Saturday, June 16, 2012

Në Prishtinë u prezantua Plani strategjik për zhvillim kulturor të Gostivarit

Grupi pesë anëtarësh i punës nga komuna e Gostivarit, në punëtorinë dyditëshe që u mbajt në Prishtinë, prezantoi Planin strategjik për zhvillim kulturor të komunës së Gostivarit për periudhën 2012-2016.

Plani strategjik i cili u miratua edhe nga këshilltarët komunalë të Gostivarit në seancën e parafundit dhe në të përpilimin e të cilit u kyçën faktorët relevantë të komunitetit, përmban misionin, vizionin, resurset kulturore dhe natyrore, rezultatet dhe analizat nga hulumtimet e realizuara, si dhe qëllimet strategjike të komunës në sferën e zhvillimit kulturor, të mbështetura edhe me plane konkrete aksionale.

Punëtoria e cila u mbajt dje dhe pardje në Prishtinë, ishte e fundit nga 8 punëtoritë e realizuara deri më tani në kuadër të projektit trevjeçar të titulluar "Kultura nga/për të gjithë", të cilin organizatat joqeveritare QAP "Multimedia" – Shkup  dhe Teatri "ODA" – Prishtinë, e implementojnë në tri komuna të Maqedonisë dhe tri komuna të Kosovës. Në kuadër të këtij projekti, u realizua edhe një konferencë rajonale dhe një ndërkombëtare, si dhe më shumë takime pune.

Në periudhën në vijim, organizata implementuese QAP "Multimedia", do t'i asistojë Komunës së Gostivarit në jetësimin e Planit strategjik, ndërsa duke shfrytëzuar rrjetin e fondacioneve me të cilat ajo bashkëpunon, do të lobojë për gjetjen e donatorëve për projekte të caktuara nga sfera e kulturës.

Në fund të muajit të kaluar, delegacion dy anëtarësh i Komunës së Gostivarit, ishte në vizitë treditore studiuese në Amsterdam, e cila kishte për qëllim që komunat nga Maqedonia të përfshira në këtë projekt, të njoftohen me modele të reja të institucioneve kulturore sipas shembullit të Holandës. (INA)



No comments:

Post a Comment