Friday, July 20, 2012

Starton ndërtimi i fabrikës belge "Van Holl"

Me vendosjen e gur-themelit sot në ZZHTI Shkup 2 filloi ndërtimi i fabrikës për autobusë të kompanisë belge “Van Holl”, investim në vlerë prej 20 milionë eurosh, i cili duhet të mundësojë punësimin e 400 deri 500 personave.

 

Në fillimin e ndërtimit mori pjesë kryeministri Nikolla Gruevski, i cili nënvizoi se bëhet fjalë për investimin e parë më të madh belg në vend me të cilin, siç tha, vazhdon edhe me dinamikë më të madhe cikli investues, i cili e kaploi Maqedoninë.

 

Sipas tij, ky investim është edhe një rrëfim i suksesshëm i serisë së investimeve të reja të huaja në shtet të cilat janë tregues i shkëlqyeshëm se Maqedonia ofron kushte të mira për investim dhe zgjerim të biznesit të tyre.

 

“Për një muaj jo të plotë gjiganti botëror në industrinë e automobilave ‘Kromberg dhe Shubert’ filloi me ndërtimin e fabrikës së saj në Manastir. ‘Arçelor mital’ e publikoi investimin e saj të parë në vend dhe e lëshoi në funksion furrën e rikonstruuar nga fabrikat e saj prodhuese. Para disa ditësh e nënshkruam marrëveshjen me kompaninë gjermane ‘Drekslermaer’ për ndërtimin e fabrikës së re për instalime kablloje për nevojat e ‘Mercedes Benz’-it në Kavadar. Gjithashtu, para disa ditësh kompania turke ‘Xhevahir holding’ filloi t’i ndërtojë shumëkatëshet në Shkup në vlerë prej 300 milionë euro. Disa firma të tjera vendore dhe të huaja po i përfundojnë objektet e tyre në vend, ndërsa në këtë grup hyn edhe ‘Van Holl’-i belg i cili sot fillon me ndërtimin e fabrikës së saj”, tha Gruevski.

 

Sipas tij, ky investim do të ketë shumë efekte pozitive për Maqedoninë për shkak se në fabrikën e re drejtpërdrejt do të punosohen rreth 400 deri 500 persona, ndërsa në mënyrë indirekte dobi do të kenë më shumë firma të cilët do të bashkëpunojnë me “Van Holl”-in dhe do ta ofrojnë logjistikën dhe shërbimin e tyre.

 

“Midis të punësuarve të ri besoj se vend të tyre do të gjejnë edhe ish të punësuar në FAS ’11 Tetori’ si dhe persona të tjerë të cilët kanë kualifikime ose përvojë paraprake në prodhimin e autobusëve ose kanë qenë pjesë e industrisë makinerike dhe elektronike. Fabrika e re do të sjellë edhe në dije të reja për industrinë e suotmobilave dhe teknologjive të reja në botë”, tha Gruevski.

 

Duke ua uruar 65-vjetorin kompanisë “Van Holl” e cila është biznes familjar, shefi i Qeverisë nënvizoi se ky investim do të rezultojë edhe me rritje të eksportit të Maqedonisë dhe përmirësim të balancit tregtar ndaj SHBA-së dhe vendeve të Evropës Perëndimore.

 

Drejtori i kompanisë belge “Van Holl”, Filip Vanholl nënvizoi se ky është investimi i vetëm i tyre më i madh strategjik jashtë Belgjikës. marrja e vendimit që të investohet në Maqedoni nuk ka qenë aspak i shpejtë dhe i lehtë, por, thotë, në këtë u ka ndihmuar mbështetja nga Qeveria e Maqedonisë. (INA)



No comments:

Post a Comment