Sunday, July 29, 2012

FRD: Jo koalicion me Berishën e Ramën

Subjekti i ri Fryma e Re Demokratike ka përjashtuar mundësinë për një koalicion mes saj dhe Partisë Demokratike ose asaj Socialiste.

Përmes një njoftimi për shtyp, grupi i ri politik ka njoftuar se koalicionin do ta formojë me qytetarët dhe jo me parti që sipas saj shkelin parimet kushtetuese.

"Fryma e Re Demokratike deklaron se, si një forcë e re politike do të punojë për konsolidimin e saj dhe shndërrimin në një faktor të rëndësishëm në skenën politike shqiptare", thuhet në deklaratë.

"Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë, në funksion të ndërtmit të të shtetit të së drejtës dhe realizimin e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e denjë e bashkësisë së madhe evropiane", vijohet në njoftimin për shtyp.

Subjekti politik vlerëson më tej se në këtë drejtim, koalicioni me liderin e mazhorancës ose me atë të opozitës është i pamundur.

"Në këtë qëllim të madh FRD nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe zotin Rama. Eshtë e qartë për cilindo, se praktikisht ka një koalicion PD-PS, i cili arnoi Kodin Elektoral duke mos respektuar as parimet kushtetuese, as vullnetin e forcave politike", përfundon deklarata.

Më herët gjatë muajit, FRD themeloi degët e saj në disa qytete të Shqipërisë, konkretisht në Lushnje, Korçë dhe Elbasan, me premtimin se do të jetë një parti për qytetarët. (INA)



No comments:

Post a Comment