Sunday, September 9, 2012

RDK: Zëvendësimi i flamujve në Çair, shou mediatik i BDI-së


Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), përmes një deklarate me shkrim thotë se, zëvendësimi i flamujve në Komunën e Çairit është një shou mediatik i BDI-së.

Sipas këtij subjekti politik, në vend të ligjeve për t'i mbrojtur të drejtat e tyre, shqiptarëve në Maqedoni po ju dhurohet zhurmë për ngjarje prej të cilave ata nuk fitojnë asgjë

"Sot kur përditshmëria jonë po dëshmon në vazhdimësi për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtet po përballen me dështimin e tyre të gjithanshëm, RDK edhe një herë tërheq vëmendjen për nevojën e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të shqiptarëve dhe jo ndërmarrjen e veprimeve shterpë që nuk prodhojnë asnjë përfitim për shqiptarët, por keqpërdoren për të bërë zhurmë mashtruese nga ata që qëllim kryesor kanë përfitimin personal", theksohet në deklaratë.

RDK shpreh qëndrimin e vet se është marrëzi dhe joseriozitet që vet ta propozosh dhe bashkë me VMRO-në ta miratosh ligjin për përmasa më të vogla të flamurit shqiptar në Maqedoni dhe pastaj të marrësh shkallët rrugëve të Çairit për t'i zëvendësuar flamujt e zvogëluar.

RDK konsideron se është absurde që në periudhën 2002-2006 vet ta miratosh ligjin ku përcaktohet procedura e ndryshimit të emrave të shkollave e pastaj – kur ky ligj që e ke miratuar vet të bëhet pengesë për ndryshimin e emrave – të organizosh spektakle për ndryshimin e tabelave të shkollave, ndërkohë që diplomat e nxënësve do të vazhdojnë të jenë me emra joshqiptarë.

RDK është e habitur me papërgjegjësinë e deklaratave të përfaqësuesve të shqiptarëve në Qeveri, të cilët për dhjetë vite i kanë mashtruar shqiptarët duke ju thënë se me kushtetutën aktuale ata janë bërë të barabartë me maqedonasit, ndërsa tani thonë se do të kërkojnë ndryshimin e kushtetutës aktuale.

"Për fat të keq koha po dëshmon shqetësimet e shprehura në vazhdimësi nga RDK se përfaqësuesit shqiptarë në pushtet janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm në veprimet e tyre dhe janë përdorur nga pala maqedonase vetëm si dekor për legjitimimin e ligjeve dhe politikave antishqiptare. Për fat të keq partia shqiptare në pushtet, në vend të ligjeve, ju ka dhuruar dhe po ju dhuron shqiptarëve shou mediatik, fjalë boshe dhe ngjarje prej të cilëve shqiptarët nuk po fitojnë asgjë", thuhet në fund të deklaratës. (INA)



No comments:

Post a Comment