Wednesday, July 11, 2012

DR: BDI po tenton të arsyetojë dështimet

Demokracia e Re (DR) sot ka reaguar në adresë të BDI-së për dështimet e saj gjatë qeverisjes së deritanishme.

"Mosrespektimi i ligjit edhe ashtu të mangët për përdorimin e gjuhës shqipe si dhe  mosrespektimi i  kritereve për punësim proporcional në institucionet shtetërore janë vetëm dy nga ngjarjet më të fundit që treguan  qartë atë se  nga shumë premtimet që VMRO ia ka dhënë partnerit të saj shqiptar në qeveri  mbajti vetëm njërin – amnistoi disa nga krerët e saj ngaqë të tjerët s'patën nevojë  për këtë, disa i vrau e shumicën e arrestoi", thekson DR.

"Ky indiferentizëm ndaj  problemeve kaq të ndjeshme është  karakteristikë  e  pushtetarëve të pa ditur, të  korruptuar ose të frikësuar dhe  mbjell vetëm mosbesim dhe frikë, mosbesimin  e qytetarëve shqiptar  ndaj kësaj qeverie sa të korruptuar aq edhe shoviniste si dhe frikë tek brezi i të rinjve shqiptar – frikë për të ardhmen e tyre ngaqë  në këtë shtet të padefinuar  dhe të paperspektivë sajohen çdo ditë norma të reja punësimi dhe si në  asnjë vend tjetër  po ata që i sajojnë këto kritere punësimi po ata bëjnë edhe vlerësimin se kush i plotëson ato ?!", reagon Demokracia e Re.

Sipas kësaj partie, Ahmeti me deklaratat e fundit në përpjekje për të arsyetuar dështimet e tyre, tregoi se jo vetëm që po tallet   me të gjithë qytetarët shqiptar por që ironia të jetë edhe më e madhe pa pikën e turpit, pa ju trembur syri dhe pa ndier as përgjegjësinë më të vogël kërkon një mandat tjetër qeverisës. 
 
"Sot kur qytetarët shqiptar me plot të drejtë kanë humbur besimin  te institucionet e shtetit, parlamenti, partitë politike dhe tek drejtësia shpresojmë se nuk do të harrojnë këtë injorim që po ju bëhet  dhe mbi të gjitha nuk do të heshtin  – ngaqë heshtja në situate të këtilla nuk është flori", thekson në fund DR.



No comments:

Post a Comment