Tuesday, September 4, 2012

Ivanov: Maqedonia mund të hyj në NATO pa zgjidhjen e emrit

Republika e Maqedonisë mund të bëhet anëtare e NATO-s edhe pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale, gjegjësisht kontestin e emrit, ka deklaruar presidenti Gjorgje Ivanov pas takimit me Sekretarin e Aleancës, Anders Fog Rasmusen.

"Çështja për shkak të cilës jemi jashtë NATO-s është bilaterale. Edhe në të kaluarën shumë shtete janë bërë pjesë e Aleancës dhe Bashkimit Evropian edhe pa zgjidhjen e konflikteve bilaterale . Kjo na jep shpresë se është e mundur një zgjidhje e tillë. Madje dhe Greqia para se të bëhej anëtare e NATO-s, nuk i kishte zgjidhur të gjitha çështjet me fqinjët e saj, por megjithatë sot është aty", është shprehur sot në Bruksel presidenti Ivanov.

Kreu i shtetit të Maqedonisë vuri në dukje se nëse ekziston një vullnet, ekziston edhe mënyra për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit.

Sipas informatave nga takimi Ivanov-Rasmussen, Presidenti kërkoi mbështetje dhe këshilla se si të gjejnë një mënyrë për të dalë nga status quo-, pasi sipas tij Greqia po zhvillon një politikë injoruese, duke refuzuar  nisma dhe takime.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se dëshiron ta shoh Maqedonin në NATO, por se më parë duhet zgjidhur kontesti bilateral mes dy vendeve. (INA)



No comments:

Post a Comment