Wednesday, July 18, 2012

Nëntë izraelitë të vdekur dhe 33 të plagosur në Bullgari

Nëntë turistë izraelit kanë humbur jetën dhe 33 janë plagosur në shpërthimin e bombës që ka ndodhur dje pasdite në autobusin me turistë izraelit në aeroportin e Burgasit në Bullgari. 

Dëshmitarët kanë thënë se bëhet fjalë për sulm vetëvrasës që ka ndodhur në pikën turistike bullgare. 

Vendi ku ndodhi shpërthimi është shëndërruar në një kasaphane dhe flakë zjarri, me copa të trupave të shpërndarë. Zjarri nga shpërthimi i fuqishëm ka përfshirë edhe dy autobusë të tjerë. 

Ministri i brendshëm bullgar, Cvetan Cvetanov deklaroi se autoritetet po hartojnë listën e të gjithë turistëve izraelit që kishin mbërritur në Aeroportin e Burgasit dhe më pas do të bëhet identifikimi i tyre. Sipas tij, deri tani po shënohet rritja e numrit të viktimave, ndërsa mbi 33 veta janë shtrirë në spita, prej të cilëve tre janë në gjendje kome. 

Autoritetet bullgare sulmin e cilësuan si terrorist dhe se po hetohen motivet plotësuese. 

Kryeministri izraelit Benjamin Njetanjahu deklaroi se pas sulmit qëndron Irani. Sipas raporteve të izraelitëve, në autobus ishin 40 udhëtarë, të cilët do të transportoheshin nga aeroporti në hotele. 

Policia bullgare informoi se aeroporti në Burgas është mbyllur dhe se avionët e tjerë urdhërohen që të aterojnë në Varne. 

Dëshmitarët okularë theksuan se shpërthimi ka ndodhur pasi që në autobus është futur një person vetëvrasës i rrethuar me mjetin shpërthyes. Mediat shtetërore thanë se zjarri ka përfshirë edhe dy autobusë të tjerë që ishin afër dhe ku duhej të transportoheshin pjesa tjetër e udhëtarëve izraelit. (INA)

 



No comments:

Post a Comment