Saturday, June 2, 2012

Yjet që u injoruan për "Euro 2012"

Është ëndërr e çdo futbollisti që të përfaqësojë shtetin e tij në gara të mëdha ndërkombëtare, ku shikueshmëria është mjaft e madhe. “Euro 2012″ do të mbledhë së bashku lojtarët më të mirë, personalitetet më të mëdha dhe po ashtu yjet më të mëdha të Kontinentit të vjetër. Por, si në çdo turne të madh, edhe kësaj radhe vetëm 23 futbollistë nga çdo shtet pjesëmarrës mund të udhëtojnë me ekipin, duke bërë që shumë prej yjeve të mos kenë rastin t'i tregojnë vlerat e tyre, qoftë për shkak të lëndimeve, e qoftë për shkak të “strategjisë” apo inatit të trajnerëve.Të gjitha 16 skuadrat pjesëmarrëse të “Euro 2012″ kanë dorëzuar listat finale të martën, ku trajnerët janë detyruar të bëjnë disa zgjedhje të vështira duke lënë jashtë listave disa yje. Koha Ditore sjell sot emrat e yjeve që u injoruan në "euro 2012'.

 

Dinyar Bilyaletdinov (Rusi)

 

Ndonëse ishte lojtar i favorizuar nga trajneri i Rusisë, Dick Advocaat, Bilyaletdinov mbeti i shtangur kur u la jashtë skuadrës së Rusisë për “Euro 2012″. Mesfushori 27-vjeçar ishte kthyer në Rusi duke firmosur me Spartakun e Moskës në janar të vitit 2012, pasi kishte minutazh të pakët në Angli tek Evertoni dhe nuk dëshironte të rrezikonte “Euro 2012″. Ai startoi për skuadrën e tij të re në tri ndeshje të mëdha, kundër Rubin Kazanit, Anzhit dhe CSKA-së së Moskës, por një lëndim i këmbës i pësuar në mars e pengoi atë. Ai u rikthye në fazën përfundimtare të stinorit, por forma e tij nuk e bindi Advocaatin.

 

Ricardo Carvalho (Portugali)

 

Carvalho mori një vendim befasues duke u pensionuar nga përfaqësuesja në shtator të vitit 2011, pasi pati një mosmarrëveshje me trajnerin Paulo Bento. Bento nuk e kishte aktivizuar qendërmbrojtësin e Real Madridit në skuadrën e parë për ndeshjen eliminatore kundër Qipros. Carvalho ishte larguar nga përfaqësuesja dhe më pas u suspendua nga Federata e Futbollit e Portugalisë me një vit moslojë. Mirëpo, presidenti i Federatës më vonë kishte thënë se këtë ndëshkim do ta zvogëlojë nëse Carvalho vendos të dalë nga pensionimi. Mirëpo, Bento kishte thënë se kurrë më nuk do të ftojë Carvalhon, derisa të jetë në krye dhe kështu që nuk bëri ftesë për qendërmbrojtësin 34-vjeçar. 

 

Domenico Criscito (Itali)

 

Nuk është hera e parë që përgatitjet e Italisë për një turne të madh, goditen nga një skandal i manipulimit. Mbrojtësi i majtë italian Domenico Criscito, është detyruar të braktisë ëndrrën e tij të “Euro 2012″, në tentim për të pastruar emrin nga skandali i ri që ka goditur futbollin italian. Mbrojtësi i Zenitit ishte përfshirë në listën e zgjeruar të Italisë dhe ai ishte kandidat kryesor për skuadrën e parë, mirëpo policia italiane të hënën i bëri një vizitë përfaqësueses në stërvitje dhe e mori në pyetje Crisciton. Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, ka shpjeguar arsyet për marrjen e vendimit të përbashkët që të mos udhëtojë Criscito 25-vjeçar në Poloni e Ukrainë. “Ai do të ishte në presion të madh që asnjë njeri nuk do të mund të përballonte. Do të përndiqej nga prokurorët në çdo moment në fushë”, ka thënë Prandelli. 

 

Yoann Gourcuff (Francë)

 

Kur Yoann Gourcuff doli në skenë, ai vlerësohej se është i aftë të mbulojë hapësirën e lënë në Përfaqësuesen e Francës nga largimi i Zinedine Zidanet. Por, që nga transferimi i tij në Milan në vitin 2006, gjërat për Gourcuff nuk ecën mirë. Rikthimi i tij në Francë te Bordeaux i bëri pak hair, mirëpo më pas erdhi transferimi te Lyoni, me të cilën skuadër nuk tregoi formë të mirë.

 

Ai u ftua herë pas herë nga trajneri i Francës, Laurent Blanc, ku luajti në vetëm tri ndeshje eliminatore dhe shënoi tre gola e asistoi një. Mesfushori 25-vjeçar ishte në listën e zgjeruar të Francës dhe iu dha rasti për të bindur trajnerin deri në miqësoren e së dielës kundër Islandës. Mirëpo, ai për 75 minuta në atë miqësore nuk arriti të bindë dhe u la jashtë skuadrës për “Euro 2012″. 

 

Rio Ferdinand (Angli)

 

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand kishte lënë problemet e tij me lëndime prapa vetes duke u paraqitur në 30 ndeshje në Premier League në edicionin e fundit. Ferdinand 33-vjeçar luajti numrin më të madh të ndeshjeve që nga edicioni 2007/08. Madje edhe trajneri i ri i Anglisë, Roy Hodgson, e vlerësoi lart qëndrueshmërinë e Ferdinandit, mirëpo ai u detyrua të lërë jashtë skuadrës qendërmbrojtësit, duke e arsyetuar këtë vendim si “vendim i pastër sportiv”. Mirëpo, shumica dyshon se ky vendim ka të bëjë me frikën e konfliktit mes Rios dhe John Terryt, pasi Terry në tetor të vitit të kaluar kishte fyer në baza raciste vëllanë e Rios, Anton Ferdinandin. Nuk kishte vend për të dy mbrojtësit në përfaqësuese, pasi Hodgson frikësohej se atmosfera në skuadër do të prishej. 

 

Roberto Soldado (Spanjë)

 

Roberto Soldado ishte shënuesi më i mirë spanjoll në La Liga me 17 gola të shënuar për Valencian. Ai madje u fut në formë të mirë edhe me përfaqësuese, duke shënuar tre gola në miqësoren e shkurtit kundër Venezuelës. 

Forma e tij dhe po ashtu lëndimi i David Villas dhe Fernando Torresit, e kishin bërë atë favorit për të shkuar në “Euro 2012″ në Poloni e Ukrainë. Por trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, që kurrë nuk ka qenë adhurues i ish-sulmuesit të Real Madridit, u përcaktua që në sulm të ftojë Alvaro Negredon e Pedro Rodriguezin, ndërsa po ashtu ftoi edhe Fernando Torresin. 

 

Marko Marin (Gjermani)

 

Para shpërthimit të lojtarëve si Mesut Oezil, Thomas Mueller, Mario Goetze e Toni Kroos, Gjermania e kishte gjetur një Lionel Messi të saj. Ai quhej Marko Marin. Mirëpo, mesfushori dështoi të impresiononte në Botërorin 2010 të futbollit, ku në skenë dolën Oezil e Mueller dhe që nga atëherë ka pasur pak rast të tregojë talentin e tij me përfaqësuese. Trajnerin e Gjermanisë, Joachim Loew, nuk e bind as fakti që Chelsea i pagoi 7.5 milionë euro Werderit për ta pasur Marinin në radhët e veta për edicionin e ardhshëm. Marin është lënë jashtë skuadrës së Gjermanisë për Evropianin “Poloni e Ukrainë 2012″.

 

 



No comments:

Post a Comment