Wednesday, July 11, 2012

Thaçi: Shtrëngimi i duarve me Tadiq akt i vonuar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi se shtrëngimi i duarve me ish-presidentin serb Boris Tadiq gjatë Samitit të Dubrovnikut ka qenë diçka shumë pak dhe e vonuar, sepse sipas Thaçit, Tadiq këtë nuk e kishte bërë gjatë kohës si president.

Ai këtë e ka theksuar për javoren kroate "Globus", duke shtuar se lideri i Partisë Demokrate Boris Tadiq ka qenë president dy mandate të plota në Serbi dhe në asnjë mandat nuk kishte treguar vullnetin dhe guximin për ti shtrirë dorën përfaqësuesve të Kosovës.

"Akulli duhet thyer pikërisht në nivelin institucional dhe në kontekst të kontakteve ndërshtetërore, si dhe midis të zgjedhurve legjitim nga dyja shtetet sovrane. Por, këtë lloj të komunikimit e kishte refuzuar Tadiq gjatë viteve të presidencës. Andaj shtrëngimi i duarve në Dubrovnik ka qenë diçka e bërë vonë", deklaroi Thaçi.

Ai ka shtuar se është i tepruar konstatimi se ky duarshtrëngim është historik, por sipas Thaçit ai është i rëndësishëm dhe një sinjal për gatishmërinë e Qeverisë së Prishtinës për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe për bashkëpunimin rajonal në rrugën evropiane.

Kryeministri Thaçi nënvizoi se përfaqësuesit e Kosovës gjithmonë ka qenë të gatshëm për çdolloj dialogu që do të shpejtonte dhe lehtësonte pranimin e realitetit të ri politik të Kosovës shtet të njohur ndërkombëtarisht. Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme për të vazhduar dialogun me Beogradin dhe si palë negociuese do të ishte e pranueshme çdolloj qeverie në Serbi. (INA)



No comments:

Post a Comment