Saturday, September 8, 2012

Kriza në Shkup...

Më 10 shtator, në Parlamentin maqedonas fillon diskutimi në publik i një çështjeje që rrezikon të mos mbyllet aty. Gjithçka filloi me respektin për të rënët gjatë konfliktit të 2001-s, që ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë bëri duke u përulur me nderim në Varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.

Në fillim Presidenti dhe pastaj qeveritarët maqedonas u bënë zëdhënës të një fryme, e cila duket se do të "zyrtarizohet" më 10 shtator. Në këtë ditë do të zytarizohet përplasja e partnerëve të koalicionit për ligjin e "branitellëve" (për ish-pjesëtarët e forcave të sigurisë), i cili pa dyshim bëhet për ta harruar "zyrtarisht" statusin e pazgjidhur të ish-ushtarëve të UÇK-së.

Ligji i "branitellëve" ka 10 vjet që funksionon, dhe projektligji i propozuar nga partia maqedonase e Kryeministrit Gruevski, VMRO, gjendet në procedurë parlamentare dhe nuk ndryshon në parim nga ligji ekzistues. Ai është në kundërshtim të plotë me interpretimin e ligjit të amnistisë, i cili njeh UÇK-në si palë legjitime në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

VMRO është partia maqedonase e cila mban pushtetin falë koalicionit me partinë shqiptare BDI, e cila doli nga lufta e UÇK-së në 2001-shin për të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Të duash të mbash pushtetin me votat e UÇK-së së "gjallë" dhe të refuzosh respektin për dëshmorët e saj, ky është një udhëkryq për moralin e qeverisjes aktuale në Shkup.

Më 10 shtator, në Parlament, shteti maqedonas do të provojë zyrtarisht "mospranimin" e shpirtit të Marrëveshjes së Ohrit dhe fondamentit të saj për respektimin e ekuilibrave që ndërtoi ajo për shtetin e Maqedonisë. Ky është një lajm i keq!

Nacionalizmi radikal në Ballkan historikisht përfundon si "regjim kopukësh", i cili në fund bëhet kundërshtar i interesave të kombit të vet. Shpresoj që mendjet racionale në Shkup të vlerësojnë zymtësinë e së ardhmes në një situatë të tillë.

Sipas Marrëveshjes së Ohrit, për të hyrë në institucionet euro-atlantike shteti i Maqedonisë duhet të shmangë logjikën politike dhe historike të dominimit mbi shqiptarët. Nuk duket zgjuarsi të kopjosh politikat serbe në vitet '80-'90. Jemi në një shekull tjetër…

Maqedonia si shtet ka mjaft kundërshtarë për komoditetin e një historie të përkohshme për të fituar votues "të lodhur" brenda saj. Një shtet që tronditet nga një "përkulje" te Varrezat e Dëshmorëve në Sllupçan, si dhe disa emra shkollash në komunën Çair të Shkupit nuk diskuton "egoizmin" maqedonas dhe "kokëfortësinë" e shqiptarëve. Ajo që diskutohet, është më e thellë… Dhe quhet FRIKË nga e ardhmja! Pa dyshim!



No comments:

Post a Comment