Sunday, June 24, 2012

Diplomacia shqiptare në mbrojtje të bashkëkombësve

Duke përmendur vetëm dy rastet e fundit në rajon, ai i marrjes në mbrojtje të familjes së Musli Ahmedovit, të cilin ekstremistët dhe huliganët sllavo-maqedonas me dhunë e kishin dëbuar nga shtëpia e tij në Veles, nga ambasadori shqiptar Arben Çejku, si dhe të ambasadorit Islam Lauka në Prishtinë, i cili po bënë përpjekje mjaft të shtuara diplomatike për të çmjegulluar konceptet regresive mbi nocionin e kombit shqiptar, përkatësisht kundër lindjes së një kombi të ri "kosovar" nga disa të ashtuquajtur intelektualë dhe publicistë të pavarur në Prishtinë, por edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme në ngritjen e vetëdijes së unifikuar kombëtare për veprim të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona.

Pa dyshim, këto janë sinjale të mira të një diplomacie në konsolidim dhe forcim e sipër, e cila siç dihet në të kaluarën nuk ishte fortë aktive, sidomos në mbrojtje të bashkëkombësve të vet në rajon. Por, ajo dita-ditës është duke u forcuar më shumë në dobi të shqiptarëve të rajonit.

Tani, shtrohet pyetja: Si është e mundur që në një shtet si Maqedonia në përbërje të së cilës jetojnë rreth gjysma e popullatës me përkatësi etnike shqiptare, që elita e saj politike, si në pushtet dhe në opozitë të mos jenë në gjendje të jenë dalzotës të mbrojtjes së një familjeje, e cila në këtë kohë po përjeton ndjekje nga shtëpia e tij e lindjes vetëm për shkak të etnisë së saj? Cila është ajo politika themelore e shqiptarëve të këtij vendi dhe në shërbim të kujt janë ata? Me këto dhe shumë dilema tjera në këtë shtet jostabil do të duhet të merrej pushteti i këtij vendi, në radhë të parë shqiptarët e pushtetshëm dhe jo të tjerët të interesohen për ta. Kjo jo vetëm që është një obligim ligjor, moral e kombëtar, por edhe patriotik, që të mbrohen shqiptarët nga dhuna e shovinistëve sllavo-maqedonas.

Për fat të keq, kjo mbrojtje nuk erdhi nga pushtetarët e këtij vendi, por erdhi fill pas interesimit dhe iniciativës së ambasadorit shqiptar Çejku, i cili këtë çështje e ngiti në formë institucionale dhe ndërshtetërore. Ai këtë e bëri, sepse kishte të drejtë të jetë në mbrojtje të bashkëkombësve të vet. Ai këtë e kishte obligim dhe detyrë kombëtare, por e kishte trajtuar edhe si një akt shumë të drejt, human dhe njerëzore. Të flitet për liri, demokraci dhe për një orientim perëndimor të këtij vendi, ndërsa në anën tjetër, në këtë kohë të ndjekin shqiptarë nga shtëpitë e tyre huliganë dhe shovinistë maqedonas, kjo është vërtet një ngjarje e dhimbshme dhe anakronike. Një shtet i tillë me këto skena harbutërie nuk do të ketë një të ardhme të mirë. Përfundimisht, diplomacia shqiptare nuk do të duhet të lejojë të përsëriten skena të tilla kundër shqiptarëve.

Rasti tjetër i këtyre ditëve është lufta e pa-kompromis e ambasadorit shqiptar në Prishtinë Islam Lauka ndaj disa pseudo-intelektualëve dhe publicistëve kinse të pavarur kosovarë, të cilët në shekullin XXI kanë filluar ta zbulojnë Amerikën së bashku me të ashtuquajturin kombin "kosovar". Këta mediokër intelektualësh, kanë harruar se Amerika është zbuluar që moti nga Kristofor Kolombo dhe nuk ka më zbulime tjera. Pikëpamjet e tyre kinse mbi lindjen e një kombi të ri "kosovar" jo vetëm janë të dëmshme, por janë edhe antikombëtare edhe të rrezikshme për vetë qenien shqiptare në këto hapësira.

Parcializimi i çështjes kombëtare është në interes të tjerëve dhe kurrsesi në dobi të shqiptarëve. Tani, edhe shurdhmemecët e kanë kuptuar se ky "shtet i mbikëqyrur i Kosovës" mund të shërbejë vetëm si një fazë transitore drejt bashkimit përfundimtar. Ky bashkim nuk është vetëm fiksion politik, por është jeta, ekzistenca e këtij kombi në të ardhmen. Pa këtë bashkim kombëtar nuk do të ketë ekzistencë afatgjatë kombi shqiptar. Dhe, së fundmi, këtyre koncepteve politike artificiale mbi përkatësinë "kosovare" të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, por edhe të rajonit u ka dhënë një grusht të madh edhe një anketë e zhvilluar nga "Gallup internacional". Në bazë të këtij sondazhi, në Shqipëri 62.8 për qind janë pro, 29.7 janë kundër dhe 4. 4 janë përgjigjur me "nuk e di", kurse 3.1 për qind kanë refuzuar të japin një përgjigje. Në Kosovë shumica dërrmuese, apo 81 për qind e respondentëve janë përgjigjur pro, 12.6 për qind janë shprehur kundër, 2. 9 kanë abstenuar dhe 2. 6 nuk kanë dhënë përgjigje. Edhe në Maqedoni nga 1.000 persona, nga të cilët 66 për qind ishin maqedonas dhe 25. 7 për qind shqiptarë, për idenë e bashkimit ndër-shqiptar janë shprehur 51. 9 për qind, kurse vetëm 35. 1 për qind e kanë kundërshtuar, 9. 1 për qind "nuk e dinë" dhe 3. 7 nuk janë përgjigjur.

Tani, kjo edhe kjo anketë a nuk tregon më së miri se çfarë përkatësie kanë shqiptarët në përgjithësi dhe cili është objektivi kryesor i tyre për të ardhmen? Pa dyshim, se ky bashkim herët a vonë do të ndodhë, por ku do të mbeten konceptet e këtyre "intelektualcave" me përkatësi "kosovare", të cilët përveç njollave të zeza që do të lënë për vete, asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë për ta, në një shtet-komb të përbashkët shqiptar.



No comments:

Post a Comment