jetës dhe perspektivës tonë. Për gjatë gjithë këtij muaji dëshmuan se Kurani është jeta, morali, kushtetuta jonë duke respektuar parimet dhe gjithë atë që buron nga ky Libër i shenjtë Hyjnorë. Kur'ani është shpallja e fundit e Zotit për njerëzin, testamenti i fundit i Allahut për krijesën më të bukur- njeriun, i cili paralajmëron se rrugëtimi njerëzor në tokë dhe në këtë gjithësi nuk është i kotë dhe pa qëllim, se veprat njerëzore nuk janë pa përgjegjësi dhe pa një synim.  Kurani është dërguar për të treguar shenjat e rrugëtimit të njeriut në këtë botë, por gjithsesi se edukimi ynë përmes tij do të jetë mundësia e vetme për të tejkaluar çdo sfidë dhe kontestë shoqëror.
 

Të nderuar besimtarë!

Uniteti në mes nesh, mirëkuptimi  dhe toleranca ndërfetare me të tjerët, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë, veti të cilën e mësuam nga muaji i bekuar i Ramazanit nëpër xhamit tona dhe nëpër vende publike përmes iftareve. Ne jemi edukuar për të shtrirë dorën gjithsecilit pavarësisht se cilës fe apo nacionalitet i takon. Paqeja që duhet dominuar mes njerëzve nuk është as më shumë e as më pak se një udhëzim që buron nga feja Islame. Toleranca, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellt janë parime fundamentale dhe vlera të Islamit, pa të cilat nuk mund të paramendohet zhvillimi dhe ecuria e botës. Kjo është festa në të cilën ri-formohet dimensioni i moralit dhe virtytit, ri-rikrijohet miqësia, vëllazëria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë. Sot të gjithë Ne duhet treguar nivelin e kulturës fetare dhe shkallën e moralit tonë duke ia shtrirë dorën gjithkujt dhe duke ia hapur derën e shtëpis atyre që trokasin për të uruar këtë festë. Të jemi mikëpritës të veçantë, fytyrat tona le të shkëlqejnë nga drita e besimit tonë që posedojmë. Sot dhe përjetësisht duhet të afrohemi dhe të kemi qasje të veçant kur është në diskutim vatani dhe feja ynë, çështja dhe pozita ynë, tani është koha që ideologjia jonë të gjen mishërimin e vet dhe të reflekton tek mbarë vëllezërit tanë që na mbështesin nga diaspora e afërt dhe e largët. 

Vëllezër e motra të respektuar!

Në fakt, Ramazani, nuk na lejoi që ne t'i harrojmë dhe t'i lënë pas dore miqët tanë, të afërmit, fqinjët. Assesi nuk guxojmë të jemi neglizhent ndaj të varfërve dhe të ngratëve, por se dhembjet e tyre t'i ndajmë në mënyrë të përbashkët. Ai sikurse çdo vit, edhe sivjet na rikujtoi edhe një herë gjendjen e rëndë sociale të shumë besimtarëve tanë. Të nderuar do të jenë ata që nuk lanë në haresë nevojtarët, vetëdije që po ngritet kohë pas kohe tek qytetarët, e që është shumë e arsyeshme pasi që mungon ndihma e institucioneve përkatëse të pushtetit.  Deri sa një pjesë e njerëzve jetën e vazhdojnë me bollëk, pjesa tjetër mundohet të mbijetojë në gjendje tepër të vështira, standarde të ulta dhe në kushte të pavolitshme për jetesë. Qëndrimi indiferent ndaj tyre thellon edhe më tepër brengën e asaj kategorie të shoqërisë, e që në fakt edhe neve na shqetëson, pasi që mekanizmat tanë janë të caktuara.  
    

Të nderuar besimtarë!

Në emër të BFI-së dhe në emrin tim personal kërkojë nga ju që të solidarizoheni me vëllezërit tanë gjithandej ku janë nën presionin e dhunës, luftës apo persekutimit nga të pabesët s'paku me lutje dhe duke mos i harruar. Sot në disa vende të botës shumë musliman janë të pastreh dhe të pambrojtur, andaj lusim Allahun që çështja dhe pozita e tyre të ndryshojë sa më shpejt.

Besimtarë të nderuar!

Uroj që këto ditë festive të Bajramit të shprehim dashuri ndaj familjes, miqëve dhe fqinjëve, të respektojmë konceptet universale për të respektuar dallimet dhe të shtrijmë dorën e ndihmës dhe humanizmit. Duke ju dëshiruar gëzime dhe lumturi në ambientet familjare, farefisnore dhe mbarë vëllazërore.
Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, në emër të të gjitha institucioneve të saja dhe në emrin tim personal juve vëllezër besimtarë tua urojë festen e Fitër-Bajramit,  me dëshirën që në trojet tona të mbretërojë  paqja, harmonia, dashuria dhe perspektiva të jetë ndryshe!



Republika e Malit njeh Kosovën

Republika e Malit njeh Kosovën

Republika e Malit është shteti i 92 i OKB-së, që ka njohur Republikën e Kosovës, si shtet të pavarur dhe Sovran.

Në një konferencë për medie, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli prezantoi edhe notën verbale të nënshkruar nga presidenti i Malit, Dioncounda Traore nëpërmjet të cilës ky shtet renditet në mesin e shteteve që deri më tani kanë njohur Republikën e Kosovës.

Sipas Pacollit, tanimë në rajonin e Afrikës perëndimore, ka mbetur vetëm edhe Togo që ende nuk e ka njohur Kosovën.

"Javën e ardhshme unë do të zhvilloj një vizitë në këtë shtet, dhe besoj se shumë shpejt gjithçka do të përmbyllet", ka thënë Pacolli.

Përveç Togos, Pacolli ka paralajmëruar vizita edhe në disa shtete të tjera të Afrikës. /Zëri/



Thursday, August 16, 2012

Thaçi: Pushoi së rrahurit një zemër e madhe shqiptare në Maqedoni

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi deklaroi se Arbër Xhaferri dhe veprimtaria e tij është personifikim i përkushtimit dhe vizionit për shqiptarët kudo që jetojnë.

"Të flasësh për z.Arbën Xhaferi në këto moment të vështira për gjithë ne, mbase është tepër – Për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dhimbja është shumë e madhe, nuk mund të përshkruhet për familjarët e z.Arbën Xhaferi, për mua si dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.  Kur një njeri që kemi dashtë shumë bëhet mbamendje, ashtu si ne e kemi dashur z.Arbër Xhaferi, atëherë ajo mbamendje bëhet pasuri. Padyshim mbamendja e shqiptarëve sot është më e pasur duke kujtuar jetën dhe veprën e z.Arbën Xhaferi", deklaroi Menduh Thaçi, në mbledhjen komemorative të mbajtur në Tetovë. 

Sipas tij, asnjëherë nuk humbin njerëzit që i duam shumë. 

"E tillë me siguri se asnjëherë nuk i humbin njerëzit të cilët i duan, qoftë edhe nëse ata vdesin. Ata vazhdojnë që të jenë pjesë e jona, në çdo veprim, në çdo mendim , e në cdo vendim. Ashtu do të jetë z.Arbën Xhaferi për mua. Dashuria dhe respekti për z.Arbën Xhaferi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë. Z.Kryetar çdoherë do të jesh në zemrat dhe mendjet tona! Qoftë për jetë kujtimi për ty – LAVDI !", theksoi kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi. (INA)

 



Në kujtim të Arbën Xhaferrit

Arbëni la një boshllëk të madh me vdekjen e tij, por mbetem me shpresë se shumë ide të tij, jo vetëm do të studiohen por dhe do jetësohen.

Në raste vdekjesh njerëzish të rëndësishëm është e udhës që të shkruhet rreth tyre me fjalë të mira. Çdokush ka arsyet e veta, për ta bërë një gjë të tillë. Unë kam arsyet e mia të fuqishme për tu shprehur për Arbën Xhaferin, këtë njeri të paharrueshëm,  këtë njeri të madh, jeta e të cilit veçanërisht këto vitet e fundit pati pika kontakti me jetën time. Largimi i tij fizik nga kjo botë, nuk është vetëm burim dhimbjeje për  familjen, por për të gjithë ata që e konsiderojnë veten njeri.

Ai do të na mungojë të gjithëve me idetë e tij, me vizionin, me shembullin, me njerëzillëkun e tij, sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Arbëri ka qenë, si thuhet,(pasi që unë nuk e kam njojhur Atëherë),një nga gazetarët më të mëdhenj të Kosovës së viteve 80. Mësova se ai ishte aktiv në elitën kulturore të Kosovës së atyre viteve, e cila grumbullonte më të zotët në profesionet e ndryshme prej gjithë hapësirës shqiptare në ish Jugosllavi.

Ai nuk u rreshtua megjithatë në elitën politike të Kosovës, e asaj elite që masovikisht ishte shndërruar pjesë besnike e regjimit jugosllav. Ishte kjo elitë, fëmijët e saj, që me përbuzjen për mua, të ardhur nga Mareci, që do sfidoja botën me kulturnën dhe rrobat e anës time, kishte ofruar burimin më të madh të nxitjes që në Perëndim unë të arrija suksese të mëdha.  Edhe sot në vitet 2000, një pjesë e kësaj ish elite, e shndërruar politikisht vazhdonte të më luftonte, siç tregoj në librin tim autobiografik"nga sfida në sfidë".

Pasi që unë isha I larguar nga Kosova, Arbënin nuk e njihja. Kisha dëgjuar gjithashtu se në fillim të viteve 90, Arbëni u bë nga politikanët prijës të popullit shqiptar të Maqedonisë, por unë s'merresha me politikë asokohe, ndaj s'kisha patur shans ta takoja. Njerëzit e familjes sime në Hajvali ishin fqinj me të, dhe dëgjoja vazhdimisht fjalë të mira rreth tij, nga babai im, I cili kishte marëdhënie shumë të mira me të. Ai në Hajvali, afër babait tim, punonte vazhdimisht për të ngritur me duart e veta shtëpinë e tij. 

Ishte kjo diçka e jashtëzakonshme për një intelektual të nivelit  të tij, i cili grumbullonte rreth vetes në atë shtëpi në Hajvali, shumë prej mendimit kritik intelektual shqiptar ndaj zhvillimeve të atëhershme. Supozoj se se prej atëherë ai dinte shumë rreth meje, sakohë që nga stafi im pak kohë më parë  më erdhi një kritikë dashamirëse e tij, lidhur me daljet e mia në televizion. "Behgjeti i jep shpjegime me shumë edukatë të gjithë gazetarëve, edhe atyre provokativë që bëjnë lojëra politike, duke u përfshirë seriozisht dhe me emocione në sqarime.

Ngjan sikur ruan akoma kompleksin e babait autoritar"- thoshte vazhdimisht Arbëni për mua. Ia  kishte qëlluar. Unë isha rritur në një familje ku figura e babait ishte autoriteti kryesor. Në një farë mënyre unë ndihesha në faj me ikjen time në perëndim pa i thënë atij.  

Kthimi im në Kosovë, punët që kam bërë këtu, kanë qenë një përpjekje për të korrigjuar "atë faj", të asaj kohe. Pra po përpiqesha t'i thoja babait tim se vërtet kisha ikur pa izën e tij, porse kisha ardhur me mend, dhe do bëja shumë për Kosovën, që ta nderoja atë, veten dhe emrin e mirë të familjes. Po ashtu vija nga Perëndimi ku figura e gazetarit respektohej shumë, megjithëse nuk ndodhte rëndom si tek ne, ku njeriu I mediave bëhet pjesë e establishmenteve politike ose shfrytëzon pirivilegjin e të qenurit gazetar për të sharë e ofenduar njerëzit.

Arbëni m'a bëri vërejtjen për kompleksin ndaj prindit drejtpërdrejt në një takim të parë të gjatë që pata me të dy vjet më parë. Më vonë kisha nderin ta kisha musafir në shtëpinë time gjatë një darke me ish Presidentin Mesiç dhe dy ish Presidentët e Shqipërisë, Moisiu dhe Meidani dhe aty u zhvilluan biseda shumë interesante, dhe të ju them të drejtën unë fillova jo vetëm ta admiroj por edhe ta dua Arbën Xhaferrin.
Në mars 2007, nuk pata mundësinë të merrja pjesë në një conference të organizuar në Durrës, ku Arbëni hodhi idenë e tij për një Komunuelth ekonomik shqiptar.

Sipas kësaj ideje që Arbëni e shtjelloi hollësisht për herë të parë dhe që u ndoq nga plot propozime të ngjashme, qeveritë ku banojnë shqiptarët, ajo e Shqipërisë, e Kosovës, e Maqedonisë, duhet të takohen periodikisht për të diskutuar dhe vendosur zgjidhjen e problemeve të ndryshme jo vetëm ekonomike. Këto takime duhet të jenë në të gjitha fushat, dhe ky lloj bashkëpunimi duhet të ketë institucionet e veta sipas modelit të Komunuelthit britanik, të frymëzuara nga bindja se hapësira ku jetojnë shqiptarët duhet të jetë një hapësirë mirëqenieje, begatie, bashkëjetese me fqinjët.

Ishte një ide brilante, që më ka shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit tim politik. Gjatë kohës sa ushtrova funksionin Presidentit të Kosovës, kurrsesi nuk doja ta anashkaloj që të potencoj gjegjësisht ta shtyej përpara këtë ide të Arbën Xhaferrit në parlamentin e Shqipërisë. Kishte shumë mundësi, "ndaj thashë duhet të punojmë për këtë lloj bashkimi ekonomik të shqiptarëve, pa shkelur asnjë tabu, në përputhje dhe me rekomandimet e miqve tanë perëndimorë".  
Unë ja përmenda emrin Arbënit në parlamentin shqiptar në atë fjalim që u duartrokit gjatë nga deputetët e dy krahëve, dhe si një gjest mirënjohje për autorësinë e asaj ideje.

Në fund të fundit ky është qëllimi i politikanëve: të punojnë për idetë e mendimtarëve të shquar, që hapin rrugën e veprimit politik, për të ardhmen e kombeve. Unë kisha dhe kam ide ekonomike dhe dija ta përktheja mirë atë vizion të Arbnit. Për fatin tim unë e zgjerova dhe ndryshova cilësisht begraundin e njerëzve me të cilët këshillohesha: Arbni ishte një mendimtar i cili me këshillat e tij do t'i bënte nder çdo presidenti europian.  Ai nuk kishte asnjë prej paragjykimeve banale që rrethojnë çdo veprim, çdo gjykim timin në Prishtinë. Arbni thoshte në rreth miqsh për mua, se "të paktën Behgjeti nuk i merr Kosovës si të tjerët, por i jep asaj". Unë I gëzohesha këtij mendimi të tij për mua sepse ishte mendim real.  Pas vendosjes së kontakteve mes nesh, Arbëni pa asnjë paragjykim vendosi të më bashkohej në përpjekjet e mia për ta jetësuar idenë, në Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit.

Ne organizuam në Tiranë në shtator 2010 një konferencë shkencore të disa universiteteve nga Shqipëria dhe Kosova, prej nga ku lindi ideja e Lëvizjes. Çdo dokument i saj, thirrja që erdhi prej konferencës , emrat e Bordit drejtues ku dhe ai bënte pjesë, ishin lëvizje të konsultuara me Arbënin, i cili në pamundësi fizike nuk erdhi dot në atë konferencë.
Por ishte mendërisht aty: me fjalimin e tij, me idetë, me mbështetjen, me emrin e tij.

Prej asaj kohe jam takuar disa herë të tjera me Arbënin, dhe mirëkuptimi ynë forcohej vazhdimisht. Miqësia e tij ishte shumë e rëndësishme për mua, ndërsa si dhe dikur, prej qarqesh të caktuara në Prishtinë, vazhdimisht dhe në çdo rast kontestoheshin idetë e mia. Më dukej se si dikur mbrapa kësaj lufte të ftohtë apo të nxehtë kundër meje, qëndronte ajo urrejtja e dikurshme ndaj meje, njeriut të suksesshëm në shkollim, biznes apo më tej, që nuk vinte prej kësaj elite.  Kemi diskutuar me Arbnin si t'i jepnim jetë Lëvizjes nëpërmjet disa aktiviteteve të para, me botime, konferenca shkencore, etj.

Arbëni insistonte që  heqja e barrierave mes shqiptarëve kah bashkimi ekonomik , integrimi i tyre duhej patjetër të forcohej dhe nëpërmjet disa pikave të përbashkëta të referimit kulturor dhe sportiv siç ishin kampionatet sportive mbarëshqiptare, etj, etj. Jam konsultuar drejtpërdrejt apo dhe nëpërmjet stafit tim me Arbnin dhe për disa iniciativa të miat lansuara gjatë vizitës sime si President në Maqedoni, në lidhje me pajtimin për çështjen e teqesë së Tetovës, për bashkëpunimin e faktorit shqiptar në zgjedhje, etj. 

Ende i kam të gjalla përshtypjet e një takimi të fundit me të, vetëm para disa ditësh, kur po diskutonim mundësitë e bashkëpunimit për këtë ide shumë të dashur për të, atë Hapësirës Mbarëkombëtare të zhvillimit.  Ai e ndiente Shqipërinë kudo ku jetojnë shqiptarët dhe I shërbente vazhdimisht kësaj ndjenje, këtij vizioni.

Gjatë bisedës sonë kishte diçka për të cilën ai reagoi me një vendosmëri që më mbeti në mendje, pas një reagimi timin që mbronte afirmimin e mëtejshëm të gegërishtes, krahas gjuhës standarte. Sipas Arbnit, nevoja e ruajtjes së gjuhës shqipe standart ishte jetike në kohët tona, si një nga monumentet e bashkimit dhe të qenies sonë kombëtare.

Arbëni la një boshllëk të madh me vdekjen e tij, por mbetem me shpresë se shumë ide të tij, jo vetëm do të studiohen por dhe do jetësohen. Në një rajon si ky joni, mbushur me armiqësi të vjetra dhe të reja, Arbëni ishte dikushi me të cilin ne mburreshim dhe të tjerët, fqinjët tanë na nderonin. Besoj shumë se dhe miqtë perëndimorë kanë pasur tek ai një bashkëbisedues të nivelit të lartë, të cilit dhe kur s'ja pranonin idetë, në heshtje ja admironin.

Shpresoj shumë që Arbëni tek ne do të le prapa, një shembull të shkëlqyeshëm të një njeriu me plot kuptimin e fjalës të një shkencëtari realist të një politikani të urtë, që asnjëherë nuk u mor me ndodhitë e rëndomta, asnjëherë nuk u tremb prej ndodhive në rajon, nuk u mor me njerëzit që e kundërshtonin atë, por synimi I tij ishte perspektiva globale dhe afatgjate e trojeve dhe njerezve tone I qoftë I lehtë dheu I shqiptarëve.