Friday, June 29, 2012

Përleshje mes deputetëve të PDK dhe VV (VIDEO)

Përleshje mes deputetëve të PDK dhe VV (VIDEO)

Deputeti i PDK-së Latif Gashi-Lata dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, janë përleshur fizikisht para pak çastesh tek dalja e Kuvendit të Kosovës.

Ky sulm ka ardhur derisa deputeti Selimi ishte duke dhënë një intervistë për media ku ka folur për SHIK-un, ndërsa deputeti Gashi kishte kërkuar nga ai të mos flasë për këtë organizatë, me ç'rast ka reaguar Selimi, duke i thënë atij se unë flas për këtë çështje.

Pas përleshjes fizike në mes tyre, ka ndërhyrë policia dhe i ka ndarë ata, ndërsa pas pak minutash ka ndodhur një përleshje tjetër në mes të deputetit të Vetëvendosjes Florin Krasniqi dhe atij të PDK-së Bekim Haxhiu i njohur me nofkën Kamishi, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Meqenëse Kamishi është gjakosur në fytyrë, atij i kanë ndihmuar bashkëpunëtorët e tij që të largohet nga Kuvendi, duke e dërguar në drejtim të oborrit të Qeverisë, ndërsa Krasniqi momentalisht ndodhet në hollin e Kuvendit – i cili po ashtu ka pësuar disa goditje gjatë përleshjes me Kamishin.

Në këtë përleshje janë inkuadruar edhe bashkëpunëtorët e deputetëve të Vetëvendosjes dhe atyre të PDK-së, përkatësisht shoferët dhe truprojat e tyre.

KDI dënon përleshjen mes deputetëve në Kuvend

Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, ka reaguar ndaj "përleshjes së deputetëve në ambientet e Kuvendit të Kosovës".

"Dhuna që shpërtheu sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu e ka historinë e vet, dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare", thuhet në reagimin e KDI-së.

Në komunikatën e lëshuar për media, siç raporton REL, kjo organizatë joqeveritare, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga partitë politike "që kanë ulëse në Kuvend që të ndikojnë në uljen e tensioneve mes grupacioneve të ndryshme formale dhe joformale, sepse kjo reflekton pasiguri tek qytetarët e vendit".

KDI gjithashtu kërkon nga Presidentja e vendit "që në përputhje me kompetencat e saja kushtetuese, të thërras një Tryezë të partive politike parlamentare për të dalë nga ngërçi i armiqësive, përmes debatit demokratik si preventivë që përplasjet mes deputetëve të mos nxisin përleshje në rrugë mes militantëve të pushtetit dhe të opozitës".

Ndërkaq, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përleshjes fizike të ndodhur ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës.

Qe një kohë, siç thuhet në një komunikatë për medie, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar në mënyra të ndryshme hetimin mbi veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës, që ka qenë dhe mbetet shërbim sekret partiak, që nuk i është përgjigjur asnjë institucioni të Kosovës, nuk i ka dhënë llogari askujt, si dhe nuk ka shpalosur asnjë nga aktivitetet që ka bërë dhe bënë ndër vite.

Sipas Vetëvendosjes, populli i Kosovës ka të drejtën ta dijë se kush po i përgjon, kush po i shantazhon dhe kush po i frikëson qytetarët me agjentë.

"Në funksion të tentimit për të legalizuar një organizatë të tillë ilegale, qeveria dhe SHIK-u kanë orkestruar vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve dhe po tentojnë që nëpërmjet funksioneve publike të legjitimojnë agjentë të SHIK-u me të kaluar kriminale. Sot këta agjentë janë në qeveri, e fatkeqësisht janë edhe në Kuvendin e Kosovës, të ardhur aty me vota të vjedhura", thekson Vetëvendosje.

Subjekti opozitar politik, Vetëvendosje, thotë se thirrjeve të tyre për hetime parlamentare për këtë organizatë, "ata u janë përgjigjur me më shumë panik, shantazhe e kërcënime të ndryshme për deputetë, për të mos nënshkruar iniciativën për inicimin e komisionit parlamentar për SHIK-un".

"Kohëve të fundit kanë filluar të kërcënojnë edhe gazetarë e fytyra publike, për të mos folur për SHIK-un. Sa më shumë ata mundohen ta mbajnë të mbyllur dosjen e SHIK-ut, aq më shumë shtohet nevoja për të ditur të kaluarën e saj", theksohet në komunikatë.

Ndërkaq, sa i përket përleshjes së sotme fizike që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje thotë se faji i tëri ka qenë i deputetit të PDK-së, Latif Gashi, i cili, sipas Vetëvendosjes, "pa provokimin më të vogël, është munduar ta kërcënojë deputetin Rexhep Selimi që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media".

"Ndoshta përvoja e z. Gashi nga SHIK-u e bën të mendojë se ai mund t'i ndalë të tjerët të mos flasin, e bën të mendojë se mund t'i kërcënojë të tjerët. Z. Gashi duhet ta dijë se Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur në qëllimin e vet për të zbuluar të vërtetën, për të zbardhur krimet ndaj popullit të Kosovës, sepse populli i Kosovës meriton të dijë", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

E për këto ngjarje të sotme që ndodhën në kuvendin e Kosovës, Vetëvendosje shpreh keqardhje. "Fatkeqësisht, provokimi i z. Gashi dhe tentativa e tij për të ngulfatur fjalën e lirë të deputetëve, dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka eskaluar në një përleshje fizike, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje shpreh keqardhje".

Vetëvendosje thotë se në momentin e përleshjes fizike mes deputetit të saj, Rexhep Selimit, dhe deputetit nga radhët e PDK-së, Latif Gashit, "është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit".

Në fund, kjo lëvizje thekson se do të vazhdojë e palëkundur në rrugën e saj për të krijuar një shoqëri të zhvilluar demokratike e mbi të gjitha transparente. /Zëri/



No comments:

Post a Comment