Sunday, June 24, 2012

Gjakmarrje, hakmarrje, apo njësoj?

Vrasja e lebetitur në Dukagjin e Maries 17-vjeçare vetëm disa ditë më parë e hapi edhe një herë një kapitull të vjetër të shoqërisë tonë. Shoqëria civile bëri një akt dinjitoz duke e ngritur zërin jo vetëm për viktimën e shkretë, por edhe për të gjithë ata që jetojnë tashmë prej vitesh në peshën e rëndë të ngujimit. U bë thirrje që shteti të jetë më i vëmendshëm, që vetë qytetarët të ndërgjegjësohen se po jetojnë me një plagë të stërlashtë në mijëvjeçarin e tretë, se… të gjitha gjëra të drejta, të shkoqura, njerëzore, të ndershme, të mbushura plot dhimbje. Të gjithë ata që derdhën lot e ndezën qirinj poshtë portretit të Maries fatkeqe duhet të ndihen sot krenarë. Jam nga të paktët që kanë kryer një detyrë qytetare. Veçse edhe një herë patetizmi, dhimbja, morti e ngatërruan disi çështjen. Poshtë pankartës me emrin e Maries ishte shkruar: Maria, viktimë e hakmarrjes. Vini re mirë: e hakmarrjes dhe jo e gjakmarrjes. Kjo lojë fjalësh mund të duket si fare pa kuptim kur ende nuk janë tharë lotët për viktimën e ngratë, porse pas saj fshihet një nga fenomenet që e mbajnë ende sot në jetë krimin. Me një emër të vetëm ky fenomen mund të konsiderohet si mosdije.

 

Profesor Ismet Elezi, një nga njohësit më të mirë të këtyre punëve e ka bërë qartë dallimin mes gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Ai, në një prej botimeve të tij, na e shpjegon fare qartë. Ai shkruan pak a shumë kështu. Hakmarrja është një vrasje me paramendim, është prej atyre që zakonisht në fjalorin gjyqësor e penal, e tashmë edhe në atë gazetaresk quhen "vrasje për motive të dobëta". Me pak fjalë, hakmarrja është një krim, i cili jo gjithnjë është një vrasje, por mund të jetë edhe një akt i tipit të pushimit nga puna, i cili vjen si kundërpasojë e një akti që individi ka pësuar më parë. Kjo mund të jetë një sharje, një borxh i pashlyer, një mashtrim i rëndomtë, një tradhti bashkëshortore, një mashtrim në biznes, një fyerje e rëndë faqe burrave, një shuplakë e kështu me radhë. Hakmarrja është po aq e vjetër sa edhe vetë njeriu. Në varësi të ngjarjes dhe të karakterit të personazheve ajo mund të shkojë nga një e rrahur vençe e deri në vrasje. Hakmarrja në thelbin e saj është një krim, një krim pa rregulla, shumë herë anonim, një krim që s'mund të kontrollohet po ashtu si edhe vetë mënia e racës njerëzore. Është një akt violent që ka lindur bashkë me njeriun dhe që do të vazhdojë të jetë sa të jenë në këmbë pasuesit e homosapiensit.

 

Ndryshon puna me gjakmarrjen. Ky është një ekzekutim sipas disa rregullave të pranuara më parë nga të gjithë. Është një lloj dënimi me vdekje publik, ku vrasësi pranon menjëherë aktin, i kushtëzuar nga nene të caktuara, të cilat kushtëzojnë se cili duhet të paguajë (njerëzit e gjakut të vrasësit të parë deri te djali i xhaxhait), kush nuk cenohet (gratë dhe fëmijët absolutisht nuk përfshihen në gjakmarrje), kur si dhe pse falet gjaku. A ka ai një çmim në lekë? (sikurse ndodhte në Mirditë) apo duhej të shpaguhej "gjak për gjak? Të tilla rregulla janë fiksuar që prej kohësh që nuk mbahen mend në kanunet tona të vjetra, më i famshmi nga të cilët, qoftë edhe për faktin se vazhdon të citohet ende, është ai i Lekë Dukagjinit, i kodifikuar nga i famshmi Shtjefën Gjeçovi.

 

Në kohët tona, të ashtuquajtura moderne kanë ndodhur dy fenomene, kryesisht të ardhura nga padija dhe konfuzioni. Më i pari është konceptimi i Kanunit si një lloj fajtori, si një numër rregullash që i shtyn njerëzit të vrasin me krenari, me gjak të ftohtë, ndonjëherë ka edhe idiotë që e konsiderojnë Kanunin sikur të ishte një njeri i shpellave i cili u fryn malësorëve në vesh. Në fakt, ka qenë pikërisht e kundërta. Ndër zona ku pushtetet qendrore nuk kishin shkelur kurrë, dhe kjo jo vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe rreth e rrotull nesh, deri në Korsikë e Sardenjë, popullsia detyrohej të vendoste disa rregulla të saj për të vendosur qetësinë, rendin, jetën normale. Kanuni ishte pra një tërësi rregullash që nuk kishin lidhje vetëm me gjakmarrjen, por edhe me pronën, kishën, tregtinë, familjen, trashëgiminë, gjyqet, me gjithçka që i duhet një jete në mungesë të shtetit ashtu sikurse e konceptojmë ne sot. Puna është se te ne, sikurse i bëjmë të gjithë gjërat me vonesë, Kanuni mbijetoi deri në ardhjen e komunizmit në pushtet në 1944. Dihet që në fushën e rendit publik diktaturat i bëjnë disa herë gjërat më mirë sesa demokracitë. Kanuni, ose më mirë me thënë një version i bastarduar i tij, u ringjall pas 1990-s, kohë gjatë së cilës shteti u tërhoq nga territore të gjera duke i lënë në mëshirë të fatit, shtetasit e tij. Kanuni pra nuk na ka asnjë faj. Sot pas tij fshihet krimi. Nëse do të zbatohej Kanuni, nuk do të na duhej të shkruanim për gra e fëmijë të ngujuar. Gjakmarrja e Kanunit nuk ka punë me ta. Ai ka punë vetëm me "djemtë në moshën e pushkës", që i bie afërsisht 15-16 vjeç. Kanuni parashikon dënime të rrepta (deri në përzënie nga shtëpia) për ata që vrasin gra e fëmijë. Ndërsa ne, në gjithë këta 20 vjet kemi mbajtur shënim për vrasje të fëmijëve dhe grave në emër të Kanunit.

 

Këto radhë nuk kanë aspak për qëllim të rikthejnë kohën e romantizmit të Fishtës, me lahutat, me burrat që vriteshin me rregulla, me legjenda të moçme etj. Vetëm se kështu si jemi katandisur na vjen të themi më mirë të funksiononte Kanuni sesa të kemi fëmijë të ngujuar që jetojnë çdo minutë me frikën e vdekjes në zemër. Kjo që po ndodh sot, ca për injorancën e përgjithshme të shoqërisë tonë, ca për indiferencën tonë qytetare dhe për keqkuptimet e mosnjohjes mes vetes, ca për mungesë të shtetit në shumë territore të vendit, ca për mospërfshirje të këtyre zonave në plane zhvillimi ekonomiko-kulturore, arsimore, ca nga që gjakmarrja është konsideruar më së shumti si një fenomen ekzotik sesa një problem shumë i mprehtë shoqëror, ca edhe sepse hakmarrja e gjakmarrja konsiderohen në gjykata si i njëjti krim "për motive të dobëta", është bërë e mundur që ligësia të fitojë mbi të mirën, krimi i rëndomtë të fshihet pas një monumenti të madh sikurse është Kanuni, krimi ordiner ai që pret të vrasë gra e fëmijë ka arritur madje të gjejë edhe mbulimin e tij historik, juridik, etnologjik. Ka ndikuar shumë edhe krijimi "i njeriut të ri socialist", njeriut që u nda për shumë kohë nga kisha, prifti, xhamia, hoxha. Kohë më parë misionarët fetarë pajtonin me qindra gjaqe gjatë një udhëtimi të vetëm. Sot duket se pakkush ia vë veshin.

 

Vetëm në raste të tilla, si ai i Maries së ngratë, ne kujtohemi për gjakmarrjen dhe për krimin që fshihet pas këtij emri. Bëjmë tubime, manifestime, sesione shkencore ku janë thënë gjëra nga më të çuditshmet, sikurse për shembull edhe organizimi i ekspeditave ndëshkimore drejt atyre që kërcënojnë të ngujuarit. Ka ardhur koha që të gjithë bashkë shoqëri, shtet dhe shtyp të hartojnë një strategji afatgjatë, një strategji që të mos i konsiderojë ata njerëz të harruar si primitivë, si copa shkëmbinjsh që rrokullisen që nga kohë të vjetra. Le ta provojmë t'u rregullojmë atyre njerëzve rrugën, t'i shtojmë arsimin, t'ia heqim frikën, t'i japim dinjitetin që i ka munguar prej shekujsh, t'i bëjmë pjesë të jetës tonë dhe atëherë do të shohim se krimi nuk do të ketë mundësi më të fshihet pas emrit të madh Kanun. Ndërsa ky i fundit do të mbetet vetëm një monument i respektuar historik, pjesë qindravjeçare e historisë tonë të trazuar, por ama vetëm kaq. Dhe kur të ndodhë kjo atëherë edhe sakrifica e Maries do të marrë një kuptim të vërtetë.



No comments:

Post a Comment