Tuesday, June 5, 2012

Arrestime në MPB për riatdhesimin

Arrestime në MPB për riatdhesimin

Kapakun e një shishe e ka shndërruar në taketuke, ndërsa e ka vendosur mbi një tavolinë plastike përreth së cilës janë dy karrige. Kjo tavolinë nuk gjendet në ballkon, por në mesin e një dhome ku po ashtu gjendet edhe një shtrat, një stufë elektrike dhe disa dollapë për vendosjen e enëve. Në korridorin e ndërtesës ku gjendet kjo dhomë është edhe një banjo, e cila në mes të ditës dukej e errët. Në këtë hapësirë që gjendet në lagjen "Bazhdarhane" në Prizren, jeton Shaban Braha, rreth të dyzetave, i cili është në mesin e qindra personave që e ka statusin e të riatdhesuarit në Kosovë.

Ai ka një vit që është kthyer nga Zvicra, ngase është përzënë nga atje, për shkak se nuk ka pasur dokumentacion për qëndrim të mëtejmë në këtë vend. Në këtë banesë, ai është vendosur tash e disa muaj dhe atë pasi që ka fituar statusin e të riatdhesuarit.

Banesën të cilën e shfrytëzon ai është marrë me qira nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht nga zyra e patundshmërisë "Iliricym" nga Prishtina, e cila në prill të vitit të kaluar ka nisur implementimin e kontratës së fituar nga MBP në vlerë prej rreth 600 mijë euro dhe me kohëzgjatje prej dy plus një vit.

Rrymën që e shfrytëzon Shaban Braha, por edhe të riatdhesuarit e tjerë- mbi 200 familje sa janë gjithsej, e ka për obligim që ta paguajë MPB-ja derisa furnizimin me ushqim për të riatdhesuarit e ka kontratën kompania "Ben Af". "Ka më shumë se dy muaj që unë nuk kam rrymë në këtë banesë, ndërsa ushqimi nuk më vjen me rregull", thotë Shaban Braha, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Unë kam qenë i martuar me një shtetase të Zvicrës dhe kur erdha në Kosovë në luftë më janë prishur dokumentet. Para katër viteve kam shkuar në mënyrë ilegale dhe më kanë kthyer vitin e kaluar pasi që më kanë gjetur duke punuar 'në të zezën'", tregon më tej Shabani.

Nga lufta e fundit ai ka humbur të pamurit gjatë mbrëmjes, por njëkohësisht edhe ka probleme me këmbë ngase disa nga damarët thotë se i ka të pëlcitur.

Për tërë këto halle, ai ka bërë një mori ankesash në MPB, në Komunën e Prizrenit dhe tek organet tjera për të kërkuar ndihmë. Deri më tani ai nuk ka marrë përgjigje, megjithatë vazhdon të ushqehet tek ata që bëjnë "rahmet", e vazhdon të lahet po ashtu tek ato familje përreth që ia mundësojnë një gjë të tillë.



No comments:

Post a Comment