Tuesday, July 17, 2012

Policia demolon pajisjet e RTV Mitrovicës

Të martën pasdite, Policia e Kosovës së bashku me disa punonjës të Komunës së Mitrovicës kanë thyer dyert e blinduara të Radio Televizionit të Mitrovicës.

RTV  Mitrovica përmes një komunikate për shtyp njoftoi se gjatë këtij aksioni janë  demoluar dhe nxjerrë jashtë  pajisjet e këtij mediumi lokal.

"Intervenimi i policisë vetëm në bazë të një konkluzioni të kryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe pa vendim gjykate është akt i kundërligjshëm që u ndërmor përkundër asaj se shefi i misionit të OSBE në Kosovë Ambasadori Almhoher tërhoqi paraprakisht vëmendjen për këtë. Ky veprim i kundërligjshëm i policisë së Kosovës u ndërmor në kohën kur themeluesi i këtij mediumi ndodhet në vizitë zyrtare jashtë vendit", thuhet në komunikatë.

Sipas mediumit të lartpërmendur, ky veprim  është pa precedan në historinë e Kosovës  si është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, lirisë së Medias dhe funksionimit te ligjit.

RTV Mitrovica fton komandantin e përgjithshëm të policisë së Kosovës të dënojë fajtorët që bënë këtë shkelje, të kërkojë falje publike dhe të kompensojë dëmin e krijuar.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka marrë lajmin se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhunshëm në lokalet e TV Mitrovica.

Sipas njoftimit, policia me urdhër të komunës ka uzurpuar lokalet në të cilat operon ky televizion lokal dhe ka demoluar edhe pajisjet teknike të kësaj medie, ndërkohë që thuhet se ndërhyrja ka ardhur pas një urdhri të Komunës së Mitrovicës që pretendon pronësi mbi objektin në fjalë.

AGPK kërkon tërheqjen e policisë dhe pezullimin e urdhrit të Komunës deri në vendimin final të gjykatës mbi pronësinë e këtyre lokaleve. (INA)



No comments:

Post a Comment