Wednesday, July 11, 2012

“Ahtisari Plus” për veriun e Kosovës, nxit shqiptarët në Maqedoni

Instituti KIPRED në Kosovë në një analizë të publikuar për kërkesat e serbëve në veriun e Kosovës për një autonomi më të gjërë dhe shkëputje nxisin shqiptarët në Maqedoni dhe shfaqin zgjidhjet dhe gjendjen e statusit të padrejtë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi.

Sipas analizës politike "Autonomia për Pjesën Veriore të Kosovës: Shpalosja e Skenarëve dhe Pasojat për Rajonin" të publikuar nga KIPRED, problemi i veriut do të zgjidhet në dialogun e ardhshëm politik mes Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet një pako "Ahtisaari Plus" e cila do t'ia japë kësaj pjese të shtetit një autonomi shtesë. Kjo si pasojë do të ketë prishjen e funksionalitetit të Kosovës si shtet normal si dhe efekte negative tek fqinjët, gjegjësisht në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni.

"Efektet do të ndjehen edhe në Maqedoni. Aktet e vazhdueshme të dhunshme të karakterit etnik që ndodhën së fundi në Maqedoni po ndikojnë në uljen e legjitimitetit politik të partive shqiptarë në vend e cila krijon vakum politik që do të kapet nga forcat tjera politike më radikale", deklaroi drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Dedja.

Analisti Shpend Kursani nga KIPRED si bashkautor i analizës thekson se protesta e majit e cila spontanisht mblodhi plot 10,000 shqiptarë në Shkup me karakteristika të kombinuara kombëtare e religjioze tregon më së miri për situatën e cila lehtë mund të eskaloj.

Sipas tij nëse e njëjta ndodhë në të ardhmen, me një veri autonom, do të ketë pasoja shumë më të mëdha përçarëse në vend e cila edhe do ta luhatë stabilitetin politik.

"Si rezultat i zgjedhjes Ahtisaari Plus për veriun, shqiptarët në Maqedoni do ta hapin debatin për kërkesa shtesë që kanë të bëjnë me krijimin e Kuvendit dy-dhomësh dhe federalizmin e Maqedonisë, temë që lidershipi politik shqiptar dhe maqedonas mundohen mos ta hapin për shkak të rehatisë politike që gëzojnë", deklaroi Kursani.

Në skenarët e detajuar që do të pasonin si rezultat i autonomisë së mundshme për veriun, autorët parashohin një ngritje të pakënaqësisë edhe tek pala maqedonase e cila vetëm sa do ta radikalizojë edhe më shumë palën shqiptare. Kjo si rezultat do të çoj tek zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni të cilat do ti gjejnë të dyja kampet etnike më të radikalizuara në vend.

Në planin afat-mesëm, kjo politikë do të rezultojë në krijimin e një terreni të përshtatshëm për rishikimin e plotë të kufijve të tanishëm në rajon. Shqiptarët, ashtu si qëndrojnë aktualisht, nuk janë të gatshëm për hapjen e këtij skenari; ekzistenca e Maqedonisë  në tërësi do të rrezikohet duke përfshirë shtete të tjera përtej Ballkanit Perëndimor, ndërsa B e H ka të ngjarë që të shpërbëhet. Këto ndryshime në rajon nuk do të ndodhin në mënyrë paqësore.

Fuqitë perëndimore janë lodhur me Ballkanin. Ato i shohin marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës si çështjen e fundit të pazgjidhur në rajon dhe po kërkojnë 'normalizim' marrëdhëniesh mes të dyjave, pa njohje të ndërsjellë. Sipas autorëve, "çmimi" për këtë normalizim është autonomia për pjesën veriore të Kosovës. Duke marrë parasysh dinamikën rajonale, kjo autonomi e parashikuar nuk do të çoj kah stabiliteti më i madh, por më shumë në kahe të kundërt. Do të krijoj skenën për edhe një përfshirje ndërkombëtare pas 5-10 viteve, me shumë me pak legjitimitet dhe besim nga lojtarët vendor rajonal dhe nga njerëzit e rajonit. (INA)



No comments:

Post a Comment