Thursday, September 6, 2012

Homazhe për Bekim Fehmiun

Në Pallatin e Rinisë në Beograd, nga dita e sotme 6 shtator e deri më 12 shtator, do të mbahet edhe ekspozita dhe revy e filmave me titull "Bekim Fehmiu – Pasuri e humbur në heshtje”.

Përmes një paraqitje kronologjike jetësore të Bekim Fehmiut që nga fëmijëria e tij e hershme  deri në vitet para vdekjes, ekspozita me titull “Bekim Fehmiu – Pasuri e humbur në heshtje” përmban tregime të karrierës së shkëlqyer dhe të pasur artistike të Bekim Fehmiu, por, njëkohësisht edhe dëshmi për qëndrimet dhe botëkuptimet e tija të veçanta etike, intelektuale dhe humane, të cilat tejkalojnë përkufizimet e kulturave nacionale bashkë me kufijtë.
 
Në këtë ekspozitë janë vendosur intervistat e Bekim Fehmiut  nga gazetat nga periudha e vitit 1967 e deri në vitin 2001, pjesë të librave, dokumente personale nga jeta  private e Bekim Fehmiut, gjëra personale të tij, fotografi, postera filmik si dhe shënime tonike e filmike. Duke shfrytëzuar e përdorur ate që Bekim Fehmiu  ka thënë për vetveten dhe jetën e tij në intervistat dhënë gazetave dhe memoareve që janë publikuar në vitin 2001, kjo ekspozitë në një mënyrë paraqet storien e Bekim Fehmiut për veten e tij.

Pas ekspozitës së suksesshme në Pejë (gjatë muajit janar 2012), në Prishtinë (1-14 qershor) dhe në Prijedor (22-27 qershor), Sarajevë (29 qershor deri më 5 korrik) dhe në Prizren (6-15 korrik), ekspozita në Beograd nga dita e nesërme 7 shtator e deri më 14 shtator 2012, do të jetë një përmbyllje e ciklit  të parë për këtë arstist të madh shqiptar. Pas këtij cikli, ekspozita do të vazhdojë në Kralevë dhe pastaj në Itali në FIrencë dhe Trento.
Gjatë javës homazh për Bekim Fehmiun në Beograd, do të shfaqen edhe disa filma të realizuar me shumë sukses të Bekim Fehmiut, si bartës i roleve kryesore si p.sh. "Edukimi special" (1977), ku luan bashkë me Goran Markoviq, Aleksandër Berçek etj; "Pavle Pavlloviq"(1975), në të cilin luan bashkë me Milena Draviq etj; "Deps"(1974) ku poashtu luan me Milena Draviq; "Roj" (1966) me Olivera Katarinën, Mira Stupicën etj; filmi "Avanturistët" (1966), në regji të Lewis Gilbert, ku pos Bekim Fehmiut luajne edhe John Huston, Ava Gardner, Charles Aznavour, Irene Papas, Claudia Cardinale, Olivia de Havilland, Robert Shaw, Fernando Rey, Dirk Bogarde dhe  Candice Bergen. Kjo storje për jetën politike dhe shoqërore të plejbojëve jug-amerikan në produkcion të "Paramont Pictures", ka sjellë në Holivud një frymë te re e të freskët të realitetit para së gjithash nga skenat e dashurisë dhe vendbanimeve, që vite më parë kanë qënë të censuruara. Përkundër faktit që ky film ishte një nga projektet më të shtrenjta të Holivudit të atyre viteve, filmi "Avanturistët" kishte mbledhur një plejadë të divave dhe artistëve të mëdhenj, përfshirë edhe Bekim Fehmiun si bartës të rolit kryesor, dhe artistin e parë nga trojet e ish Jugosllavisë në Holivud.
 
Do të vazhdojë java e filmit kushtuar BEkim Fehmiut, me filmin "Mbledhësit e puplave" (1967) me Olivera Katarinën etj i nominuar edhe për "Oskar", ndërsa do të përfundojë më 12 shtator me një projeksion special. (INA)



No comments:

Post a Comment