Monday, July 16, 2012

Bejta: Qeveria garancë për kredinë e Komunës së Gostivarit

Ministria e Pushtetit Lokal që drejtohet nga ministri Nevzat Bejta ka dërguar një përgënjeshtrim kundër komunës së Gostivarit, lidhur me një kredi të BB-së për zhvillimin e kësaj komune. 

Më poshtë vijon reagimi i plotë: 

Fillimisht duam që të ju informojmë se qëllimi i mbajtjes së konferencës për shtyp ishte që të informojmë opinionin publik se pushteti qendror aspak nuk është duke e anashkaluar dhe penguar Komunën e Gostivarit në realizimin e projekteve të cilat janë në interes të qytetarëve, por përkundrazi pushteti qendror dhe Ministri i Vetëqeverisjes Lokale z. Nevzat Bejta e ndihmojnë këtë komunë edhe pse kryetari i Gostivarit, e ka refuzuar bashkëpunimin që nga momenti kur ministër është z. Bejta.  

Prandaj, që udhëheqësia e Komunës së Gostivarit ta kuptoje shkurt dhe qartë, se në çfarë cilësie z. Bejta e mbajti konferencën për mjetet e informimit, më duhet të ju themi se këtë konferencë e organizoi Ministria e Vetëqeverisjes Lokale që është përgjegjëse kryesore e komunave në nivel republikan, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. 

Sa i takon kredisë prej 1 milion euro të cilën Komuna e Gostivarit e ka fituar nga Banka Botërore, komunat i dorëzojnë projektet  në Ministrinë e Financave, pastaj kjo ministri i dorëzon në Bankën Botërore, kurse Banka Botërore i kontrollon dhe e ndjek realizimin e projekteve. 

Në rast se komunat nuk e bëjnë pagesën e kësteve të kredisë, atëherë është e obliguar këtë ta bëjë Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Financave. Në këtë rast, ministri Nevzat Bejta, me autoritetin, ndikimin dhe angazhimin e tij, ka bërë që Ministria e Financave dhe Qeveria të jenë garancë për kredinë e Komunës së Gostivarit. 

Lidhur me shumat e projekteve për të cilat nga Komuna e Gostivarit thonë se ministri Bejta e ka dezinformuar opinionin publik dhe se nuk paska informacione të sakta, Ju informojmë se për këto projekte informacionet ministri Bejta i ka të sakta dhe burimore dhe aspak nuk plason në opinion të pavërteta dhe dezinformata. 

Që opinioni ta dije të vërtetën e kredisë së Komunës së Gostivarit, të cilën kredi e ka fituar kjo komunë nga Banka Botërore me garancë të Ministrisë së Financave, në vazhdim shkurt dhe qartë u paraqesim emrin dhe vlerën e projekteve:

Projekti numër 1: për Komunë më ekonomike – Ardhmëri më të ndritshme, vlera e këtij projekti është 21.288.400 milion denar, 

Projekti numër 2: për Furnizim me mjete themelore për mirëmbajtjen e higjienës publike në Komunën e Gostivarit, vlera e këtij projekti është 30.381.000 milion denar, 

Projekti numër 3: Ndërtimi i rezervuarit (linjë e re e ujësjellësit) në fshatin Debresh, vlera e projektit, është 8,687,298 denar,   

Në total, vlera e përgjithshme e dy projekteve të lartpërmendur është 51.669.400 denar.

Angazhimi i ministri të Vetëqeverisjes Lokale z. Nevzat Bejta për t'i ndihmuar komunat në përgjithësi e në këtë rast Komunën e Gostivarit, nuk ka munguar asnjëherë dhe nuk do të mungoje në asnjë moment, prandaj Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe ministri Nevzat Bejta, edhe njëherë shpreh gatishmërinë që gjatë mandatit të tij si ministër, dëshiron të bashkëpunoj me të gjitha komunat pa dallim të proveniencave politike të kryetarëve të tyre, për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe për përmirësimin e jetës së tyre nëpër komuna.     

Ne do të vazhdojmë t'i ndihmojmë të gjitha komunat, sepse në ta jetojnë qytetarët e vendit tonë dhe angazhimin tonë e bëjmë në interes të qytetarëve e aspak në interesin tonë personal dhe të kryetarëve të komunave. (INA)



No comments:

Post a Comment