Tuesday, July 10, 2012

Ahmeti: Maqedonia në NATO, stabilitet për rajonin

Kryetari Ahmeti theksoi që Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveq anëtarësimit në NATO dhe në BE me çrast kërkoi ndihmën e drejtpërdrejt të të gjitha vendeve anëtare të BEsë.

Sot në Kuvendin e Maqedonisë në Shkup, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka takuar Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Majkëll Shpindeleger, dhe Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Slovakisë, z. Miroslav Lajçak.

Në takim u diskutua rreth çështjes së emrit dhe marrëdhënieve ndëretnike në mes të dy komuniteteve shumicë.

Kryetari Ahmeti falëminderoi mysafirët e lartë për vizitën e bërë në kohën e duhur dhe informoi Zv. Kryeministrat e Austrisë dhe Slovakisë rreth përpjekjeve tona për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Takimet midis palëve në kontekst, përfshirë Kryeministrat e dy vëndeve, Zv. Kryeministrat dhe Ministrat e Mbrojtjeve, dëshmojnë përcaktimin tonë për dialog të mirëfilltë rreth zgjidhjes së çështjes që na mban larg Brukselit, larg NATOsë dhe BEsë. Këto përpjekje do të fitojnë në intenzitet pas formimit të qeverisë së qëndrueshme në Greqi.

Rëndësia e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe fillim të negociatave me BE tejkalon kufijtë e vendit dhe ndikon në paqen dhe stabilitetin e rajonit si dhe ndikon në zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë sociale. Ka grupe në rajon të cilat bëjnë përpjekje kundër këtij përcaktimi strategjik të vendit dhe rajonit.

Kryetari Ahmeti theksoi që Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveq anëtarësimit në NATO dhe në BE me çrast kërkoi ndihmën e drejtpërdrejt të të gjitha vendeve anëtare të BEsë. Të gjitha të arriturat në 10 vjetorin e fundit janë të përbashkëta, të elitave politike vendore dhe të komunitetit ndërkombëtar, andaj edhe ky hap i rëndësishëm duhet të ndërmirret bashkë.

Sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, Kryetari Ahmeti theksoi se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve paraqesin shtyllën e shoqërisë mbi të cilën ndërtohet e ardhmja e vendit. Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit në përpikshmëri ka rëndësi të madhe si dhe theksoi nevojën për avancim të përdorimit të gjuhës shqipe për të cilën duhet të gjindet gjuhë e përbashkët rreth zbatimit të dispozitave kushtetuese. 

Mysafirët çmuan lartë rolin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kërkuan angazhim të mëtutjeshëm në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike si dhe të shtohen përpjekjet për tejkalimin e kontestit me emrin në mënyrë që Maqedonia të fillojë negociatat për anëtarësim në BE në samitin e unionit në dhjetor.(INA)



No comments:

Post a Comment