Saturday, May 26, 2012

EULEX-i do të jetë mision “më i lehtë dhe më fleksibil“

EULEX-i do të jetë mision "më i lehtë dhe më fleksibil"

Pa marrë parasysh kritikat, të cilat ndaj EULEX-it i kanë drejtuar disa deputetë të Parlamentit Evropian, por edhe diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë, zyrtarët në Bruksel që janë përgjegjës për këtë mision janë të mendimit se ai është një tregim i suksesshëm. Për mungesën e sukseseve në disa fusha ata fajësojnë rrethanat politike.

EULEX-i është duke kaluar përmes një lloj transformimi që pritet të rezultojë me ndryshime në terren. Këtë e ka konfirmuar të premten në Bruksel edhe komandanti për operacione civile të BE-së, Hansjoerg Haber, i cili ka thënë se në të ardhmen synohet që EULEX-i të jetë një mision "më i lehtë, por më fleksibil". Ai ka konfirmuar se fokusi i punës së EULEX-it në Kosovë në të ardhmen do të jetë më shumë në komponentët gjyqësorë sesa në ata policorë. Kjo, sipas tij, do të reflektojë edhe përparimin e arritur nga autoritetet e Kosovës, ndërsa EULEX-i do të jetë më i pranishëm aty ku Kosova ka më shumë nevojë për asistencë, e kjo është fusha e drejtësisë.

Sipas këtij zyrtari të lartë të BE-së, edhe në të ardhmen fokusi kryesor i EULEX-it në fushën e drejtësisë do të jetë në rastet e krimeve të luftës, krimeve të organizuara dhe korrupsionit në nivel të lartë./Koha/



No comments:

Post a Comment