Tuesday, September 11, 2012

Xhemajli zëvendëson Azem Sylën e dorëhequr

Xhemajli zëvendëson Azem Sylën e dorëhequr

Veteranët e UÇK-së pritet t'i verifikojë kryetari i tyre. Sipas të gjitha gjasave, Muharrem Xhemajli do ta zëvendësojë Azem Sylën në postin e kryetarit të Komisionit shtetëror për verifikimin e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Zyrtarizimi i Xhemajlit në këtë post pritet të bëhet gjatë kësaj jave, kur Komisioni do të mblidhet për herë të parë pas dorëheqjes së Azem Sylës.

Azem Syla nuk e ka lënë vendin bosh në krye të Komisionit për verifikimin e pjesëtarëve të UÇK-së. Atë së shpejti pritet ta zëvendësojë dikush tjetër. Në vend të Sylës, i cili dha dorëheqje nga ky post, pritet që të emërohet Muharrem Xhemajli. Kryetari i veteranëve, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në krye të Komisionit, i cili e ka për obligim që të verifikojë se kush ka qenë në UÇK, e kush jo.

Komisioni, i cili përbëhet nga 15 anëtarë, janë pajtuar që kryetar të jetë Xhemajli, ndonëse ky emërim ende nuk është bërë zyrtar. E kjo do të bëhet më së largu deri në fund të javës. Këtë e konfirmon Sami Lushtaku, i cili në Komision përfaqëson Zonën e Drenicës.

Lushtaku tha të hënën se të gjithë anëtarët janë pajtuar që kryetar të emërohet Muharrem Xhemajli.

"Ne jemi pajtuar që në krye të Komisionit të jetë kryetari i veteranëve. Kjo do të bëhet zyrtare në takimin që do ta bëjmë së shpejti", tha Lushtaku.

Edhe Xhavit Jashari që është anëtar i Komisionit, ka deklaruar se kryetari do të zgjidhet qysh në takimin e parë. Ai tha se anëtarët e Komisionit e zgjedhin kryetarin pa përmendur ndonjë emër. "Por më së drejti do të ishte që të zgjidhet dikush brenda grupit", tha Jashari, shkruan "Express".

Kryetari i veteranëve të luftës, i cili e pati kritikuar shefin e tij të dikurshëm, Azem Sylën, se ka manipuluar me shifrat e veteranëve, nuk është në dijeni se ai do të propozohet për kryetar. Xhemajli tha se nuk është i informuar për këtë, vetëm sqaroi se më së largu deri të enjten, anëtarët e Komisionit do të mblidhen pas dorëheqjes së Sylës./Koha/



No comments:

Post a Comment