Wednesday, June 27, 2012

Zgjohu: PDSH ndjell përçarje midis shqiptarëve

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! përmes një deklarate me shkrim thotë se është e tmeruar nga lajmi i botuar në mediat shqiptare që transmetojnë deklaratën të kreut të PDSHsë, Menduh Thaçi, në Çegran të Gostivarit i cili citohet të ketë thënë se: "nuk ka hajër nga shqiptarët jashtë Gostivarit dhe Tetovës" që do të thotë nga shqiptarët e Shkupit, Kumanovës, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Manastirit, Velesit, Dollnenit, etj.

"Kontributin e vet ndër vite, Lëvizja Qytetare ZGJOHU! e ka zhvilluar pikërisht në Shkup për të ndaluar fushata të ngjajshme asimiluese dhe dëbuese si në Ohër, Manastir, Prilep dhe Veles, ku shqiptarët u shpërngulën si pasojë e moskujdesit politik shqiptar dhe fushatave të zhbërjes së identitetit kombëtar dhe fetar", thuhet në reagimin e Lëvizjes Zgjohu. 

Zgjohu konsideron se, asnjë fushatë dëbuese ose shkatëruese e kulturës shqiptare nuk do të kishte sukses, po mos të kishte patur bashkëpunëtorët e vet në taborin shqiptar. 

Sipas tyre, pikërisht qëndrimet e tilla diferencuese dhe karieriste kanë qenë karakteristik e politikanëve që kanë bashkëpunuar me pushtetet asimiluese dhe shkatëruese të kulturës shqiptare në qytetet ku shqiptarët nuk janë shumicë.

"Gjersa ZGJOHU!, e përkrahur nga e gjithë shoqëria shqiptare, protestonte në vitin 2007 kundër gërmimeve politike dhe përjashtuese në Kalanë e Shkupit, në përpjekje për ta ndaluar zanafillën e proektit Shkupi 2014, ishte pikërisht nënkryetari i Menduh Thaçit i cili etiketoi përpjekjet tona dhe doli në mbrojtje të fushatës asimuluese, me fjalët "Shkupi nuk më intereson, Tetova është Kryeqytet i shqiptarëve. Le ti ndërtojnë edhe 3-4 kisha në Shkup, fare nuk më intereson." Bëheshte fjalë për ndërtimin e Kishës Ortodokse mbi themelet e shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë", thuhet në reagim. 

Jemi të bindur se qytetarët e rëndomtë të Tetovës dhe Gostivarit nuk ndajnë qëndrimet e tilla skandaloze dhe do të distancohen nga një politikë e tillë që ndjell përçarje dhe urrejte midis shqiptarëve në Maqedoni, vlerëson Zgjohu. 

"Sot, shqiptarët nuk kanë nevojë për politikan lokalist, për politikan me vizion të kufizuar, por sot, si asnjëherë më parë, duan të shohin Tiranën dhe Prishtinën nga Shkupi. Çdo përpjekje tjetër, do të hasë në rezistencë qytetare, pa asnjë dyshim", thuhet në fund të reagimit. (INA)

 



No comments:

Post a Comment