Sunday, June 17, 2012

AK: Partitë shqiptare në Maqedoni të paafta, mendojnë për pushtet

Kreshnik Spahiu, lideri i Aleancës Kuq e Zi (AK) në Kongresin e djeshëm mbarëkombëtar në qendër të vëmendjes ka folur edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe gjendjen e tyre. 

"Aleanca Kuqezi nuk e sheh të keqen te fqinjët, por tek elita politike shqiptare e paaftë, e korruptuar, e inkriminuar, vasale dhe qeverisjet shqiptare si pengesa serioze jo vetëm për bashkimin e shqiptarëve, por edhe si kundërshtare të procesit të anëtarësimit në BE", theksoi Spahiu në fjalimin e tij.

Sipas tij, në Maqedoni shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe klasa politike shqiptare është tejet e konsumuar me liderët e tyre konservatorë dhe armiqësorë me njëri-tjetrin. 

"Lëvizjet politike shqiptare nuk duhet të mendojnë të ndajnë pushtetin dhe qeverisjen me maqedonët, por të bëhen avokatë të të drejtave të shqiptarëve, duke u tërhequr nga koalicioni qeveritar dhe duke bërë bashkimin e tre partive shqiptare në opozitë, të mbrojnë të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, si dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Klasa politike shqiptare në Maqedoni duhet të pastrohet nga korrupsioni politik dhe të tregojë se është një elitë me mentalitet evropian më të lartë se maqedonasit", theksoi Spahiu.

Ai ka shprehur shqetësimet se shqiptarët dhe shoqëria civile, e cila, disa herë, është tubuar në revoltat për të drejtat e tyre, duhet të mos përdorin flamuj arabë e turq por të udhëhiqen në misionin e tyre nga flamuri ynë kombëtar, pasi ata nuk janë vetëm, por në krah kanë 10 milionë kuqezinj. (INA)



No comments:

Post a Comment