Tuesday, September 11, 2012

"Aman" protestoi sërish kundër shtrenjtimeve

Mijëra qytetarë të martën pasdite kanë protestuar sërish kundër shtrenjtimeve në Maqedoni, në kuadër të nismës së protestave të organizuara nga Lëvizja qytetare "Aman".

Protestat janë organizuar në Shkup, Manastir, Kumanovë, Prilep dhe Tetovë, ku qytetarët e komuniteteve të ndryshme etnike bashkërisht kanë shprehur revoltën dhe shqetësimet lidhur me situatën e fundit të shtrenjtimeve të energjisë elektrike, derivative të naftës dhe ngrohjes.

Qytetarët të irituar kanë paralajmëruar se nuk do të paguajnë faturat dhe do të vendosin bllokadë totale, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre për uljen e tarifave të energjisë, derivateve të naftës dhe ngrohjes.

Qytetarët kërkojnë urgjentisht kthimin e tarifave të energjisë së lirë, korrigjimin e çmimeve të energjisë dhe ngrohjes të njëjtë sikur në vitin 2008 si dhe uljen e çmimeve të derivateve të naftës, duke i vënë një kufi caktues, në përputhje me standardin jetësor dhe të ardhurat e qytetarëve. "Aman" paralajmëroi se protesta do të mbahen edhe nëpër qytete të tjera dhe ato pritet të jenë masive dhe të kenë përkrahjen e qytetarëve.

Protestat do të vijojnë edhe ditëve të ardhshme, ndërsa lëvizja "Aman" ka paralajmëruar masivizimin e tyre dhe masa tjera në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre. (INA)



No comments:

Post a Comment