Friday, July 20, 2012

Filloi manifestimi “Mirë se erdhe muaji Ramazan”

Forumi Rinor Islam, dega Shkup, me rastin e fillimit te muajit të shenjtë të Ramazanit organizoi manifestimin "Mirë se erdhe muaji Ramazan", tashmë tradicional i cili realizohet me rastin fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

 

Ky aktivitete është vetëm se pikënisja e një sërë aktivitetesh që Forumi Rinor Islam do ti realizojë gjatë muajit Ramazan nën moton "Ramazani, muaj I fitoreve".

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që simbolikisht të bëhet shënimi i fillimit të muajit Ramazan dhe e gjithë kjo u realizua me një program modest që u mirëprit me shumë dashamirësi nga publiku i madh që ishte i pranishëm në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Siç e do Islami, ky aktivitet u hap me një recitim mahnitës të disa ajeteve Kur'anore nga hafizi i mirënjohur Xhemajl Nuhiu. Pastaj programi vazhdoi me një fjalë përshëndetëse nga kryatari i FRI-së, z, Fevzi Musliu, i cili mes të tjerash theksoi rëndësinë e këtij muaji të shenjtë. Këtë aktivitet e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Çairit z. Izet Mexhiti i cili shfrytëzoi rastin të përgëzojë këtë aktivitet të rëndësishëm dhe falënderoi Forumin Rinor Islam për punën e palodhshme që bën në realizimin e vazhdueshëm të aktiviteteve të ndryshme që pasurojnë jetën kulturore dhe fetare në vendin tonë.  

Komuna e Çairit edhe sivjet ishte përkrahëse e këtij manifestimi. Duke marrë parasysh se ky manifestim ishte organizuar nga dega e Shkupit, fjalën e morri edhe z. Hasan Baftijari, kryetar i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup. 

z. Baftijari bëri shpalosjen e kalendarit të aktiviteteve që planifikon ti realizojë Forumi Rinor Islam  gjatë muajit të bekuar të Ramazanit në Shkup dhe rrethinë. Këto aktivitete në vete ngërthejnë: tribuna, ligjerata, iftare, mbrëmje Kur'anore etj. 

Pas fjalimeve përshëndetëse pasoi lëshimi i fishekzjarrëve që mes të tjerash shënoi simbolikisht fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në fund publiku i cili kishte vërshuar sheshin para Xhamisë së Murat Pashës dhe rrugët e Çarshisë së Vjetër kishte mundësinë të ndjekë një mini koncert me ilahi të performuara nga kënduesi i njohur i ilahive Adem Ramadani nën shoqërinë e hafizit Xhemail Nuhiu. 

Me të përfunduar manifestimi, të pranishmit u ëmbëlsuan me bakllavatë që aktivistët e Forumit Rinor Islam i shpërndanë në vendin e ngjarjes.

Për në fund vlen të përmendet se në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe media të ndryshme të shkruara dhe elektronike, si nga vendi ashtu edhe nga jashtë.

Poashtu edhe në Tetovë, Sektori i Femrës pranë FRI-së në Tetovë e shënoi fillimin e muajit të ramazanit me shpërndarjen e disa hurmave nëpër qytet duke ua uruar kalimtarëve të rastit këtë muaj dhe duke u dhënë nga një hurmë dhe duanë e ifatrit.  (INA)

 



No comments:

Post a Comment