Saturday, June 16, 2012

Në Kumanovë do të shënohet 100 vjetori i Kuvendit të Karadakut

Në Kumanovë sivjet do të shënohet manifestimi Kuvendi Karadakut me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. 

Në kuadër të këtyre manifestimeve është paraparë zbulimi i pllakës përkujtimore të 5 kryengritësve të panjohur dhe simpoziumi shkencor kushtuar 100 vjetorit të Kuvendit të Karadakut, ndërsa më pas do të vijojë edhe një film dokumentar, i cili do të shfaqet premierë. 

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi ka prezantuar në Kumanovë aktivitetet e radhës që do të mbahen me rastin e shënimit të 100 vjetorit të ditës së flamurit. Xhaferi i cili njëherësh është edhe kryetar i Këshillit organizativ për shënimin e 100 vjetorit të ditës së flamurit tha se më 24 korrik në Kumanovë do të shënohet 100 vjetori i Kuvendit të Karadakut. 

"Të gjitha krahinat po gjurmojnë, që t’i zbulojnë e t’i përkujtojnë ngjarjet historike që kanë ndodhur në atë kohë, siç është edhe Kuvendi i Karadakut më 24 korrik të vitit 1912, që ju më së miri e dini, që sipas hulumtimeve e gjurmimeve të historianëve është mbajtur në fshatin Kron (Izvor). Ne jemi të nderuar me atë që kjo anë e Karadakut të Kumanovës do të organizon më 24 korrik manifestimin, e me këtë të përkujton dhe të bëhet promovimi i kësaj ngjarjeje në mënyrë të organizuar, me çka do të njoftohet opinioni, por edhe të nxiten shkenctarët, publicistët, historianët. Të gjithë ata që kanë njohuri të ndryshme të kontribuojnë në mënyra të ndryshme që të pasurohet dhe të dokumentohet kjo ngjarje që zë vend të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare që i paraprin pavarësimit të shtetit Shqiptar dhe flamurit tonë kombëtar" tha Musa Xhaferi. 

Nazmi Beqiri, anëtar i këshillit organizativ foli për punën që po e bënë këshilli rajonal i Kumanovës me theks të veçantë për organizimin e mbajtjes së manifestimit në Kumkanovë, më 24 korrik të këtij viti. 

"Për këtë Kuvend ndoshta është dashur të dihet qysh më herët, por atë që e kemi ditur ne ka qenë përmes këngëve, përmes tregimeve edhe atë se është mbajt një Kuvend, ka qenë një qëndresë e madhe e cila nuk është bërë vetëm me njerëzit e Kumanovës dhe Karadakut dhe qyteteve përreth, por ka pasë njerëz nga Kosova, nga ana lindore e Kumanovës, Kozjaku që kanë qenë të banuar me shqiptarë. Të gjitha këto janë gojëdhëna, por tani do të dilet me punime, me kumtesa të ndryshme me filmin dokumentar që po përgatitet. Të gjitha këto gjëra do të bëhen të ditura më 24 korrik të këtij viti kur do të mbahen aktivitete të ndryshme kushtuar 100 vjetorit të Kuvendit të Karadakut " tha Nazmi Beqiri, kryetar i këshillit rajonal. Ndërkaq filmi dokumentar ka filluar të xhirohet ditë më parë , kurse autor është gazetari Nexhat Aqifi. (Z.Jashari/INA) 



No comments:

Post a Comment