Monday, July 16, 2012

Idrizi: Shumë shpejt Rezoluta për çështjen çame

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) mblodhi sot Këshillin Kombëtar, të përbërë nga 180 antarë, përfaqësues të çdo rrethi të Shqipërisë, me qëllim organizimin e partisë. 

Në këshill u prezantua projekt-programi politik dhe draft-statuti i ri i partisë, të cilat do të miratohen, pas procesit të organizimit të brendshëm të partisë. 

Kreu i PDIU-së,  Shpëtim Idrizi deklaroi se shumë shpejt rezoluta çame do të paraqitet në Kuvend.

“Shumë shpejt ne do të paraqesim në parlament, një rezolutë për çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur, çështjen çame. Rezoluta është dokumenti, që në përputhje me dokumentat europiane, do të imponojë futjen në axhendën tonë diplomatike të çështjes çame.  Sot klima politike, ndërgjegjësimi kombëtar, atmosfera rajonale janë shumë të favorshëm.  Cdo lojë me rezolutën, çdo tërheqje e dikujt do ishte paburrëri . Ne kemi besim qe parlamenti shqiptar eshte i perbere nga gra e burra patriote dhe asnjë s’do njolloset nga turpi, dinjiteti dhe nga mungesa e patriotizmit  Ndaj unë kam thënë se nëse ajo nuk miratohet, atëherë unë do të jap dorëheqjen si kryetar i PDIU .  Ky akt dorëheqje do të ishte protestë për pafytyrësinë e politikës, dyfaqësinë e saj, burracakërinë e politikës tradicionale.  Në shtator do bëjmë publike disa prej momenteve kryesore të bashkëpunimit tonë me studion britanike për zgjidhjen e çështjes çame.  Në shtator ne do të jetësojmë një iniciativë tonën, ngritjen e një Komiteti Shtetëror për emigracionin dhe diasporën .  Ka dhe shumë iniciativa të tjera që na presin.  Kryesorja është që s’kemi ndërmend të pushojmë dhe sukseset e arritura, janë shtysë e fortë për më shumë punë në të ardhmen.” – tha z. Idrizi.

Ai kërkoi që qeveria shqiptare të marrë sqarime në lidhje me deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos mbi marrëveshjen detare me Shqipërinë.

"Ju e dini që ministri i tyre ka thënë se Greqia do ta injorojë vendimin e Kushtetueses. Kjo të do të thotë që Greqia të shfrytëzojë burimet tona natyrore. Shteti shqiptar duhet të reagojë me forcë ndaj kësaj deklarate qoftë edhe duke e dërguar çështjen në instanca më të larta"- u shpreh kreu i PDIU-së. 

Duke folur për reformën zgjedhore Idrizi theksoi se PDIU nuk mund të pranojë një reformë që sanksionon mbretërimin e dy partive të mëdha. 

"PD e PS pasi për 3 vjet me radhë u sherrosën pafund, duke bllokuar integrimin, ranë përsëri dakord. Uroj që kësaj radhe të mos ankohen dhe të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë gatuar bashkë. Këto dukuri e mbajnë vendin mbrapa. Në kushtet e lirisë nuk ka asnjë arsye te rreshtohemi ose tek e keqja më madhe apo tek e keqja më e vogël. Nuk do jemi dekor i askujt. Të punojmë që ta shndërrojmë PDIU në një forcë politike moderne, që në Kuvend të jemi më shumë."- u shpreh Idrizi. 



No comments:

Post a Comment