Sunday, July 29, 2012

Serbia arreston edhe një mërgimtar nga Kosova

Në vendkalimin kufitar Suboticë të Serbisë parmbrëmë është arrestuar nga policia serbe Nehat (Neshat) Haliti (1980) nga Prizreni. Ai po udhëtonte nga qyteti Perk i Austrisë për pushime në Prizren. Kështu ka njoftuar zyra e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prizren.

Sipas KMDLNj-së në Prizren që nga pas lufta Nehati me prindërit dhe fëmijët jetojnë dhe punojnë në Austri dhe kanë qëndrim të përhershëm.

"Haliti, tashmë sipas familjarëve të tij ndodhet në paraburgim në Beograd nën akuzën për krime lufte. Ai akuzohet se më 16 qershor 1999 në qytetin e Prizrenit ka rrahë dhe maltretuar civilë (një serbë dhe një shqiptar)", thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Familjarët i kanë thënë Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së së për kohën që Nehati akuzohet, ai bashkë me familjen kanë qenë refugjatë në Shqipëri, përkatësishtë në Shijak.

"Kjo është një akuzë që s'mund të vërtetohet me asgjë dhe se në atë kohë ne kemi qenë në Shqipëri si refugjatë, prej nga jemi kthyer në fund të qershorit', i kanë thënë KMDLNJ-së në Prizren familjarët e të arrestuarit.

Po ashtu, bëhet e ditur se që nga paslufta e deri në momentin e arrestimit Nehati ka udhëtuar me dhjetëra herën në këtë relacion dhe nëpër këtë kufi.

Qendra Rajonale e KMDLNJ-së kërkon reagim urgjent të mekanizmave ndërkombëtarë e vendorë që të ndërhyjnë për lirimin e Halitit. (INA)



No comments:

Post a Comment