Tuesday, September 11, 2012

Fule: Kapitulli i ri në historinë e Kosovës

Fule: Kapitulli i ri në historinë e Kosovës

Komisioneri për Zgjerim dhe Politika Evropiane të Fqinjësisë, Shtefan Fule, ka thënë të ndihet i ngazëllyer derisa ndodhej në një darkë solemne të organizuar të hënën në Prishtinë nga autoritetet kosovare, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Kjo ngjarje, sipas zyrtarit evropian, shënon "hapjen e një kapitulli të ri në historinë e Kosovës".

Fule – pjesëmarrja e të cilit në këtë darkë është kritikuar nga autoritetet serbe që kanë vlerësuar se me këtë Bashkimi Evropian po e njeh pavarësinë e Kosovës – ka shoqëruar me një fusnotë fjalinë e fjalimit që e ka lexuar në këtë darkë, në të cilën të pranishëm ishin shumë diplomatë ndërkombëtarë. Fusnota kishte këtë përmbajtje: "Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës". Megjithëkëtë, Zyra e BE-së në Kosovë që ua ka dërguar medieve fjalimin e shkruar të Fules, ka thënë për të të ketë marrë pjesë "në një ngjarje në Prishtinë për të shënuar fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës".

Zyrtari i BE-së ka uruar presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi për, siç ka thënë, arritjet e Kosovës në këto vitet e fundit. Ai ka rezervuar falënderime të veçanta për Martti Ahtisaarin, pa të cilin ka thënë se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.

"Jam këtu sonte t'u gëzohem arritjeve tuaja dhe t'ju inkurajoj që ta ndërtoni një Kosovë të qëndrueshme, demokratike, të begatë dhe shumetnike. Andaj jam këtu t'jua përçoj një mesazh të mbështetjes së fuqishme nga Bashkimi Evropian", ka thënë Fule. "Ne do t'ju mbështesim edhe më shumë gjatë përballjes suaj me këto sfida të reja".

Ai ka thënë se prania në këtë darkë e shpreh qartë përkushtimin e BE-së. Ka thënë se tash e tutje do të ketë më shumë e jo më pak BE në Kosovë. Po kështu ka ritheksuar se vendi që përfaqëson është i përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj dhe ka shprehur përcaktimin që ta luajë një rol edhe më të rëndësishëm se gjer më tani.

Ka përvijuar edhe një vizion për Kosovën, por ka përmendur edhe sfidat. Theks i ka kushtuar veriut të banuar me serbë, që nuk njohin autoritetin kushtetues të Kosovës.

"E dimë se ka ende sfida në këtë drejtim në veriun e Kosovës. Bashkimi Evropian është i gatshëm t'i mbështesë të gjitha palët në trajtimin e këtyre shqetësimeve dhe për ta gjetur rrugën e zgjidhjes përmes dialogut", ka thënë ai. "Bashkimi Evropian u ndërtua falë vendosmërisë së sendërtimit të lidhjeve mes popujve në mënyrë që konfliktet të jenë të paimagjinueshme".

Fule ka shprehur bindjen se së shpejti do të mund të ecet tutje me propozimin që Kosova të jetë pjesë e programeve të Bashkimit Evropian. Po kështu ka paralajmëruar se së shpejti do të publikohet Studimi i Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Këtë e ka quajtur një hap të madh përpara për Kosovën drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.

"Hapi i përparimit të Kosovës drejt integrimit evropian nuk varet prej Bashkimit Evropian, as prej Komisionit Evropian e as prej shteteve anëtare. Ai varet krejtësisht prej punës suaj në reforma, aq sa edhe prej aftësisë së të gjitha partive politike që të ndërtojnë një konsensus të fuqishëm rreth idesë evropiane", ka thënë Fule. “Një konsensus i tillë po mungon sot".

Ai ka ftuar udhëheqësit e të gjitha bashkësive që t'i përkrahin reformat që i ka konsideruar si të vështira, por të nevojshme. Ka thënë të jenë bërë hapat më të rëndësishëm në rrugëtimin plot sfida. Ka bërë thirrje për të vazhduar me një vizion, kurajë dhe angazhim konstruktiv.

"Jam i bindur se mund ta bëni këtë për Kosovën. Jemi krah me ju dhe do t'ju mbështesim në çdo hap tuajin përpara", ka thënë Fule. "Sot e keni përmbyllur një kapitull të rëndësishëm, ndërsa po e hapni një tjetër që është edhe më i rëndësishëm. Pres t'ju bashkohem në një darkë të ngjashme në të ardhmen për ta shënuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, pasi ky është fati i cili na pret në fund të rrugëtimit tonë të përbashkët në vitet në vijim"./Koha/



No comments:

Post a Comment