Wednesday, June 20, 2012

Topi-Kisinger: Faktori shqiptar, rol kyç në stabilitetin e Ballkanit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e katërt Presidenciale në Jeruzalem, zhvilloi një takim të veçantë pune edhe me Dr. Henri Kisingerin, fituesin e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1973 dhe ish-Sekretarin amerikan të Shtetit në administrat e Presidentëve Riçard Nikson dhe Xherald Ford.

Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi çmoi lart rolin e rëndësishëm historik në diplomaci, politikë dhe për paqen botërore të Henri Kisingerit, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe bashkëpunimin e ngushtë e strategjik të dy vendeve aleate e partnere.

Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen ish-sekretarit amerikan të Shtetit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të drejtuesve dhe administratës amerikane për kombin dhe çështjen shqiptare, duke e siguruar në të njëjtën kohë se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një aleate besnike dhe e besueshme jo vetëm si anëtare e denjë e NATO-s, por edhe si kontribuese aktive në aleancën kundër terrorizmit ndërkombëtar në të mirë të paqes dhe demokracisë globale.

Nga ana e tij, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dr. Henri Kisingeri, pasi vlerësoi këtë takim me Kreun e Shtetit shqiptar, shprehu admirimin për ndryshimet rrënjësore dhe për arritjet e dukshme të vendit tonë në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj, duke bërë të mundur jo vetëm anëtarësimin në NATO-s, por edhe përparimin në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian. Dr. Kisingeri vlerësoi gjithashtu edhe rolin e kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik, dikur aq të trazuar e të karakterizuar nga konflikte ndëretnike. (INA)



No comments:

Post a Comment