Saturday, June 23, 2012

Analizë: “Gjelat” përballë “demave”, betejë për gjysmëfinalen…

"Gjelat" përballë "demave". Kampionët e Europës luajnë ndeshjen çerekfinale karshi Francës, në një test tjetër gjeneral për pritshmëritë maksimale të të gjithëve karshi iberikëve, tek të cilët shikojnë rikonfirmimin e kurorës. Vetë të besuarit e Del Bosques janë të tendosur dhe aspirojnë të bëjnë "triple", duke hyrë në histori: titullit në "Euro 2008″ dhe atij në Botërorin 2010 duan t'i shtojnë edhe një tjetër, në turneun e kësaj vere që ka nisur të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni që nga 8 qershori dhe do të mbyllet më 1 korrik. Një gjë duket e sigurtë: Kampionët në fuqi të Evropës dhe Botës do të kenë një nga sfidat më të vështira në edicionin e sivjetshëm, kur do të përballen me Francën e Riberys, Nasris, Benzemas etj. Edhe pse në letër spanjollët janë qartazi favoritë, shumë elementë parashikojnë se për iberikët nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për t'u kaluar. Italia, në ndeshjet në grupe, dëshmoi se mund të gjenden rrugë për t'i frenuar "Furia e Kuqe", ashtu sikurse tentoi të bënte edhe Kroacia. Problemi qëndron nëse "gjelat" do të mundohen të "këndojnë" të gjithë, ashtu sikurse bënë në dhomat e zhveshjes pas humbjes 2-0 me Suedinë, ku u rikthyen sherret e përplasjet fizike mes lojtarëve, duke rikthyer pezmet e ngjarjeve të tilla në epokën e Raymond Domenechut.

Analizë/ Spanja – Krahasuar me ndeshjen e parë të grupit, atë kundër Italisë, spanjollët e rritën ndjeshëm nivelin e tyre. Prania e një qendërsulmuesi, si Torresi, në fushë u jep akoma më shumë forcë iberikëve. Në çerekfinale, ata do të sfidojnë një kundërshtar, i cili arrin të përballojë me sukses presingun në mesfushë dhe mbi të gjitha të mos lejojë hapësira në mbrojtje. Ekipi i Del Bosques ka treguar se ka mjaftueshëm talente në mesfushë për të krijuar raste të mira për shënim, por njëkohësisht mbrojtësit e "gjelave" kanë shfaqur një formë të mirë si fizike, ashtu edhe taktike. Gjithsesi, ajo që i favorizon ndjeshëm spanjollët janë faktorë si vetëbesimi, eksperienca dhe koha e gjatë që luajnë së bashku.

Analizë/ Franca – Pas humbjes ndaj Suedisë kanë nisur edhe krisjet brenda ekipit. Nuk dihet ende nëse kjo do të ndikojë në ndeshjen ndaj Spanjës, por në një analizë të potencialit maksimal të "gjelave" pritet që ata të jenë një kockë e fortë për kundërshtarin. Ekipi i trajnerit Laurent Blanc është në formë të mirë fizike, kjo edhe prej moshës së re që kanë lojtarët. Ndaj iberikëve, ata pritet të jenë superiorë ndaj rivalit për sa i përket ritmit të lojës. Për francezët do të mungojë Mexes, ndërsa në vendin e tij është programuar një lojtar me eksperiencë, si mbrojtësi i Arsenalit, Koscielny. Një tjetër element që u jep zemër francezëve është fakti se nuk kanë humbur asnjëherë në ndeshje zyrtare kundër Spanjës dhe shpresojnë që kjo arritje të mos thyhet këtë herë.

Spanja është pa diskutim favorite për të fituar, por në fakt nuk do ta ketë aq të lehtë sa pritet. Kundër një kundërshtari me një formë të mirë fizike, me një kundërsulm dhe finalizim të mrekullueshëm, djemtë e Del Bosques do të vuajnë. Në fakt, "gjelat" janë të aftë të surprizojnë në ndeshjen e sotme, gjithnjë nëse sherri i pak ditëve më pare, Blanc-Ben Arfa nuk do të ndikojë në lojë. 



No comments:

Post a Comment