Tuesday, July 17, 2012

RDK: Shpifjet e koordinuara kundër Rufi Osmanit

RDK ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar disa ditë më parë nga TV Sitel dhe portali Press 24 që duke u thirrur në "burime të veta" nga Komisioni për parandalim të korrupsionit, liferuan në opinionin publik një dezinformatë kinse ky komision do të iniciojë ngritjen e procedurës penale kundër kryetarit aktual të komunës së Gostivarit, njëherësh dhe kryetar i RDK-së – Rufi Osmani, për shpërdorim të mjeteve financiare komunale.

“Në lajmin e liferuar nga TV Sitel dhe ueb portali Press 24, e të cilin e transmetuan edhe disa media dhe ueb portale tjera të vendit, thuhej se "Rufi Osmani në vitin 2010 në mënyrë të paligjshme i ka shfrytëzuar mjetet e komunës dhe nuk ka siguruar mbrojtje të tyre", e që aspak s'ka të bëjë me të vërtetën. Në shkresën zyrtare të Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit adresuar kryetarit të komunës ë Gostivarit, Rufi Osmani, ai njoftohet se duhet të ndërmerr hapa për mënjanimin e gjendjes së konstatuar për shkelje të Ligjit për parandalim të konfliktit të interesave, respektivisht në afat prej 15 ditësh nga pranimi i shkresës të ndërpret angazhimin e tij si ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Duke qenë se kontrata për angazhim honorar – jashtë orarit të punës, me UEJL ka skaduar më datë 30.06. 2012 (shtojca 1), mbetet që kryetari Rufi Osmani, vetëm ta njoftojë Komisionin respektiv dhe për këtë të depozitojë dëshminë, e që nënkupton se në tërësi shkarkohet nga përgjegjësia. Nga shkaku se shkresa zyrtare nga Komisioni antikorrupsion adresuar kryetarit Rufi Osmani, në arkvin e komunës së Gostivarit ka mbërritur të enjten, më atë 12.07.2012 (shtojca 2), andaj edhe reagimi vjen pak sa me vonesë. Dihet se në Maqedoni, angazhime honorar në universitete të ndryshme në brenda dhe jashtë vendit kanë shumë bartës të funksioneve të cilat ushtrohen profesionalisht ,të cilët mbajnë tituj shkencorë dhe universitar, por anëtarët e këtij Komisioni "çuditërisht" informata paskan vetëm për profesorin Rufi Osmani”, thekson RDK.

RDK liferimin e dezinformatave të këtilla nga anëtarë të caktuar të Komisionit për antikorrupsion, e cilëson si tentativë për njollosje të personalitetit të Rufi Osmanit në vitin parazgjedhor në të cilin gjendemi, e në pamundësi për të gjetur asnjë element keqpërdorimi të fondeve publike.

“Në bazë të ligjeve në fuqi, i vetmi organ shtetëror kompetent për të konstatuar nëse ka apo jo shpërdorim të fondeve publike, është Enti shtetëror i Revizionit. Për punën e Komunës së Gostivarit, po edhe të Rilindjes Demokratike Kombëtare, me të cilat udhëheq Rufi Osmani, të gjitha raportet e revizioneve të kryera të Revizionit shtetëror, dëshmojnë qartë se menaxhimi me mjetet financiare, transparenca dhe llogaridhënia mund të shërbejnë si shembull pozitiv në këtë drejtim.Si përgjigje më adekuate ndaj këtyre spekulimeve është Raporti përfundimtar nr. 31-166/10-14 për vitin 2010  i Entit shtetëror për revizion i publikuar më 27.09.2011, se nuk janë konstatuar asçfarë parregullsish në disponimin e mjeteve në pronë të Komunës së Gostivarit. U rekomandojmë mediave të apostrofuara, që në të ardhmen të shfrytëzojnë burime të sigurta e jo tendencioze të Komisionit antikorrupsion, ndërsa prej Komisionit për parandalim të korrupsionit kërkojmë që të marrin masa ndaj anëtarit të tyre i cili ka shërbyer si "burim i sigurt" për mediat”, thekson RDK.(INA)



No comments:

Post a Comment