Saturday, May 26, 2012

Përtej ndryshimeve të MO-së

Edhe pas përfshirjes së postulateve të Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetuta vazhdon të shikohet me sy dyshues nga shqiptarët. Partitë politike shqiptare kanë kërkesa konzistente për ndryshimin e saj, mirëpo konsistenca e tyre ka qenë e luhatshme, varësisht nga pozita e të qenit në opozitë ose pushtet. Deri më tani këto kërkesa janë artikuluar vetëm në platformat partiake, por jo edhe në iniciativa apo marrëveshje konkrete për ndryshime kushtetuese gjatë koalicioneve me partitë maqedonase

Shkup, 26 maj - Kushtetuta e Maqedonisë vite të tëra nga shqiptaret konsiderohet si gjenerator i krizash në marrëdhëniet ndëretnike. Madje, edhe pas përfshirjes së postulateve të Marrëveshjes së Ohrit, ajo vazhdon të shikohet me sy dyshues nga shqiptarët. Partitë politike shqiptare në këtë drejtim me kërkesat e veta kanë qenë konzistente, mirëpo konsistenca e tyre ka qenë e luhatshme, varësisht nga pozita e të qenit në opozitë ose pozitë. Megjithëse partitë shprehin pakënaqësi për statusin juridik të shqiptarëve, kërkesat e tyre deri më tani janë artikuluar vetëm në platformat partiake, por jo edhe në iniciativa apo marrëveshje konkrete për ndryshime kushtetuese gjatë koalicionimeve me partitë maqedonase. Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, mban qëndrimin se Kushtetuta e tashme është e mjaftueshme, por se duhet punuar ende në zbatimin e përmbajtjes së saj dhe ligjeve që u miratuan bazuar nga ajo. Ndërsa, Partia Demokratike Shqiptare është shprehur hapur kundër rregullimit të tashëm kushtetutës të Maqedonisë dhe ajo ka propozuar modelin e federalizmit, përkatësisht krijimin e njësive territoriale në baza etnike, atë shqiptare dhe maqedonase, me institucionet e tyre vetanake dhe me ato qendrore të përbashkëta në krye të vendit.

 Pro-ndryshimit të Kushtetutës, është edhe RDK-ja e Rufi Osmanit, sipas të cilës duhet një kushtetutë e re për të përmirësuar pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, aprovimit i të cilës do të përcaktonte një koncept të ri të definimit të shtetit dhe barazisë së kombeve por në të njëjtë kohë do të ishte bazament më i sigurt për zhvillimin proceseve eurointegruese. Sipas analistëve politik dhe profesorëve të të drejtës kushtuese, shqiptarët edhe pse kanë kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, ato sërish janë të ndjeshëm për ta ngritur guximshëm këtë çështje, duke shpresuar se integrimi euroatlantik i Maqedonisë vetvetiu dhe spontanisht do të krijojë mundësi që maqedonasit më lehtë ta pranojnë faktin se Maqedonia duhet ta ndërrojë konceptin themeltar të funksionimit të shtetit. 

VMRO dhe LSDM i mashtrojnë shqiptarët 

Analisti politik Alajdin Demiri thotë disa herë deri më tani janë bërë ndryshime “kozmetike” të Kushtetutës, të cilat në esencë nuk ofrojnë stabilizim të shtetit dhe marrëdhënieve ndëretnike, por janë orvatje për të blerë kohë. “Partitë ekzistuese i ikin përgjegjësisë për ndryshime eventuale. Këtë posaçërisht e bëjnë partitë maqedonase të cilat e kanë bërë praktikë të veprimit politik se cila do të jetë më restriktive ndaj shqiptarëve dhe cila do të ofrojë koncept më unitar të shtetit. Mirëpo, shterpësia e këtij koncepti, kriza ciklike, thellimi krizës, posaçërisht i asaj ndëretnike është alarmi që tregon se është koha për ndryshime të këtilla, është koha për konceptim të shtetit stabil me marrëdhënie ndëretnike të stabilizuara”, thotë analisti politik Alajdin Demiri. Ai thekson se ndryshimet kushtetuese do të jetë edhe kërkesë potenciale e BE-së në negocimin eventual si shtet stabil me marrëdhënie ndëretnike të stabilizuara. 

“Esullimi është i domosdoshëm, në të kundërtën edhe VMRO-ja edhe LSDM-ja, do të fillojnë të humbin rejtingun, të fundosen, se ky koncept i këtyre partive është duke thelluar krizën, nuk është duke ofruar asgjë pozitive për shtetin”, vlerëson Demiri. Ai vëren se ndjeshmëria e partive shqiptare për të mbajtur llogari për partitë maqedonase rreth ndryshimeve kushtetuese dhe integrimet euroatlantike, që kushtëzohen edhe me ndërrimin e emrit, në vazhdimësi po i harxhon politikisht partitë shqiptare. 

“Sot BDI heq dorë nga kërkesat e veta programore për hir të një stabiliteti të shtetit, për hir të anëtarësimit në NATO dhe BE, kështu dje e bënin PPD-ja dhe PDSH-ja, duke i lënë vend një kohe të ardhshme e cila duhet të vijë, mirëpo kjo kohë e sotme është duke i harxhuar partitë politike shqiptare në agoninë e tyre të pritjes dhe është koha e zgjimit të partive politike shqiptare dhe këmbëngulja në këto kërkesa, që ç’është e vërteta i kanë edhe programore, duhet sa më parë pasi në të kundërtën edhe ata rrezikojnë të zhbëhen. Pritja e pafund do t’i eliminojë partitë shqiptare nga të qenit në politikë. Këtë situatë shumë mirë e kanë kuptuar VMRO-ja dhe LSDMja, se kur u ofrojnë koalicion atyre, u ofrojnë edhe tema të paprekshme si koncepti multietnik, i cili duhet mos të preket, dhe disa procese vitale të heshtën. Ky është çmim i politik-bërjes së partive shqiptare aktualisht”, thotë analisti politik Alajdin Demiri. 

Maqedonia si “federatë funksionale” 

Duke i komentuar kërkesat e partive shqiptare për një avancim të ri kushtetues të pozitës së shqiptarëve pas Marrëveshjes së Ohrit, njëri ndër figurat juridike me ndikim në VMRODPMNE, Vllado Popovski, thotë se zgjidhja e mundshme dhe perspektiva e Maqedonisë është në të ashtuquajturën federalizim funksional të sistemit në fushën e të drejtave etnike, kulturore, dhe arsimore dhe vetëqeverisjes lokale, por jo federalizim territorial

. “Mekanizmi i Badinterit deri tani është mekanizmi më efikas për mbrojtjen e të drejtave të bashkësive joshumicë. Ai përjashton çfarëdo majorizimi në domenet e marrëdhënieve ose në çështjet të cilat janë të kontraktuara dhe që mund të jenë të kontraktuara. Themi se ky princip ka veprim të ndarjes së pushtetit ose “federalizim” të vendimmarrjes për arsye se që të dyja shumicat që kërkohen të sillet ligj i caktuar në realitet luajnë rolin e dy dhomave, dhomës së qytetarëve dhe dhomës së bashkësive etnike. Ai model mund të funksionojë në mënyrë shumë efikase nëse aktorët dhe personat në të e kryejnë punën plotësisht dhe ndërgjegjshëm”, ka deklaruar eksperti juridik, Vllado Popovski gjatë një interviste, që është transmetuar në gazetën “KOHA” të datës 26 shkurt 2010. Por, sipas eskpertëve shqiptar të të drejtës kushtetuese “federata funksionale” nuk përbën ndonjë ndryshim esencial të statusit juridik të shqiptarëve, ndërsa mund të barazvlerësohet me rregullimin e të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit përmes mekanizmave të rinj. Shtrembësia e 

Kushtetutës së parë, vështirë korrigjohet

 Profesori i të drejtës kushtetuese në UEJL-, Jeton Shasivari, thotë se njëzetvjeçari i miratimit të Kushtetutës përputhet në tërësi me thënien romake: “Çka është e shtrembër që nga fillimi, nuk mund të korrigjohet me kalimin e kohës” sepse, thekson ai, as miratimi i Kushtetutës të ’91-shit dhe as amendamentet kushtetuese tëMO-së të vitit 2001 nuk e rikthyen statusin e popullit konstitutiv për shqiptarët, status ky që u shfuqizua me amendamentin LVI të vitit 1989 për Kushtetutën e ish- RSM-së të vitit 1974 nën ndikimin e drejtpërdrejtë të diktatorit serb Millosheviq, ngjashëm siç veproi me shfuqizimin e autonomisë së Kosovës. “Madje, edhe preambula kushtetuese në fuqi e vitit 2001 edhe pse i vendosë qytetarët si konstitues të shtetit, prapëseprapë popullin maqedonas e përkufizon si etnos-komb, ndërkaq, shqiptarët si pjesë të popullit, përkatësisht pakicë kombëtare, gjë që paraqet një diskriminim të hapur kushtetues të qytetarëve qysh në hyrje të Kushtetutës”, thotë profesori Shasivari.

 Ai thotë se problem në vete është edhe modeli i demokracisë konsensuale, federalizimi jo territorial ose funksional, i njohur edhe si “power sharing”(ndarje e fuqisë) përkatësisht ndarja horizontale e pushtetit qendror. “Disa elemente të tij funksionojnë që nga viti 1991, përkatësisht që nga qeveria e parë shumëpartiake e deri sot, duke manifestuar më tepër mangësi se sa përparësi në qeverisjen njëzetvjeçare me diversitete etnike, kulturore, ekonomike, sociale dhe politike në vend. Pra, edhe pse në të gjitha përbërjet e qeverive në vend nga e para e vitit 1991 e deri tek ajo e fundit e vitit 2011 kanë marrë pjesë parti të ndryshme politike shqiptare, megjithatë, modeli në fjalë nuk paraqet një formë reale të ndarjes së pushtetit, por një tentativë për përfshirjen e elitave politike shqiptare në qeveri”, vlerëson Shasivari. Ai thotë se modeli i demokracisë konsensuale nuk balancon dallimet brenda një tërësie, sidomos në një shoqëri heterogjene siç është ajo e Maqedonisë, dhe nuk mundëson që popujt e ndryshëm të punojnë secili për vete në mënyrën e vet.

 ”Prandaj, kur kihen parasysh këto fakte, mendoj se në të ardhmen duhet angazhuar në rrugë politike, shkencore dhe demokratike që të promovohet federalizimi ose kantonizimi si një model i ndarjes vertikale ose territoriale e pushtetit shtetëror në qendër, sepse ky model i rregullimit shtetëror është dëshmuar si një qeverisje efikase me diversitetet etnik, kulturore, historike, ekonomike, sociale dhe politike në vendet ku funksionon me sukses si për shembull Zvicra dhe Belgjika, dhe si i tillë u përgjigjet në tërësi edhe rrethanave të Maqedonisë”, thotë profesori i të drejtës kushtetuese Jeton Shasivari. Ndryshe, Kushtetuta e parë pas pluralizmit u miratua nga Parlamenti më 17 nëntor të vitit 1991, pas shkëputjes nga Federata Jugosllave dhe Referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991. (Besim Iljazi/KOHA)



No comments:

Post a Comment