Friday, September 7, 2012

Protesta, jo mbylljes së paraleleve shqipe në Podgorcë

Nxënësit dhe prindërit e fshatit Podgorcë të Strugës protestuan sot kundër vendimit për mbylljen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në këtë fshat. 

Kolona e nxënësve të paraleleve të mbyllura në gjuhën shqipe në Podgorcë, të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre më flamur kombëtar dhe me pankarta me përmbajtje kombëtare e arsimdashëse, ndër të cilat veçuam "Prefekt, fëmijtë tanë nuk janë mall për pazar, esëllohu"; "Ministër, në Podgorcë ka çerdhe shqiponjash 30.000 vjet"; "Në RM ka 280 shkolla me nga 3-5 nxënës, Podgorca ka 23 nxënës"; "Z.Ahmeti, na premtove "ne e mbajmë fjalën" etj etj,  u tubuan para ndërtesës së komunës së Strugës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mbylljen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore në Podgorcë, duke insistuar që këta nxënës ta vijojnë mësimin në shkollën "Murat Labënishti"  në fshatin Llabunishtë. Prindërit e nxënësve me mësim në gjuhën shqipe nga fshati Podgorcë i Strugës, që më parë kanë paralajmëruar se sot në mesditë, do të tubohen para ndertesës së komunës së Strugës, për të protestuar kundër vendimit të Ministrisë së arsimit dhe vetë ministrit Kralev, lidhur me vendimin që paralelet me mësim në gjuhën shqipe në fshatin Podgorcë të mbyllen dhe nxënësit nga Podgorca të vijojnë mësimin në fshatin Llabunishtë në shkollën fillore "Murat Labënishti", vendim që prindërit e konsiderojnë si të padrejtë, manipulues dhe diskriminues.

Këtyre prindërve dhe nxënësve nga Podgorca, iu bashkangjitën edhe qytetar të Strugës, në mbështetje të kërkesave të tyre të drejta për mësim në gjuhën amtare në shkollën e fshatit. Ndër ta kishte edhe disa shtetas të huaj që u interesuan se për çka bëhet fjalë, që shkaktoi habit ë madhe kur kuptuan se në vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore në këtë fshat ka pasë shkollë shqipe e në vitin 2012 mbyllen paralelet në gjuhën shqipe.

Para ndërtesës së komunës së Strugës dhe të tubuarve, ku ishin edhe gazetarët e gati të gjitha mediave në Maqedoni, Zemrije Murtezi, prind i njërit nga nxënësit e shkollës shqipe në Podgorcë, në emër të Këshillit të prindërve e lexoi mesazhin  në të cilin thuhet: 

"I informojmë institucionet përkatëse të Komunës së Strugës dhe të Ministrisë së arsimit të Maqedonisë, se ne, prindërit e fëmijëve shqiptar të f. Podgorcë, fëmijët tanë, duke u nisur nga dita e hënë datë 10.09.2012, mësimin në gjuhën shqipe do e ndjekin në f. Podgorcë të Strugës, aty ku e kanë edhe vendin, dhe se për këtë gjë tani më nga ana jonë janë siguruar hapsira, mjete dhe arsimtar që do të kujdesen që këta fëmijë të vijojnë arsimin në gjuhën shqipe si të gjithë fëmijët e tjerë në Maqedoni. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Strugës, Ministrit të arsimit dhe zëvëndësit të tij, si dhe partisë shqiptare në pushtet – BDI, që urgjentisht, pa humbur fare kohë të angazhohen dhe ta respektojnë vullnetin tonë dhe të fëmijëve tanë për mësim në gjuhën shqipe pranë SHF"Goce Delcev"në f. Podgorcë, dhe ta zbatojnë deri në fund Vendimin e Këshillit të Komunës së Strugës me numër 07-1565/17 të datës 29.12.2009 me të cilin u formuan paralelet në gjuhën shqipe në f. Podgorcë të Strugës", thuhet në mesazhin e protestuesve.

Poashtu, prindërit e nxënësve të Podgorcës që ishin të paditur në Gjykatën Themelore në Strugë dhe ishin dënuar me të holla për "mosdërgimin" e fëmijve të tyre në shkollë, sot pohuan se Gjykata përfundimisht ua ka hjekur dënimet dhe tani ata do të ngrejnë padi penale kundër atyre që më parë ua kishin bërë padinë. 

Protestën e "shoqëruan" edhe pjestarët e policisë, edhe pse protesta ishte e qetë me të vetmën kërkesë zgjidhja e problemit të arsimit shqip në Podgorcë. (M.Latifi/INA)



No comments:

Post a Comment