Wednesday, September 12, 2012

Takohen krerët e PDK-së dhe AAK-së

Mbrëmë në Pejë është zhvilluar një takim mes katër zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe AAK-së: Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, Blerim Shala dhe Daut Haradinaj.

Kryeministri Hashim Thaçi i shoqëruar nga zëvendësi i tij Hajredin Kuçi janë takuar mbrëmë në Pejë me dy zyrtarët e lartë të AAK-së Blerim Shalën e Daut Haradinajn, kanë thënë burime të KosovaTimes.

Takimi mes zyrtarëve të dy partive ka ndodhur pas manifestimit që ishte organizuar për ndarjen çmimit "Hasan Prishtina" për ish-ndërmjetësin amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, Frank Wisner.

Pas manifestimit dhe darkës së përbashkët në këtë ngjarje, katër zyrtarët e lartë të PDK-së dhe AAK-së janë takuar në një vend tjetër bashkërisht por ende nuk dihet qëllimi i takimit dhe bisedat që ata kanë pasur.

Takimi mes tyre ka ndodhur pas relaksimit të raporteve mes këtyre dy partive dhe spekulimeve të shumta se AAK do t'i bashkohet Qeverisë së Hashim Thaçit.

Burimi i këtij portali ka thënë se zyrtarët e lartë të dy partive ndër të tjera kanë biseduar edhe për çështjet kryesore me të cilat përballet Kosova pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. (INA)



No comments:

Post a Comment