Spanja në ndeshjen e sontme çerekfinale të "Euro 2012" e mundi Francën lehtësisht me rezultat 2 : 0, duke u kualifikuar kështu për gjysmëfinale ku e pret Portugalia.
Nga ndeshja e çerekfinales së tretë të "Euro 2012" ndërmjet Spanjës e Francës, që u zhvillua sonte në Doneck, futbolldashësit nga e gjithë bota pritën shumë. E cilësuan një kryendeshje të "Euro2012", një superndeshje ku pritet një lojë e mirë dhe e fuqishme, praktikisht një finale para finaleve. Së paku pritej një ndeshje interesante. E gjithë kjo, duke pasur parasysh rivalitetin e këtyre kombëtareve, traditën dhe potencën aktuale të të dy ekipeve.
Por, praktikisht sonte nuk ndodhi asgjë nga pritshmëria. Në pjesën e parë që të dy kombëtaret nuk treguan ndonjë lojë për ta mbajtur mend, pos golit të avantazhit nga kombëtarja e Spanjës. U luajt më shumë në mesin e fushës, me ndonjë aksion të rrallë në drejtim të portave dhe si rrjedhojë nuk pati edhe aq shanse për të shënuar nga asnjëri ekip. Loja "vuante" nga përkujdesi i madh i të dy taborreve për të mos pësuar gol, taktikat e tyre që e bënë lojën më shumë monotone se sa atraktive. Dështuan sidomos repartet e sulmit, e sidomos ai frances. Benzema me shokë jo vetëm që nuk shënuan, por mund të thuhet se nuk patën as ndonjë shans më serioz për gol eventual. Spanja, gjithsesi, ishte e dukshme, arriti ta zbatojë më shumë taktikën e vet-mbajtjen e gjatë të topit me pasime të shkurtëra, duke tentuar që t'i detyrojnë francezët për ndonjë gabim eventual.
Ç'është e vërteta, këtë ia arritën në minutën e 19, kur nëpërmjet aksionit tipik spanjoll shënuan një gol të bukur nëpërmjet Alonsos. Aksionin e nisi Iniesta, i cili ia pasoi topin Albas dhe ky i fundit Alonsos, i cili me kokë mposhti portierin francez.
Edhe pjesa dërmuese e gjysmëlojës së dytë i ngjau pjesës së parë për nga anemia, joatraktiviteti dhe mungesa e aksioneve të rrezikshme. Zhgënjeu sidomos Franca, e cila luante sikur të ruante rezultat. Edhe në këtë pjesë t dytë të lojës ishin totalisht zhgënjyes sulmuesit francez., të cilët për asnjë çast nuk u treguan të rrezikshëm për portën franceze. Madje , fitohej përshtypja se ata silleshin në fushë sikur nuk dinin çka të donin.
Dhe prap erdhi dënimi nga spanjollët. Në minutën e fundit të ndeshjes gjyqtari referoi penallti për Spanjë , të cilën e realizoi Alonso.
No comments:
Post a Comment