Friday, September 7, 2012

Shtyhet procesi gjyqësor për vrasjen e dyfishtë në Gostivar

Në Gjykatën themelore të Gostivarit sot është shtyer procesi gjyqësor kundër policit maqedonas, Jakim Trifunovski, i cili vrau dy të rinj shqiptarë gjatë shkurtit të këtij viti.

Trupi gjykues ka vlerësuar nevojën e shtyerjes së procesit gjyqësor për shkak të arsyeve të sigurisë për policin vrasës. Sipas gjykatës, Trifunovski nuk është sjellë nga burgu i Prilepit, ku po vuan paraburgimin, për shkaqe pasigurie, pasi që Drejtoria e Burgut të Prilepit nuk ka marrë vërtetim nga MPB për sigurimin e asistencës për policin vrasës.

Kundër këtij vendimi për shtyerjen e procesit ka reaguar Vullnet Paçuku, avokati i familjarëve të dy viktimave, i cili ka theksuar se ky vendim është i qëllimshëm, me qëllim që procesi gjyqësor ti merret Gjykatës së Gostivarit dhe të transferohet në gjykata tjera. Pas një procedure të shkurtër, kryetari i trupit gjykues ka shtyer procesin për 19 shtator.

Akti i vrasjes ka ndodhur më 28 shkurt të këtij viti, kur polici Trifunovski pas një zënke vrau dy të rinjt shqiptarë, Besnik Shehapi (26) dhe Imran Mehmedi (30) në Gostivar. Kjo vrasje u cilësua për motive banale për një vendparkim pranë pallateve të banimit, ndërsa u dënua nga të gjitha forcat politike dhe bashkësia ndërkombëtare, duke kërkuar proces të drejtë gjyqësor dhe shqiptimin e dënimit të merituar për policin vrasës. (INA)



No comments:

Post a Comment