Sunday, September 2, 2012

SHHSHM përshëndet emërtimin në shqip të 4 shkollave

Kryetari i Historianëve Shqiptar në Maqedoni (SHHSHM), Skender Hasani thotë se, në njëqindvjetorin e flamurit shqiptar dhe pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Shkupit dhe tërë Maqedonisë, kanë edhe një arsye të gëzohen më tepër.

Ai shprehet se, flakja e emërtimeve sllave nga katër shkollat e komunës së Çairit, dhe vendosja e emrave të katër personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare, pa dyshim paraqet një moment tejet të rëndësishëm, i cili do të shënohet me shkronja të arta në historikun e arsimit shqip në Shkup dhe më gjerë. 

"Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, e vlerëson si arritje të madhe faktin që tani e tutje nëpër tabelat e shkollës, ditarët e arsimtarëve dhe fletoret e nxënësve, do të shkruhen me krenari emrat e Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Jashar Bej Shkupit e Imri Elezit. Janë këto katër personalitete të shquara që kanë dhënë kontribut të madh për shqiptarësinë e Shkupit dhe të gjithë shqiptarisë në këto 100 vitet e fundit", ka theksuar Hasni.

SHHSHM, me këtë rast përshëndetim vendosmërinë e komunës së Çairit që këto emërtime të bëhen realitet, duke inkurajuar njëkohësisht edhe komunat e tjera që ta ndjekin këtë shembull.

"Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të gjithë nxënësve kudo që janë ju urojmë suksese në nxënien e diturive të reja, ndërsa shkollave "Hasan Prishtina", "Ismail Qemali", "Jashar Bej Shkupi" dhe "Imri Elezi", ju urojmë që me dinjitet dhe përjetësi t'i mbajnë krenarisht këto emra", ka shtuar Hasani. (INA)



No comments:

Post a Comment