Tuesday, June 5, 2012

INTERVISTA/ BFIM po dëshmohet me misionin e saj

Intervista me sekretarin gjeneral të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Afrim Tahiri për agjencinë e lajmeve INA…

Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Afrim Tahiri në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA flet mbi aktivitetet e fundit të BFIM-së me rastin e festave të fundit, për organizatat që keqpërdorin në emër të fesë, mesazhet e kreut të BFIM-së lidhur me çështjet dhe kërkesat që tangojnë këtë institucion si dhe për projektet dhe misionin e radhës të BFIM

 

INA: Si kanë vijuar aktivitetet e BFIM me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit ?

 

Fillimisht faleminderojmë Allahun fuqiplotë që Ramazanin që lam pas ishte një muaj që duhet të mbahet mend edhe pse ishte në një vapë të madhe, por jemi të kënaqur jashtëzakonisht. Se ka qenë një Ramazan i qetë, në një atmosferë paqeje dhe solidariteti. Rijaseti i BFIM ka pasur aktivitete që tradicionalisht i ka mbajtur edhe viteve të kaluara, andaj projekti jonë i përgatitur është realizuar në tërësi. 

Afër 200 ligjërata dhe aktivitete të veçanta janë zhvilluar nëpër xhamitë në mbarë vendin. Ne tradicionalisht vizitojmë edhe xhematet tona, ashtu mbi 90 për qind kemi vizituar ato. Paraqitja jonë ka qenë edhe përmes mediave audiovizuele dhe mediave të tjera, për ta njoftuar popullatën rreth zhvillimit të jetës fetare, muajit të Ramazanit dhe nevojave, përfshirë këtu mësimet fetare. Një risi këtë vit ka qenë se imamëve i kemi shpërndarë propozim-tema me të cilat duhet të paraqiteshin para xhematëve me mesazhe për mbrojtjen e vlerave dhe interesave tona fetare, kombëtare dhe të drejtat e garantuara në aspektin fetar në vendin tonë. 

 

INA: Përkushtimi dhe vëmendja e institucionit tuaj ndaj diasporës ishte një nga prioritetet e edhe këtë muaj. Cilat janë  përshtypjet që vijnë nga diaspora dhe a po i plotësoni nevojat për të qenë sa më afër besimtarëve ?

 

Dhjetëra hoxhallarë që nga dita e parë e Ramazanit, përmes BFIM kanë qenë të angazhuar në shtetet Perëndimore. Kemi pasur profesorë dhe imam të deleguar nga ne. Ka pasur shumë organizime dhe manifestime në diasporë, ku kemi qenë të ftuar, por për shkak të aktiviteteve brenda s`kemi pasur mundësi të shkojmë atje, por kemi dërguar delegacionin tonë në Zvicër. Me gjitha qendrat kemi qenë në kontakt me diasporën për të gjitha aktivitetet që janë bërë. Dhe jemi shumë faleminderues për kontributin që japin për nevojat e institucioneve tona fetare arsimore.  

 

INA: Gjatë muajit të Ramazanit ju dolët me një apel drejtuar disa organizatave për të respektuar institucionin tuaj dhe rreth organizimeve të veçanta fetare ?

 

Po, ne si institucion fetar bartës i  kemi dërguar një letër qarkore organizatave joqeveritare dhe fondacioneve në Maqedoni për të mos keqpërdorur në kundërshtim me ligjin kontributet fetare. Në letrën publike theksohet se Bashkësia Fetare Islame është e vetmja bashkësi fetare e regjistruar në përputhshmëri me Ligjin për bashkësitë fetare dhe në bazë të këtij statusi juridik ka të drejtë, në Republikën e Maqedonisë të organizojë jetën fetare, respektivisht të organizojë shërbesa fetare si dhe manifestime të tjera fetare për pjesëtarët e Islamit nëpër objektet fetare si dhe në vendet tjera publike.

Ne kemi pasur të dhëna se një pjesë e organizatave joqeveritare, në veçanti atyre që i është dërguar kjo letër qarkore, në kundërshtim me regjistrimin e tyre në bazë të Ligjit për Shoqatat e qytetarëve dhe fondacionet, me vetëdije gjatë muajit të Ramazanit grumbullonin një pjesë të kontributeve fetare, zeqatit dhe sadekatul-fitrit.

Grabitja me vetëdije nga ana juaj e zeqatit dhe sadekatul-fitrit do të thotë rrezikim i qëllimshëm i institucionit 'Bejtulmal', të cilin e ka formuar vetë i Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., që përmes tij furnizohen me mjete fondet të cilat i përmend Kurani famëlartë. Ata marrin para pa kurrfarë përgjegjësie dhe në të shumtën e rasteve ato i shfrytëzojnë për promovim dhe reklamim të tyre. 

 

INA: Por a do të ndërmerrni diçka në drejtim të ndalimit të këtyre aktiviteteve ?

 

Nëse do të detyrohemi që t`i mbrojmë interesat tona edhe me mjete të tjera, në këtë rast në bazë të fakteve, për ato organizata joqeveritare të cilat do të kenë qasje në aktivitetet fetare të lartpërmendura, do të iniciojmë procedurë gjyqësore kundër tyre.

Por, shpresojmë se ndërgjegjja dhe vetëdija e tyre islame është më e madhe se sa nevoja për mjete materiale dhe se nevojat financiare do t`i zgjidhni në mënyra tjera të parapara me ligj, por sipas mundësive, në këtë drejtim do t`u ndihmojë edhe Bashkësia Fetare Islame.

 

INA: BFIM organizoi por edhe u ftua në disa iftare të veçanta me krerët shtetëror, përfshirë edhe ftesën nga kryeministri Sali Berisha dhe krerët e bashkësive fetare islame në rajon. U pa se përcollët edhe mesazhe ndaj faktorëve relevant, sidomos institucioneve dhe miqve ndërkombëtar. Çfarë mund të na thoni më konkretisht rreth kësaj ?

 

Kemi shfrytëzuar këto takime ku kemi shprehur problemet me të cilat ballafaqohemi dhe kërkesave tona. Kështu ishte takimi me presidentin, me zyrtarët e Qeverisë dhe gjitha iftaret e tjera me diplomatë të huaj ku kemi qenë është shfrytëzuar momenti për të shprehur qëndrimet dhe shtjellimin e kërkesave dhe problematikave që preokupojnë institucionin e BFIM-së. Një takim i veçantë ka qenë edhe ftesa dhe prania jonë në iftarin e shtruar nga kryeministri shqiptar Sali Berisha, nga i cili patën një pritje të ngrohtë në një iftar të begatë me praninë e krerëve të tjerë të institucioneve fetare nga Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare. Në këtë takim, u shtjelluan temat mbi vlerat e tolerancës ndërfetare tek shqiptarët dhe për zhvillimin e bashkëpunimit mes bashkësive fetare. 

Vlen të theksohet se Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi ishte nikoqir i takimit të liderëve  të bashkësive fetare islame të Ballkanit duke filluar nga Turqia, Greqia, Bullgaria deri tek Mali i Zi dhe Kosova. Edhe në këtë takim apo iftar të organizuar shfrytëzuam rastin për aspekte të ndryshme të jetës fetare dhe problematikave të ndryshme. 

INA: Po në planin e kërkesave dhe prioriteteve të BFIM, janë disa nisma dhe aktivitete rreth kthimit të vakëfeve. Çfarë konkretisht bëhet fjalë në rast se mund të na jepni disa hollësi të përgjithshme mbi aktivitetin tuaj në këtë drejtim ?

 

Po pas festës së Bajramit veçmë jemi në përgatitje dhe do të fillojmë aktivitete intensive për të ngritur zërin për problemet e denacionalizimit, që vazhdimisht po i trajtojmë dhe po bëjnë kërkesa dhe presione për zgjidhjen e tyre. Ne jemi përkushtuar për çështjen e Xhamisë Burmali, pastaj xhamive në Prilep, Manastir, Llazhec. Aktivitetet do të vijojnë dhe ne nuk do të heqim dorë nga asnjë kërkesë dhe e drejtë e jona. Në këtë drejtim do të sensibilizojmë edhe institucionet e tjera ndërkombëtare dhe partnere, që shohin BFIM si një institucion faktor relevant në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të pastra fetare në Maqedoni dhe më gjerë. (INA)

 



No comments:

Post a Comment