Thursday, July 12, 2012

Presidenti Topi dekoroi figura historike çame

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dekoroi sot, pas propozimit të Shoqatës "Çamëria" dhe Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet tre personalitete të shquara të kombit shqiptar, me origjinë nga Çamëria.

Hasan Tahsini, Bilal Xhaferri dhe Musa Demi u dekoruan me titullin "Nderi i Kombit", për kontributin e tyre në çështjen kombëtare dhe në çështjen çame.

Për Hasan Tahsinin, titulli iu dha kryetarit të PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi, i cili gjatë fjalës së vetë, falenderoi presidentin e republikës për vlerësimin e kontributeve ndaj tre figurave të shquara të shqiptarëve të Çamërisë si edhe evokoi vlerat e rilindasit Hasan Tahsini.

"Së pari, më lejoni të falenderoj Presidentin e Republikës për nderimin që po u bën figurave të mëdha të kombit tonë nga Çamëria, rilindasve Hasan Tahsini dhe Musa Demi, si edhe shkrimtarit e disidentit Bilal Xhaferri. Hasan Tahsini, titullin e të cilit kam nderin të marr, është një personalitet shumëdimensional i kombit tonë. Si një ndër rilindasit e parë, me veprimtarinë e tij, Hasan Tahsini mundësoi që kombi ynë të ishte shumë më pranë pavarësisë. Si dijetar, ai i ka dhënë jo vetëm Shqipërisë, por trashëgimisë botërore ide e vepra të një rëndësie të veçantë." – tha z. Idrizi.

Në emër të Bilal Xhaferrit, titulli iu dha Antika Murtos, motrës së tij, ndërsa në emër të Musa Demit, titulli iu dha të birit, Resul Demi.

Hasan Tahsini është një ndër rilindasit më të mëdhenj shqiptar dhe dijetar. Bilal Xhaferri ka qenë disident komunist dhe shkrimtar. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i "Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê" (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si "Dâr-ul Funùn" (universitet).

 Bilal Xhaferri lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935 dhe vdiq më 14 tetor 1986 në ShBA. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të çështjes çame, nëpërmjet veprave të shumta të tij.

Musa Demi ka qenë aktivist i Rilindjes Kombëtare dhe themelues i shkollës së parë shqiptare në Çamëri, përpara pavarësisë. Ai lindi në Filat dhe ishtë anëtar i disa revoltave antiosmane, si edhe veprimtar në Luftën e Dytë Botërore. Më 1992 u nderua nga Republika e Shqipërisë me medaljen “Për Veprimtari Patriotike”. (INA)



No comments:

Post a Comment