Saturday, July 21, 2012

Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja

Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë.

I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

"Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës", thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.

Poeti Ali Podrimja ka humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë "Voix de la Méditerranée", në qytetin e Lodève.

Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti. (INA)


MPJ: Kërkime intensive për gjetjen e poetit Ali Podrimja

9:00 – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës me keqardhje ka marrë informacionin nga Ambasada e Kosovës në Francë dhe autoritetet franceze për humbjen e kontakteve me poetin e njohur kosovar, Ali Podrimja.

Podrimja, po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë "Voix de la Méditerranée" në qytetin e Lodève, ndërsa me zyrtarët dhe kolegët e festivalit i ka humbur kontaktet që nga 17 korriku në mbrëmje. 

Ndërkohë, me familjarët dhe kolegët në Prishtinë, Podrimja ka kontaktuar për herë të fundit me 18 korrik në mëngjes. 

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, menjëherë pas marrjes së informacionit, ka komunikuar dhe e ka ngritur këtë çështje në nivelet më të larta të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, gjë që ka rezultuar me një mobilizim të madh të autoriteteve qendrore dhe lokale në Francë në kërkim të poetit Podrimja.

Ministri Hoxhaj vazhdon të jetë në kontakt me autoritetet franceze dhe Ambasadën e Kosovës në Paris, me qëllim që në çfarëdo forme të ndihmojë në gjetjen sa më të shpejtë të vendndodhjes së z. Podrimja.

Ndërsa, autoritetet franceze pas njoftimit me çështjen dhe konfirmimit të të dhënave të poetit Podrimja, kanë angazhuar xhandarmerinë e qytetit Lodève dhe të gjitha autoritetet tjera kompetente qendrore dhe lokale, duke ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të gjetur vendndodhjen e poetit Podrimja.

Aktualisht, autoritetet kompetente franceze, po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të hulumtimeve jo vetëm në qytetin e Lodève por edhe në periferinë e qytetit dhe më tej. 

Në ndihmë të kërkimeve për gjetjen e vendndodhjes së poetit Podrimja, janë vënë edhe pjesa dërrmuese e stafit të Ambasadës ë Kosovës në Francë, me ç'rast stafi i lartë diplomatik dhe konsullor kanë udhëtuar në qytetin Lodève për të ofruar asistencën e tyre, për të qenë në kontakt të vazhdueshëm  me autoritetet lokale si dhe për përcjelljen e aktiviteteve për gjetjen e poetit Ali Podrimja. 

Ndërsa, në Ambasadën tonë në Paris të gjitha aktivitetet janë përqendruar në komunikimin me autoritetet qendrore franceze për gjetjen sa më shpejtë të vendndodhjes së poetit Podrimja. (INA)

 

08: 13 - Poeti i njohur kosovar Ali Podrimja është zhdukur në Francë, teksa po qëndronte atje si pjesëmarrës në festivalin e poezisë "Voix de la Mediterainee" (Zërat e Mesdheut). Me poetin kosovar nuk ka biseduar askush që nga e mërkura paradite. Policia e qytetit Lodeve në Francë, ku po mbahet edicioni i 15-të i festivalit të poezisë, është vënë në kërkim të poetit kosovar.

Afishe me fotografi të poetit janë vënë gjithandej qytetit, ndërsa policia franceze ka mobilizuar edhe forcat ajrore për të gjetur Podrimjën. Edhe Ambasada e Kosovës në Francë dhe Ministria e Punëve të Jashtme janë shprehur të shqetësuara. Deri të premten vonë nuk ka pasur ndonjë informacion për vendndodhjen e tij.

Podrimja në Francë po e përfaqësonte Shqipërinë. Gazeta ka kontaktuar gjatë ditës së martë me poetin, i cili ka shprehur përshtypjet e tij për festivalin. Me të, drejt Francës nga Aeroporti i Prishtinës kishte udhëtuar edhe poetja nga Kosova, Ilire Zajmi-Rugova. Në një bisedë për "Kohën Ditore", Zajmi-Rugova të premten  ka dhënë detaje nga takimi i fundit me poetin, si dhe për atë që po ndodh në qytetin e qetë e të vogël në jug të Francës. (INA)



No comments:

Post a Comment