Thursday, May 31, 2012

Tiroli Jugor model për Maqedoninë

Maqedonia po vdes në aspektin e cilësisë së politikës dhe të qeverisjes, duke mos përmbushur detyrimet kushtetuese praktike sa i përket të drejtave të shqiptarëve, edhe përkundër asaj kushtetute, që rregullon të drejta të cunguara.

Modeli i Marrëveshjes së Ohrit 11 vite pas firmosjes nuk po gjen implementimin praktik në të gjitha nivelet e pushteteve.  A është nevoja që të kërkohen dhe hulumtohen modele të tjera konstitucionale që rregullojnë dhe funksionalizojnë të drejtat shqiptare në të gjitha sferat në Maqedoni. 

Një nga modelet që duhet të jetë në agjendën e partive politike shqiptare është edhe Tiroli Jugor, një rajon autonom në Italinë Veriore, që rregullon të drejtat e komuniteteve italiane dhe gjermanofolëse. 

Konstitucionalizmi i këtij rajoni autonom ka arritur që të shuajë tendencat separatiste midis dy komuniteteve më të mëdha në këtë vend, që kishin shprehur padurueshmëri dhe mosmarrëveshje, edhe pse në vitin 1946 ishte miratuar një kushtetutë për një autonomi më të gjërë, dhe në vitet e 70 ishin ulur gjakrat, pasi me një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 1971 ishte vendosur një autonomi edhe më e zgjeruar. 

Ky rajon autonom me rreth 1 milion banorë, ku 60 për qind janë italianofolës dhe 35 për qind gjermanofolës vlen të jetë nën thjerrëzën e shqyrtimit politik në Maqedoni, veçmas në planin e decentralizimit, relacionet midis pushtetit qendror dhe lokal duke përfshirë aspektet politike, financiare, kulturore dhe trashëgimore. 

Modeli i Tiroli i Jugut do ti mundësonte shqiptarëve një  vetë-qeverisje territoriale, që konsiston në kompetenca të bartura ligjërisht apo territorialisht për të ushtruar funksione të politikave publike (legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore), në mënyrë të pavarur nga burimet e tjera të autoritetit shtetëror, por që në përgjithësi i nënshtrohen rendit dhe ligjit shtetëror.

Formimi i një regjimi të tillë mund të përfshijë një gamë të gjerë të strukturave institucionale nga fuqizimi i vetëqeverisjes vendore deri në ushtrimin e të drejtave të plota simetrike dhe asimetrike të  organizimeve federale, si dhe autonominë ( kulturore dhe personale) jo-territoriale.  

Tiroli Jugor në kontekstin specifik italian hyn në kategorinë e organizimeve asimetrike në marrëdhëniet e tij me qeverinë qendrore në Romë në krahasim me rajonet dhe provincat e tjera italiane. Ky rajon përfshin elemente të autonomisë së brendshme jo-territoriale, veçanërisht sa i përket sistemit arsimor, ndërsa është funksional edhe mekanizmi i mirënjohur dhe relativisht i gjerë që zgjidh konflikte apo ndarje të pushtetit ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore. 

Përveç  aspektit të autonomisë së fragmentuar ( p.sh. autonomia joterritoriale për dy grupet më të mëdha në provincë, së pari në fushën e arsimimit), Tiroli i  jugut shfaq gjithashtu karakteristika të tjera tradicionalisht të lidhura me ndarjen e detyrueshme të kompetencave ekzekutive për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet palëve që përfaqësojnë grupet më të mëdha etnike në provincë, të drejtën e vetos për  grupin minoritar vendas, dhe parimin e proporcionalitetit, përfshirë atë të punësimit në sektorin publik dhe përbërjen e ekzekutivit. 

Modeli i njëjtë për Maqedoninë pak shumë do të ishte një plotësim i Marrëveshjes së skaduar të Ohrit e cila për vite me radhë nuk po gjen zbatim në Maqedoni.  Diplomatë me karrierë në Prishtinë e shohin modelin e Tirolit Jugor si një zgjidhje ideale për Maqedoninë dhe dy komunitetet më të mëdha, sidomos nxjerrjen në sipërfaqe të së drejtës së shqiptarëve.  Ky model në disa raste ishte lansuar përmes kanaleve diplomatike dhe mediale për të rregulluar edhe aspektin e funksionimit të Veriut të Kosovës. 

Por, politika shqiptare në Maqedoni duhet të analizojë këtë projekt – model dhe të shtrojë atë përmes një debati profesional me konstitucionalit të dalluar, përfshirë ata shqiptarë dhe maqedonas, dhe duke kërkuar edhe asistencën ndërkombëtare, sidomos nga Italia. 

Përforcimi i procesit të decentralizimit dhe funksionalizmit praktik është një nevojë imediate, për të nxjerrë në pah politikat etnocentrike dhe të centralizuara, që ngufasin zonat dhe komunat. 

Në Maqedoni lind nevoja për revidimin e planit të decentralizimit për shumë arsye dhe faktorë që po godasin, po lënë zvarrë dhe nuk po përfillin pushtet lokale.  

Tetova dhe Gostivari, janë dy bastionet shembull që politika dhe mekanizmat institucionale qendrore i përdorin si karrem politik dhe letër ballafaqimi politik ekstrem, ku viktimizohen qytetarët, projektet zhvillimore infrastrukturore, arsimore, kulturore dhe shoqërore, etj. 

Pikërisht kjo luftë politike mes forcës politike që bën politikën në pushtetin qendror dhe forcës politike që udhëheq me komunën, po merrë në qafë komunat shqiptare. 

Derisa në Shkup, Manastir e komuna tjera kemi projekte kapitale që kryesisht kanë mbështetjen kapitale financiare nga institucionet qendrore dhe arka shtetërore, Tetova dhe Gostivari për katër vite po përballen me probleme dhe mungesën e asistencës financiare nga pushteti qendror në realizimin e projekteve kapitale në interes të taksapaguesit shqiptarë apo atij ambienti multietnik. 

Shqiptarët si taksapagues të këtij vendi me 30 për qind mbushin buxhetin përmes taksave, ndërsa përgjigja konkrete në adresë të tyre është se vetëm rreth 5 për qind investohet apo rikthehet borxhi ndaj tyre përmes investimeve kapitale.  

"Shkupi 2014" projekti që gllabëroi mbi 200 milion euro ka djerrur edhe xhepat e taksapaguesve shqiptarë, të cilët jetojnë nëpër getot apo komunat rurale që nuk kanë kushtet elementare të jetesës si rrugët, ujin e pijshëm, shërbime cilësore në çdo lëmi, etj.

Por, ky diskriminim çmendurak duhet të ndërpritet dhe për këto çështje ekzistojnë modele demokratike të rregullimit konstitucional dhe praktik.  Një rishikim i modelit të decentralizimit dhe një debat për hapjen e kartës së një autonomie më të gjerë fiskale dhe kulturore sipas modelit të Tirolit Jugor për shqiptarët në Maqedoni, herët apo vonë do të imponohet si agjendë e domosdoshme për të ndërprerë këtë hov të diskriminimit brutal.  

(Autori është ligjërues në Kolegjin ISPE)

 

 



No comments:

Post a Comment