Thursday, June 7, 2012

Teatri Shqiptar në festivalin “Vera e Ohrit”

Për edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar muzikoro-skenik, "Vera e Ohrit", tashmë programi është përpiluar nga selektorët muzikor dhe skenik dhe vetëm pritet të miratohet nga Këshilli drejtues. Ajo që është tashmë e ditur, ka të bëjë me pjesëmarrjen e Teatrit Shqiptar nga Shkupi, me një shfaqe premierike, që do të realizohet në Ohër.

Për këtë edicion të festivalit, Teatri Shqiptar nga Shkupi, është duke përgatitur pjesën e autorit, shkrimtarit dhe ish presidentit të Çekisë, Vacllav Havell, me titull "Opera e lypsave".

Rastësisht takuam drejtorin e Teatrit Shqiptar, Adem Karaga me bashkëpunëtorët, që ishin për vizitë në Ohër dhe zhvilluam një bisedë të shkurtër lidhur me këtë shfaqe.

Në pyetjen për motivin e vizitës së sotme në Ohër, kur në skenë janë duke u zhvilluar provat e projektit të sapofilluar, Adem Karaga u shpreh: "Jemi sot në Ohër, së bashku me skenografin e shfaqjes të cilën jemi duke e punuar në Teatrin Shqiptar, e bëhet fjalë për veprën e Vacllav Havel, "Opera e lypsave", në regji të njërit nga regjisorët më të spikatur këtë nënqiell, Dino Mustafiq. Sot jemi në Ohër me skenografin nga Zagrebi, Dragutin Broz, për të inspektuar dhe mundësisht për të përzgjedhë lokacionin për shfaqjen e pjesës. Vizituam lokacionet e ofruara nga Drejtoria e festivalit "Vera e Ohrit" dhe pas konsultimeve edhe me regjisorin do të vendosim përfundimisht se ku do të shfaqet kjo prese, që në këtë festival do të jetë premierë. Shpresojmë se edhe kushtet e përgjithshme dhe ato meteorologjike do të na shërbejnë për të mirë, që shfaqja të arrijë efektin e duhur".

Lidhur me brendinë e tekstit të Vacllav Havelit dhe arsyet pse pikërisht kjo pjesë është konkurruese në këtë festival ai shtoi: "Bëhet fjale për një shfaqje që ka të bëjë me situatën e përgjithshme post-tranzicionale në këto vende, pa përcaktuar se në cilin vend, lidhur me moralin dhe zhvillimet në shoqëri, kështu që morali është elementi themelor i etikës ku problemet kanë arritur deri në shkallën "zero".

Mendojmë se teatri është pjesë e shoqërisë dhe ka obligim moral që ta paraqesë para opinionit tonë më të gjerë, që ta pasqyrojë në mënyrën më të mirë. Shpresoj se do të kemi një shfaqe të shkëlqyer në bregun e Liqenit të Ohrit, në vetë qytetin e Ohrit, në kuadër të festivalit ndërkombëtar "Vera e Ohrit", ku do të përcjellim mesazhin para spektatorëve jo vetëm vendas por edhe të huaj".

Pra bëhet fjalë për një projekt mjaft të madh, ku janë angazhuar pos trupës dhe teknikës së Teatrit Shqiptar edhe nga jashtë vendi-ishte pyetja në vazhdim të bisedës ku Adem Karaga tha: "Është projekt multikulturor, shfaqje multimediale, sepse pos regjisorit Dino Mustafiq, që është nga Sarajeva, kemi skenografin Dragutin Broz, që është nga Zagrebi, dramaturge është Zhelka Udoviçiq nga Zagrebi, mandej përkthimi i tekstit nga origjinali që është bërë nga Piro Milkani, mandej koreografi i kësaj shfaqe Gjergj Prevazi nga Tirana, që si staf realizues është garanci për një shfaqe të shkëlqyer. Po ashtu, edhe në pjesën e realizimit skenik, në ekipin e aktorëve, pos atyre nga trupa e Teatrit Shqiptar, në pjesën artistiko-realizuese është e angazhuar edhe Gresa Pallaska nga Prishtina, një nga aktoret më të spikatura të skenës shqiptare, gjë që konsiderojmë se e kemi për nderë ta kemi në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup, në këtë pjesë të shkrimtarit Vacllav Havell. Nga gjithë kjo që theksova, jam i bindur se më 18 korrik, premiera jonë do të pritet mirë nga publiku vendas dhe i huaj, që besoj nuk do të mungojë, që do ta kujtojnë dhe komentojnë gjatë kohë këtë përjetim teatror"-përfundoi ai. (INA)

 



No comments:

Post a Comment