Wednesday, June 20, 2012

Xhaferri trajton Marrëveshjen e Ohrit në Forumin e Danimarkës

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri ka shpalosur si temë debati Marrëveshjen e Ohrit dhe modelin e saj për zgjidhjen e konflikteve në kuadër të konferencës "Dialog Forum" që po mbahet në Danimarkë, ku po diskutohet për rolin e bashkësive etnike në shtetet multietnike dhe inkuadrimin e tyre në vendimmarrje. 

"Forumet e këtilla janë të rëndësishme për ne nga aspekti i evaluimit të përbashkët të suksesit të një marrëveshje historike, nga aspekti i implementimit të deritanishëm dhe në veçanti nga aspekti i këmbimit të përvojave ndërkombëtare me marrëveshje të ngjashme paqësore, me anët e tyre të suksesshme dhe me ato më pak të suksesshme. Debatet dhe analizat në Republikën e Maqedonisë për ngjarjet në 2001-in si dhe për vetë Marrëveshjen e Ohrit, ishin të shumta dhe me konkluzione të ndryshme. Disa nga dilemat për ato ngjarje janë prezente sot e kësaj dite, veçanërisht ato të cilat bëhen në drejtim të definimit të vetë ngjarjeve, por edhe të karakterit të këtij dokumenti apo kësaj marrëveshje e cila shënoi ardhmërinë e Republikës së Maqedonisë,  por edhe për stabilitetin në rajon", ka folur Xhaferri. 

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit garanton të drejtat e bashkësive etnike në vendin tonë dhje inkuadrimin e tyre në shoqëri dhe në vendimmarrje. 

Ai shtoi se kjo marrëveshje vendosi themele të shëndosha për një ardhmëri më të sigurt demokratike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, e në të njëjtën kohë edhe garanci për to. 

"Dhe kjo është vlera thelbësore e vetë marrëveshjes. Së bashku me faktin për ndërprerje të konfliktit,  madhështia e kësaj marrëveshje është në përparësinë kryesore për ardhmërinë e një vendit,  dhe kjo është: ruajtja e identitetit dhe diversitetit etnik në një vend multietnik dhe mbrojtja e interesave të të gjithë qytetarëve në RM, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Dispozitat e marrëveshjes kornizë dhe anekset e saja patën një ndikim të madh në reformat legjislative  të cilat pasuan, duke filluar nga Kushtetuta dhe deri tek aktet nënligjore të Republikës së Maqedonisë", potencoi ai. Gjatë qëndrimit në Danimarkë zëvendëskryeministri Xhaferri ka realizuar disa takime me ministra dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë së Danimarkës. (INA) 

 



No comments:

Post a Comment